Iskra Thoma: Si u shkatërrua gjiganti shtetëror i botimeve 'Naim Frashëri' (VIDEO)

Iskra Thomai, në vitet ‘85-‘90, u shfaq si një zë i fortë i kritikës letrare; në kohën kur tehun e këtij zhanri kompleks e të një letërsie së doktrinuar e mprihnin kryesisht burrat.

Zëri i ri i kritikës letrare, në ato vite, nisi të përkonte me ndryshimin. Ishte një kohë, kur letrarët e rinj gradualisht po distancoheshin nga klishetë dogmatike. Lulëzuan talentet e reja.

Ndërsa fenomeni i hapjes së letërsisë po ndodhte 10 vjet më parë se të binte diktatura në Shqipëri, përmbysjet e mëdha e të rrëmujshme në vitet ‘90, për fat të keq dëmtuan edhe themelet e një tradite të mirë të krijuar në letërsi dhe në arte.

Kur strukturat e ngritura të hierarkive dhe institucioneve të letërsisë dhe artit shqiptar, pas viteve ‘90 nisën të rrëzoheshin; duke nisur që nga mbyllja e portave të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, tek degradimi i Kinostudios “Shqipëria e re” dhe deri tek gjiganti i botimeve të letërsisë shqipe dhe asaj botërore “Naim Frashëri”, Iskra Thomait i duhej të gjente rrugë të reja, për të shprehur talentin dhe dhuntitë e saj.

Iskra Thomai, e emëruar në vitin 1987 si zëvendësdrejtore e Shtëpinë Botuese Shtetërore “Naim Frashëri” emigron si shumë shqiptarë pas viteve ’90 drejt shtetit fqinj, Italisë.

Këto ditë studiuesja dhe kritikja e njohur është kthyer në atdhe, ku promovoi librin "Jetë buzë detit" me novela, tregime dhe publicistikë në Akademinë e Shkencave.

Në një intervistë ekskluzivisht për Report  Tv. Iskra Thomai rrëfen për eksperiencën e saj si kritike e redaktore për shumë vite të sa e sa shkrimtarëve shqiptarë, për jetën në Modena të Italisë ku vijon krijimtarinë si autore, përkthyese, kritike e publiciste.

Intervista

Zonja Iskra, tani së fundi ju promovuat një libër që ishte me tregime e novela e publicistikë, një libër që del pak jashtë kornizës me të cilën jemi mësuar ta njohim “Iskrën si një nga kritiket e para letrare grua në vitet ’80-90”. Përse vendosët të dilnit me një libër të natyrës krijuese, duke lënë disi mënjanë statusin e kritikes letrare?

-Sigurisht që unë nuk është se me këtë libër nuk do të vazhdojë punën e studiuesit dhe të kritikes letrare, sepse kam akoma në duar studime, si një studim për bilinguizmin, një studim për shkrimtarët e diasporës, por të them të drejtën largimi nga vendi ma bëri të pamundur ta merrja me vete, dhe njëkohësisht mjaft shënime mjaft dosje janë aty. Vitet e para që unë u vendosa në Itali, iu futa shumë perfeksionimit të gjuhës italiane, e cila në pamje të parë duket e lehtë, por është në fakt një gjuhë shumë e pasur. Pastaj kam punuar shumë që të njoh figurat e shquara të kësaj letërsie, domethënë të një letërsie të një vendi me civilizim të tillë, që është quajtur “kulla e artit botëror”. Kështu që, në vitet e para unë fillova edhe të përkthejë dhe kam përkthyer çdo gjë të bukur, që më magjepste nga kjo letërsi kaq e madhe. Doja që çdo gjë që më pëlqente ta sillja në shqip. Ishte e pamundur. Kështu që zgjodha nga një tregim nga secili nga autorët shumë mëdhenj si Xhovani Paskoli, De Amici, Gracie de Leda, Diego Anxheli që është një autor shumë i madh që ka sjellë Shekspirin në Italisht.  Ose autore të tjera të mëdhaja, si Kontesa Lara e shkrimtarë që kanë sjellë një letërsi të madhe. Kanë sjellë emancipim në letërsinë italiane. Dhe, ky libër, domethënë, arriti të bëhet në një kohë relativisht të gjatë, sepse të gjithë këta shkrimtarë të mëdhenj, këta gjigantë kanë stilin e tyre, kanë individualitetin e tyre dhe unë doja që në shqip ata të vinin siç unë i ndjeja në origjinal në italisht. Dhe kur thua se unë kam përkthyer Paskolin, duhet të kujtojmë se pikërisht atij, në një përvjetor, i kanë bërë një nderim aq të madh, sa një nga monedhat e euros doli me portretin e tij.

