Ismail Kadare feston sot ditëlindjen, rikthehet në ish-shtëpinë e tij, duke parë fotot e fëmijërisë! Politikanët ‘kartolina’ me urime

TIRANË- Është shkrimtari që bëri Shqipërinë të njohur përmes letërsisë, me librat e tij të përkthyer në mbi 45 gjuhë... Ndonëse pena e tij shkroi fillimisht në vargje, Ismail Kadare është sot kryeprozatori shqiptar, në garë me emrat më të njohur të letërsisë botërorë, me dhjetëra çmime ndërkombëtare, e propozimi ynë i kahershëm për “Nobel”...

Sot dita nis me urime, për  Kadarenë,  në 87-vjetorin e tij të lindjes.

Kryeministri Edi Rama, risjell në rrjetet sociale një mesazh të shkruar dy vite më parë, ku i shpreh mirënjohjen për kontributin në letërsinë e pasurimin e gjuhës shqipe, por edhe për faktin se është bërë urë lidhëse përmes librave të tij, për ta shpënë tek letërsia e të tjerë shkrimtarëve siç është Majakovski.

"Po e le këtë shënim me një falënderim të thjeshtë, pa pretenduar asgjë më shumë se sa shprehjen e mirënjohjes së madhe ndaj Ismailit për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe, duke ma bërë edhe më të madhe dashurinë për këtë gjuhë të hatashme, të cilën ne shqiptarët kemi fatin të flasim e të shkruajmë si gjuhë amtare; për kënaqësinë e jashtëzakonshme të udhëtimeve në botën e ngjarjeve, personazheve, emocioneve që ai ka jetësuar me lehtësinë e një magjistari, nxjerrë në dritë fuqinë e një ekzorcisti dhe magazinuar me saktësinë e një gjirokastriti; për hidhërimet që u ka shkaktuar mediokërve e për buzëplasjen që u ka provokuar xhelozëve me suksesin e tij jehues në dhjetëra gjuhë të kësaj bote, e patjetër edhe për debatin e pambarimtë mes barrikadave, ku janë rreshtuar përballë tash 30 vjet, admiruesit e shkrimtarit dhe gjykatësit e qytetarit a thjesht njeriut Ismail Kadare - ku unë vetë kam mësuar e kuptuar jo pak me kalimin e viteve...”, shkruan kryeministri.

Vlerësimin ndaj shkrimtarit për përçimin e emrit të Shqipërisë jashtë kufijve përmes letërsisë, e ka shprehur edhe ministrja e Kulturës Elva Margariti.

“Edhe 100 vite mjeshtri i letrave shqipe!Për kënaqësinë e leximit; për emocionin e provuar në çdo faqe; për urtësinë e ndarë; për krenarinë në çdo çmim, përkthim e vlerësim kudo në botë, Faleminderit dhe gëzuar!”, shkruan Margariti.

Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, që vetë Kadare e pat propozuar si president të vendit, shpreh urimet e tij, duke thëne ndër të tjera se ‘28 janari është më shumë një ditë e Shqipërisë se sa e Kadaresë, pasi pasuron kalendarin e vendit tone”. Edhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, ka vlerësuar shkrimtarin si njeriun që “ngjiti letërsinë shqipe në Olimpin e letërsisë dhe kulturës botërore, duke krijuar me veprën e tij një Shqipëri evropiane”. 

Urimet për ditëlindje, shkrimtarit Ismail Kadare, Presidenti Bajram Begaj ka zgjedhur që t’ia thotë nga afër shkrimtarit. Begaj e cilëson Kadarenë si “ambasadori më i mirë i kulturës shqiptare, historisë dhe identitetit tonë, shkrimtari dhe intelektuali që e ka rritur dhe nderuar emrin e Shqipërisë në botë”. Ai ka shkuar së bashku me bashkëshorten e tij në banesën e shkrimtarit për ta uruar. 

Të  tjerë shkrimtarë, politikanë e personalitete të tjera të vendit kanë shprehur sot urimet e tyre për datëlindjen e Kadaresë. Shtëpia Studio “Kadare”, mban dyert e hapura për dashamirësit, ndërsa Qendra e Librit dhe Akademia e Shkencave organizojnë në nder të tij një mbrëmje poetike tek “Artet”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:31
Datëlindja e Kadaresë, e bija gjen mënyrën e bukur për të uruar të atin

1674927175_kkladar.JPG

E bija e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare duket se ka gjetur një metodë mjaft të bukur për të uruar të atin e saj, duke u rikthyer në emocionet e para të lëna nga vepra e saj e preferuar shkruar nga ai. Besiana Kadare, me profesion diplomate e shquar, ndau me të gjithë ne poezinë “Të huaj jemi”, me anë të së cilës i këshillon të gjithë t’i rikthehen apo të zbulojnë copëzat e lëna nga një artist i madh siç është edhe Ismail Kadare.

Postimi i Besiana Kadaresë:

Menyra me e mire per te uruar nje shkrimtar eshte te rilexosh/ zbulosh librat e tij. Me rastin e ditelindjes se Kadarese sot, po ndaj me ju nje nga poemat e mija te preferuara, shkruar ne 1964.

Të huaj jemi

Të huaj jemi ne prej kohësh,

Ç'ish për t'u thënë është thënë,

Si gurët që zënë vend në tokë,

Në jetë vend ne kemi zënë.

Drejt njeri-tjetrit kemi mbyllur

Të gjitha rrugët edhe shtigjet,

Si dy qytete mesjetare

Me mure, heshta dhe me pirgje.

