Dëgjesat me kryetarët e bashkive në Komisionin e Reformës Territoriale nisën me një nga qarqet kryesore të vendit, Elbasanin. Kryebashkiakët socialistë të Belshit, Përrenjasit, Peqinit dhe Cërrikut ishin unison në mendimin e tyre se ndarja aktuale është funksionale, pavarësisht propozimit të PS për shkrirjen e bashkive të vogla. Shqetësimi i tyre janë kompetencat dhe burimet njerëzore. I vetmi që mungoi ishte Gledjan Llatja, kryetari i bashkisë së Elbasanit, për shkak të axhendës.

“Belshi është rasti më i mirë, për të mos thënë ideal, i suksesit të kësaj reforme. Belshi nga në vend i panjohur, nuk njihej fare në hartë, sot është kthyer në një nga destinacionet turistike të fundjavës të vizitorëve të brendshëm, por 3 vitet e fundit dhe për vizitorët e huaj”, tha Arif Tafani, kryetar i bashkisë së Belshit.

“Në 2014 në Prrenjas nuk kishte asnjë rrugë të shtruar me asfalt. Sot ka 8 fshatra, 3 njësi janë lidhur me asfalt. Kështu që kjo reformë e 2014 ka qenë reformë e duhur”, thotë kryebashkiaku i Prrenjasit Nuri Belba.

“Ka shumë arsye historike që bashkia e Peqinit duhet të qëndrojë bashki”, thotë kryebashkiaku i Peqinit, Bukurosh Maçi.

“Burimet njerëzore kanë qenë minimale para 2014. Sot bashkia Cërrik vazhdon të mos jetë joshëse për staf të specializuar, sidomos inxhinierik, staf për aplikim projektesh dhe staf i kualifikuar, kjo sepse pagesat, duke qenë pagat sipas numrit të popullsisë, janë të ulëta”, thotë Florenc Doka, kryebashkiak i Cërrikut.

Të njëjtin qëndrim ndanin edhe kryetarët e bashkive të qarkut të Kukësit. Dy drejtuesit socialistë kërkuan që ndarja territoriale të respektojë dhe identitetin kulturor të zonave.

“Kështu siç është është shumë mirë, me të njëjtën ndarje të 2015-ës”, tha Albert Halilaj i Kukësit.

“Problem kadastra, ky shërbim merret të merret në Kukës. Apo edhe kolaudimi i makinave mirë do ishte të kthehet në Tropojë”, tha Rexhë Byberi, kryebashkiak i Tropojës.

Ndërsa kryebashkiaku i djathtë i Hasit, Miftar Dauti, kërkoi që pushtetit vendor t’i kthehen kompetencat.

“Duhet të shikohet decentralizimi i pushtetit, kompetencat e këshillit bashkiak. Shumë institucione nuk i kemi ne në varësi dhe nuk mund t’i japim zgjidhje qytetarëve. Sistemi arsimor diçka nuk shkon, ai ankohet tek i zgjedhuri, ne nuk kemi kompetencë, apo tek sistemi shëndetësor”, tha Dauti.

Më komplekse ishte dëgjesa me kryetarët e bashkive të qarkut të Durrësit. Dy bashkitë më të vogla, Shijaku e Kruja që i druhen prekjes së kufijve, e thanë qartë mendimin e tyre.

 “Nuk do ishte i nevojshëm shtimi i njësive administrative, për Shijakun është në perfeksion. Por rishikim të hartës territoriale po.”

“Kruja do të ishte mire t’i kalonte Tiranës për shkak të afërsisë territoriale”, u shprehën ata.

Ndërsa kryetarja e Bashkisë së Durrësit, në pozita më komode, zgjodhi të mos jepte koment për ndarjen territoriale, por u fokusua vetëm tek funksionet që duhet të kenë.

“Legalizimi i rëndësishëm dhe kompleks, duhet të trajtohet nga bashkia. Do ishte më i thjeshtë ta ndiqnin bashkitë. Arsimi fillor apo 9 vjeçar, ne kemi vetëm infrastrukturën… ky proces mund të menaxhohet nga ne”, tha Sako.

Orët e gjata të dëgjesave, bënë që palët ta humbnin durimin dhe ta mbyllnin me debate të forta për kohën që deputetët marrin për parashtrime e komente.

“Nuk ka më dëgjesë nëse koha e foljes së deputetëve nuk është me afat… nëse nuk është më me afat nuk ka dëgjesa”, ishin fjalët e tyre.