TIRANË- Në një reagim të radhës për protestat që mbahen prej 25 ditësh para zyrës së tij, kryeministri Edi Rama ka ndarë një tjetër rast ky dy vëllezër, pronarë të një bujtine në Tropojë, sipas tij janë kërcënuar online nga ish-zv.ministri socialist i Arsimit Olti Rrumbullaku, vetëm përse nuk ndajnë të njëtin mendim me protestuesit e tjerë për tubimet.

Vetë Kryeministri Rama disa herë ka ngritur shqetësimin se qytetarët që kanë dalë kundër protestës po linçohen online e kanë marrë kërcënime, ankesa të cilat i kanë mbërritur dhe vetë atij personalisht.

Në postimin e tij të fundit, Rama publikoi mesazhin që Olti Rrumbullaku ka shkëmbyer me pronarët e bujtinës, duke u thënë se nuk duhet të merren me politikë pasi ‘narkotrafikanti’ (Rama) kërkon vetëm dele, e madje si ‘ndëshkim’ i ka vlerësuar vetëm me 1 yll në platformën Booking për shërbimin që ka marrë në bujtinë.

Rama thotë se Rrumbullaku kur ishte zv.ministër, e vetmja gjë për të cilën u dallua ishte se mbyllej nga brenda në zyrë e bënte rrumbullak gjumin e drekës, e ndërsa sot po shfryn "helmin e mediokrit hakmarrës" ndaj dy të rinjve që kanë ngritur me mund biznesin e tyre familjar në Tropojë.

“Djemtë e CHESTNUT HILL-it lart në Tropojë janë dy vëllezër flori, nga një familje e dinjitetshme në një nga majat e atyre maleve kreshnike, ku kanë ngritur një biznes familjar me stërmundim të madh, duke e kthyer shtëpinë e tyre në një destinacion turistik mbresëlënës

“Akademiku” që i ka kërcënuar, se do t’u verë një yll në vlerësimin online, po u “morën me politikë në kohë krize” - pra po nuk u bashkuan në një mendje me të e me dështakët e tjerë lugëndryshkur, që kujtuan se u bë bulevardi kos - ka qenë zëvendës ministër në një prej qeverive socialiste dhe e vetmja gjë për të cilën u dallua, ishte se mbyllej nga brenda në zyrë e bënte rrumbullak gjumin e drekës

Tani ky “akademik” i larguar nga qeveria si i padobishëm për asgjë dhe që paska mbledhur tërë këto vite helmin e mediokrit hakmarrës,  i tregon “delet e narkotrafikut” dy djemve që i japin ujë mali në bisht të lugës së ndryshkur, atij dhe tërë sallahanave të kombit, që u kapën rrumbullak pas qafës si flamingove si i mbyturi pas fijes së barit

U kam premtuar kaherë djemve te CHESTNUT HILL-it se do u shkoj për të parë një natë hënën nga afër dhe tani erdhi koha, e nga atje lart do t’i çojmë së bashku një mesazh këtij sojit rrumbullaktorollak, që ta marrë vesh tërë dynjaja se ku është e çfarë është CHESTNUT HILL-i”, shkruan Rama.

Mesazhet e publikuara nga Rama