Por natën, kur i lodhuri truri,

Portat i mbyll me qetesi,

Ti gjen një shteg dhe futesh brenda,

Një shteg që vetëm ti e di.

Pastaj si në rrugica parqesh,

Shetit mes cirkovolucionesh,

Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,

Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.

Por kur mëngjesi zë afrohet,

Nis shqetësohesh befas ti,

Dhe heshturazi del përjashta

Nga shtegu, që del veç ti.

E dita vjen. Rrjedh prapë jeta.

Dhe ne të dy si dhe më parë

Të ftohtë rrimë e të pamposhtur

Si dy qytete mesjetare.

Ora 14:51
Datëlindja e Kadaresë, Begaj dhe bashkëshortja e tij shkojnë në shtëpinë e autorit të njohur për ta uruar: Ambasadori më i mirë i kulturës shqiptare

Urimet për ditëlindje, shkrimtarit Ismail Kadare, Presidenti Bajram Begaj ka zgjedhur që t’ia thotë nga afër. Begaj e cilëson Kadarenë si “ambasadori më i mirë i kulturës shqiptare, historisë dhe identitetit tonë, shkrimtari dhe intelektuali që e ka rritur dhe nderuar emrin e Shqipërisë në botë”. Ai shkoi së bashku me bashkëshorten e tij në shtëpinë e autorit të mirënjohur për ta uruar. 

“Patëm kënaqësinë që së bashku me Armandën, t’i uronim sot ditëlindjen mjeshtrit të letersisë shqipe, Ismail Kadare. I përkthyer në mbi 45 gjuhë, ai është ambasadori më i mirë i kulturës shqiptare, historisë dhe identitetit tonë, shkrimtari dhe intelektuali që e ka rritur dhe nderuar emrin e Shqipërisë në botë”, shkruan Begaj.

Ora 11:12
Rama uron Ismail Kadaren: Ma bëri edhe më të madhe dashurinë për gjuhën shqipe

1674901417_3260783354880837601460285997228113633209697n.jpg

Kryeministri Edi Rama ka uruar Ismail Kadare, me një shkrim të tijin të publikuar në vitin 2021, në të cilin flet me superlativa për shkrimtarin.

"Duke shkruar për të këtë urim, më erdhi në mend se sa shumë njerëz kanë marrë penën që të bëjnë libra, dizertacione, mastera, doktoratura, referate, artikuj, shkrime, jetëshkrime e shkarrashkrime, me ditirambe, vlerësime e deri edhe ofendime, për librat e tij e për të vetë dhe se sa pak gjasë ka, që vargmalet e letrave të tyre të kenë një fat më të mirë se sa kështjellat e rërës, që kalamajtë ngrenë buzë detit, duke parafytyruar heronjtë e përrallave e të balladave apo bajlozët e gogolët e kërcënimeve të dëgjuara përpara gjumit.

Dhe me këtë mendim po e le këtë shënim (që të njëjtin fat me ato kështjella do të ketë) me një falenderim të thjeshtë, pa pretenduar asgjë më shumë se sa shprehjen e mirënjohjes së madhe ndaj Ismailit për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe, duke ma bërë edhe më të madhe dashurinë për këtë gjuhë të hatashme, të cilën ne shqiptarët kemi fatin të flasim e të shkruajmë si gjuhë amtare; për kënaqësinë e jashtëzakonshme të udhëtimeve në botën e ngjarjeve, personazheve, emocioneve që ai ka jetësuar me lehtësinë e një magjistari, nxjerrë në dritë fuqinë e një ekzorcisti dhe magazinuar me saktësinë e një gjirokastriti; për hidhërimet që u ka shkaktuar mediokërve e për buzëplasjen që u ka provokuar xhelozëve me suksesin e tij jehues në dhjetra gjuhë të kësaj bote, e patjetër edhe për debatin e pambarimtë mes barrikadave, ku janë rreshtuar përballë tash 30 vjet, admiruesit e shkrimtarit dhe gjykatësit e qytetarit a thjesht njeriut Ismail Kadare - ku unë vetë kam mësuar e kuptuar jo pak me kalimin e viteve...

Ah, krejt personale kjo, po edhe për Vladimir Majakovskin, gjeniun vullkanik të poezisë ruse, që po të mos ekzistonte Ismail Kadareja nuk do ta kisha njohur kurrën e kurrës dot, në një prej takimeve më të mahnitshme të jetës sime me letërsinë!

Po ndalem këtu dhe duke uruar sot bashkë me ditëlindjen e tij edhe që gojëdhana se Ismaili nuk shkruan më, të jetë vetëm një lojë e tij e radhës me personazhet e jetës reale, ku ai gjithnjë ka qenë si një i huaj me prejardhje e me pashaportë shqiptare, fjalën e fundit të këtoj urimi ia le Majakovksit të shqipëruar prej Kadaresë:

"Mendimin tuaj,
që ëndërron në trurin e butë,
si lakeu i dhjamur në kanapenë me zdral,
do ta tall me zhelen e përgjakur të zemrës;
gjersa të ngopem, idhnak e brutal.", shkruan kryeministri Edi Rama. 

B.K./G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pallati: 28/01/2023 18:44

    Rrac e keqe kadaret pupu spiuna servila

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Nesër zhvillohet takimi i 4 vjetor i Këshillit Koordinues të Diasporës

Nesër zhvillohet takimi i 4 vjetor i Këshillit Koordinues të Diasporës