Ish-zëvendëskryeministrja e Kanadasë, Chrystia Freeland ka deklaruar se do të largohet nga parlamenti për të punuar si këshilltare pranë presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Freeland tha se detyra e saj si këshilltare për zhvillimin ekonomik në Ukrainë do të jetë pa pagesë, shkruan BBC. Në korrik, ajo do të marrë edhe detyrën për të udhëhequr Rhodes Trust, një shoqatë bamirësie për edukimin në Mbretërinë e Bashkuar.
Ish-zëvendëskryeministrja u zgjodh në vitin 2013 dhe ka mbajtur funksione të rëndësishme si ministre e Financave, Punëve të Jashtme dhe Tregtisë Ndërkombëtare gjatë kohës që vendi qeverisej nga kryeministri Justin Trudeau.
Ajo u shkëput prej tij në fund të vitit 2024 duke e akuzuar në një letër të hapur dorëheqjeje se nuk i kishte marrë seriozisht kërcënimet e tarifave amerikane që përforcuan largimin e tij politik.
Freeland postoi të hënën në X: “Ukraina është në ballë të luftës së sotme për demokracinë dhe e mirëpres këtë mundësi për të kontribuar pa pagesë si këshilltare ekonomie pranë Zelensky. Në javët pasuese do të largohem edhe nga parlamenti. Dua të falënderoj kolegët e mi për gjithë këto vite besimi. Jam shumë me fat që kam qenë përfaqësuesja juaj.”
Ajo tha se do të lërë edhe detyrën si përfaqësuese speciale e Kanadas për rindërtimin e Ukrainës.
Zelensky gjithashtu ndau një postim të hënën në X ku lajmëronte detyrën e re të Freeland. Presidenti ukrainas tha se ajo kishte “përvojë të gjatë në tërheqjen e investimeve dhe zbatimin e shndërrimeve ekonomike.”
Njoftimi i tij nxiti thirrje nga opozita për tërheqjen e Freeland. Sipas tyre, “dikush s’mund të jetë edhe deputete kanadeze, edhe këshilltare për një qeveri të huaj.”
Një ish-gazetare me prejardhje ukrainase, Freeland ka qenë prej kohësh një mbështetëse e fortë e Kievit në luftën e tij me Rusinë.
Në vitin 2014, ajo u përfshi në një listë të Kremlinit për perëndimorët që e kishin të ndaluar të hynin në Rusi, si hakmarrje ndaj sanksioneve kundër Moskës.
Në vitin 2020, Freeland u bë gruaja e parë e emëruar ministre e Financave në historinë e Kanadasë, ku ajo menaxhoi situatën financiare të vendit në pandeminë e Covid-it.
Ajo vlerësohet gjithashtu për ndihmën në rinegocimin e marrëveshjes aktuale të tregtisë së lirë midis Kanadasë, SHBA-së dhe Meksikës gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump në vitin 2018. Më vonë Trump e quajti “toksike”.
Marrëveshja tregtare USMCA ose CUSMA në Kanada, ka ndihmuar vendin të shmangë tarifën prej 35% të vendosur nga Trump, i cili përjashtoi Kanadanë për mallrat e mbuluara nga marrëveshja e tregtisë së lirë.
Këtë vit marrëveshja do t’i nënshtrohet një raundi tjetër rinegocimesh
Komente