Çfarë shënon për ju, rikthimi në mjedisin letrar?

-Herë pas here unë shkruaja dhe tregime dhe novela. Sigurisht puna studimore kërkon një impenjim shumë të madh dhe ishte vështirë që të kishte një vazhdimësi, duke qenë larg proceseve letrare dhe botimeve më të fundit të Shqipërisë. Kështu, unë fillova të shkruaj edhe letërsi, përveç përkthimit. Kam qenë vazhdimisht nëpër shkolla, nëpër universitete, nëpër klube letrare, në të cilat referoja e mbaja leksione. Unë duke punuar gjithmonë si redaktore, si botuese, kam pasur shumë kërkesë ndaj letërsisë  artistike. Shikoja që botoheshin libra me një nivel shumë të ulët  dhe unë thosha më mirë të pres, dhe thosha shpesh: “A ia vlen të botojë?”…

Si e latë botën letrare në Shqipëri, kur u larguat prej saj?

-Ishte një gjendje shumë e vështirë. Ishin vite mjaft të egra pak pas ’90-s. Ne u detyruan që të çonim fëmijët larg për siguri. Kështu që për mua ishte shumë e vështirë që të vazhdoja që të qëndroja në Shqipëri, dhe kështu u detyrova të shkoja pranë fëmijëve, dhe ata ishin në pragun e adoleshencës, dhe unë si nënë u detyrova të rrisë fëmijët, dhe nga ana tjetër të vazhdoja pasionet e mia, qoftë si studiuese, qoftë si përkthyese, apo si kritike letrare.

Në ç’gjendje ishte rrethi letrar zhvillimi i letërsisë, prania e autorëve dhe aktivitet e tyre?

-Për fat të keq, unë punoja në një shtëpi botuese shtetërore, e cila ishte e vetmja para viteve ’90. Ishte një shtëpi botuese e kompletuar, me gjashtë -shtatë redaksi.  Ishte një shtëpi botuese, që për mendimin tim që nga koha e krijimit të saj ishte një dritare që ushqente pak a shumë nga ato nivele që të lejohej, ushqente me dritë gjithë popullin dhe gjithë vendin. Them për fat të keq, sepse shtëpia botuese “Naim Frashëri” ishte shtetërore dhe në vitin 1990 iu pre financimi nga shteti. Mjaft punonjës; korrektorët, piktorët u hoqën nga puna. U bë një shkurtim drastik i të gjitha redaksive, një prishje e shtëpisë botuese. Megjithëse vazhduam të kërkonim sponsorizime gjithandej, ishim të detyruar të mbanin 15 veta me rrogë dhe të vazhdonte aktiviteti i botimit.   

Çfarë pune bënit ju në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”?

-Unë isha nëndrejtoreshë e shtëpisë botuese “Naim Frashëri”. Në fillim erdhi drejtor Visar Zhiti, dhe kur u largova unë lashë drejtor Daut Gumenin. Më vonë ai dha dorëheqjen dhe më vonë shtëpia botuese “Naim Frashëri” u drejtua nga një që nuk ishte as drejtor, Jorgo Bllaci dhe pastaj shkoi drejt shkatërrimit. U shkatërrua biblioteka që ishte nga më të pasurat në Shqipëri...

Çfarë pasurish kishte biblioteka e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri?

 -Biblioteka e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” ishte e pasur me libra nga letërsia botërore, sepse vinin për t’u përkthyer. Ne kishim të drejtë të sillnim në këtë shtëpi ekzemplarë nga librat më të fundit që botoheshin në botë dhe  pavarësisht se botoheshin, ose përktheheshin apo jo, sipas një plani të botimit 5-vjeçar apo 10 vjeçar, siç ishte në atë kohë. Ka pasur komisione e kolegjiume që vendosnin, ku ishin shkrimtarët, ku ishin studiuesit më të mirë të gjuhëve të ndryshme, dhe kritikët më të mirë e shkrimtarët më të mirë të vendit, që përcaktonin këto botime.

Cilët nga shkrimtarët më të njohur mbani mend që punonin aty dhe çfarë mund të kujtosh prej kontributit të tyre?

-Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” ka qenë e pasur me personalitete të ndryshme në vite, që nga fillimet e saj kujtojmë Alqi Kriston,  Drago Siliqin shumë më herët. Kanë qenë pastaj përkthyes të shquar si Petro Zheji, Bujar Doko, Kleo Evangjeli, Sotir Caci, pastaj më vonë Shpëtim Cuçka, Pirro Misha ka qenë, Donika Omari, pastaj Ardian Klosi…..

Pra ishte një “perandori” kombëtare e botimeve të letërsisë shqiptare e të huaj. Si merreshin vesh autorët e huaj nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”?

-Nëpërmjet ambasadave merreshin vesh, por zakonisht autorët e huaj kishin një kënaqësi të madhe të përktheheshin dhe të botoheshin në gjuhën shqipe.

Përmendët humbjen e veprave. Ku shkuan këto, çfarë drejtimi morën, çfarë ndodhi me këtë humbje. Kush mundet t’i ketë dëmtuar apo përvetësuar?

-Patjetër që janë përvetësuar dhe dëmtuar njëkohësisht, sepse derisa ndenja unë në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” dhe pas ikjes së bibliotekares, që ishte përgjegjëse për këtë punë, ne mbanin regjistra të saktë për hyrjen dhe daljen e librave. Kështu që unë e lashtë në një gjendje shumë të mirë bibliotekën.  Më vonë pastaj, unë nuk e di se ku shkuan këta libra, duhen pyetur ata që kanë mbetur pas meje.

Çfarë vlere i ka humbur vendit me shkatërrimin e një shtëpie botuese, ku punonin kryesisht personalitete?

-Është e vërtetë kjo, që ne nuk duhet t’i çojmë gjërat në zero. Ne duhet të ndërtojmë sipër atyre vlerave. Ky ishte një gabim shumë i rëndë që u bë në ato vite, sepse aty u prishën dorëshkrime, qoftë edhe ato dorëshkrime që ishin përkthyer në vite dhe nuk ishin botuar. Ato duhet të mbaheshin dhe të rishikoheshin dhe të ribotoheshin përsëri ose të ribotoheshin të plota, ose dorëshkrimet e shkrimtarëve të mëdhenj që kishin kaluar, që ne i kishim botuar. Duhet të shiheshin vërtetë sesi kishin ardhur dorëshkrimet dhe ishin kthyer pastaj në libra. Unë tani kam edhe eksperiencën nga Italia, ku shoh që ruhet edhe një autograf i një shkrimtari. Ndërsa aty, kanë qenë dorëshkrimet e Ismail Kadaresë, dorëshkrimet e Dritëro Agollit dhe të gjithë kolosëve tanë të letërsisë. Sigurisht mjaft njerëz thonë që ajo ishte një letërsi që nuk vlente. Unë do të thosha që ne nuk duhet t’i hedhin gjërat poshtë, sepse brenda tyre ka pasur edhe mjaft vepra të shkëlqyera.

Cili ka qenë roli i kritikës dhe çfarë funksioni kishte ajo në atë kohë, para viteve ‘90. Sa e rëndësishme ishte, çfarë ka ndryshuar në kritikën letrare pas rënies së komunizmit dhe çfarë roli ka luajtur sot kritika e letërsisë. Cili është niveli i saj?

- Kjo është një pyetje vërtetë shumë komplekse, që kërkon një lloj impenjimi serioz që të vlerësosh dy epoka dhe dy mendime kritike të kohës. Shumë njerëz thonë se ajo kritikë nuk vlente, se ishte vërtetë e politizuar, por midis librave, midis studimeve të bëra në atë kohë, artikujve apo eseve të ndryshme, gjen mjaft studime serioze dhe dihet që kritika letrare mbështetej në politikën e kohës. Dhe nuk kishte studim letrar, ku nuk mund të mos vije një citat nga Enver Hoxha, nga libri i tij “Për Kulturën dhe Artet”, të cilin duhej patjetër ta referoje, ndryshe asgjë nuk mund të botohej, asnjë studim, asnjë artikull i zgjeruar. Unë mund të kujtoj këtu se edhe në librin tim “Individualitetet letrare...”, që është një ndër librat e  parë të një gruaje në fushën e kritikës, kam bërë një studim për individualitetin krijues të shkrimtarit dhe ky ishte një studim i guximshëm, sepse atëherë flitej për shkrimtarin si njeri i popullit, si njeri që del nga masat, si njeri që ka atë frymën e masivizimit, ka një mbështetje në popull. “Shkrimtari te sjellë frymën e punëtorëve e fshatarëve”, sepse ky ishte pak a shumë slogani partiak që na orientohej për shkrimtarin. Por po të shikosh, në të vërtetë, individualiteti krijues i shkrimtarit ka të bëjë me individin, ka të bëjë me shkrimtarin. Dhe unë e filloj këtë studim që në kohët e lashta sesi lindi poeti. Si lindi ky demiurg, ky poet i madh, ky njeri që bënte të tronditeshin dhe të krijoheshin lëvizje nga fjala e tij, duke arritur deri në ditët e sotme; se ç’është individualiteti i shkrimtarit, ç’është talenti ç’është stili. Janë të gjithë këta kapituj që të që të çojnë tek figura kryesore e poetit, e shkrimtarit të talentuar. Nuk ishte thënë deri atëherë se talenti është parësor në figurën e  një shkrimtari dhe një poeti për të ecur përpara...

Kujtoj se përpjekje për të shkruar kishte shumë edhe në atë kohë, por vështirësitë për të ta botuar të krijonin një emocion të madh, nëse krijimtaria jote e kalonte censorin apo redaktorin e saj. Ka ndihmuar kjo shtrëngesë në fakt për vlerat e letërsisë shqipe, pavarësisht kohës kur u shkrua?

-Ju e thatë me të drejtë se ishte emocion si për poetët, si dhe për redaktorët çdo botim. Unë qëndroj tek fakti se më e rëndë ka qenë auto-censura. Ishte vështirë të botohej, sepse në shtëpinë botuese vinte një plan nga lart sesa romane, sa poezi do të botoheshin. Nëse vinin 200 libra me poezi në shtëpinë botuese, ne botonim 15 prej tyre. Unë mund të them se poetët më të mirë e nisnin karrierën e tyre nëpër periodike ose gazeta si “Nëntori” e “Drita” e pastaj pasi kishin krijuar një fizionomi të plotë si krijues ai atëherë paraqitej tek Shtëpia Botuese “Naim  Frashëri”. Atëherë ishin marrë masa dhe kishin çuar libra ën karton edhe për një poezi, për një varg, si për shembull: Odise Grillo vajti në Elbasan. Për një poezi u dënua të punojë në metalurgjik për pesë vjet. U dënua Faslli Haliti, apo puna shkonte në raste të rënda ku  nisën të dënohen autorë deri në pushkatim... !

Keni censuruar si kritike veten, duke mos i thënë vlerat që janë në veprat e autorëve?

-Nuk më rezulton një gjë e tillë, që të kem censuruar vetveten. Kam bërë ç’është e mundur qw të vlerësojë një varg, një strofë, një kapitull.

Përse nuk kishte  gra në fushën e kritikës letrare. Kishte të bënte kjo me formimin apo me kurajën intelektuale për të zhbiruar veprën?

-Unë vetw e nisa duke hedhur mendimet e mia, kur pëlqeja një libër, dhe dalëngadalë duke hartuar recensione i paraqitja në organet e shtypit letrar dhe u pëlqyen. Dhe kështu, dalëngadalë nisi të kultivohet kritika. Kështu kam bërë një shkrim për romanin “Skënderbeu: të Sabri Godos dhe u pëlqye dhe po kështu edhe për një trilogji të Dhurata Bozdos. Ishte delikate të shkruaje për atë roman me tri vëllime, dhe unë e pëlqeva librin dhe shkrova për të. Unw shkruaja për poetët, për poezinë. Unë punoja në redaksinë e poezisë, ku tregoja të metat cilësore, duke shquar kualitetin e tyre. Censura e kualitetit është e domosdoshme dhe do të jetë gjithmonë në letërsi, siç thoshte Xhorxho Gaber, sepse është respekt ndaj lexuesit, ndaj librit, ndaj autorëve. Nëse përkthehen libra të dobët, libra të autorëve, që ne i kemi ëndërruar në kohën tonë, do të mungojnë; autorë si Kamyja, Sartri. Ne u rritëm me vargjet e Uitmanit apo të tjerë të mëdhenj, të cilët shpesh i lexonin edhe fshehurazi.

Ka ndodhur vitet e fundit që autorë të mëdhenj si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu e të tjerë përcillen në publik si vlerë përmes opinioneve dhe jo përmes një kritike të vërtetë. Çfarë duhet të bëhet që vlerat të përcaktohen drejt?

-Të stimulohet kritika. Shtëpitë botuese duhet të kenë kritere dhe jo të botojnë sipas shumës së lekëve që jep autori që boton. Unë nuk doja kurrë të mbyllej Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Duhet një shtëpi botuese shtetërore për vlerat kombëtare, sepse kush do ta botojë Migjenin, Naim Frashërin, Fishtën, etj!

 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë