Ismail Kadare, shkrimtari i madh
feston sot 77 vjetorin e lindjes 

Ismail Kadare, shkrimtari i madh<br />feston sot 77 vjetorin e lindjes 
TIRANE- Imail Kadare, një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letrave shqipe, disa herë kandidat i çmimit Nobel në letërsi, lindi më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. Ai është autor i disa romaneve të konsideruara si legjendë në letërsinë shqipe si "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", i përkthyer të paktën në tetë gjuhë të botës, "Muzgu i perendive të stepës", "Koncert në fund të dimrit", por edhe i një serie poezish, përmbledhjesh, novelash, esesh, etj.

Kadare është nderuar me titullin e larte "Nderi i Kombit", ndërsa bën pjesë në Akademinë Franceze, ndër 12 anëtarë-shok të huaj të kësaj Akademie dhe Akademinë e Berlinit.

Ai e kaloi fëmijërinë në qytetin e gurtë të Gjirokastrës dhe jeta mitike që ofron ky qytet duket se la gjurmë të thella në gjithë jetën dhe krijimtarinë e tij. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, pastaj në Institutin "Gorki" të Letërsisë Botërore në Moskë. Kadareja ka punuar në gazetën "Drita", e më pas drejtoi revistën "Les letres albanaises".

Është fakt që Kadare ka qenë dhe është protagonist i jetës politike dhe i mendimit të vendit qysh prej viteve '60. Edhe pse në fund të vitit 1990, Kadare u largua së bashku me familjen në Paris, ai mbajti lidhje me Shqipërinë. Ai është një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, ambasador i saj në botë, është shkrimtari që i ktheu mitet legjendare në realitet, shkrimtari që bëri histori prej prehistorisë; pa rënë në kundërthënie me vetveten dhe gjykimin modern, ai arsyetoi estetikisht në mënyrë të përkorë dhe për kohën absolute.

Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale.

Vepra e Ismail Kadaresë është përkthyer në 40 gjuhë të huaja, duke arritur kështu një rekord të përhapjes në tërë botën e qytetëruar. Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë, i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975).
E veçanta e Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t'i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani "Dimri i madh" (1977).
Por edhe poezia e Ismail Kadaresë është një prej zhvillimeve më novatore në vjershërimin shqip gjatë një gjysmë shekulli. Ajo shprehu vendosmërinë e shkrimtarëve të brezit të viteve '60 për të realizuar qëllime estetike të ndryshme prej paraardhësve.
"Frymëzime djaloshare" (1954), "Ëndërrimet" (1957), "Endërr industriale" (1960), "Shekulli im" (1961), "Poemë e blinduar" (1962), "Përse mendohen këto male" (1964), "Shqiponjat fluturojnë lart" (1966), "Motive me diell" (1968), "Koha" (1976), "Shqipëria dhe tri Romat", përbëjnë titujt kryesorë të veprës poetike të Kadaresë.
Qëndresa hyn në poezinë e Kadaresë qysh prej kohërave antike, deri në periudhat më të afërta të historisë. Veçmas ajo lidhet me "motin e madh", të epokës së Gjergj Kastriotit; por Kadare hyjnizoi një periudhë më të hershme se kjo, që ishte mitizuar më herët prej Rilindjes Kombëtare: periudhën e humanizmit evropian (siç mendon shkenca e historisë, kjo periudhë e gjeti Shqipërinë në të njëjtën shkallë zhvillimi me anën tjetër të Adriatikut), e cila pati shprehjen e saj dhe në njeriun dhe qytetërimin shqiptar.

Përgjithësisht vepra e Kadaresë është e sunduar prej mitit të së shkuarës, evokimit të lavdisë së dikurshme. Kadare synon ta çlirojë njeriun shqiptar prej akuzash që e kanë ndjekur ndër shekuj, duke përfshirë akuzën si popull i lindur me instinktin e luftës dhe të mercenarizmit, binjak me armën dhe peng i saj.
Ismail Kadare në vitin 2005 ka fituar çmimin "The Booker Prize Man", është dekoruar nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Në vitin 2009 u nderua me Çmimin e madh spanjoll "Princi i Asturias për Letërsi".

Vepra të Kadaresë


Frymëzime djaloshare - 1954
Shekulli im - 1961
Gjenerali i ushtrisë së vdekur - roman- 1963
Përse mendohen këto male - 1964
Dasma - 1968
Motive me diell - 1968
Kështjella - roman - 1970
Kronikë në gur - roman - 1971
Koha 1976
Dimri i madh - roman - 1977
Ura me tri harqe - 1978
Prilli i thyer - 1980
Gjakftohtësia - përmbledhje novelash - 1980
Koha e shkrimeve - 1986
Koncert në fund të dimrit - 1988
Vepra Letrare - 1981-1989
Dosja H - 1990
Piramida - 1992
Shqipëri - 1995
Pallati i ëndrrave - 1996
Dialog me Alain Bosquet - 1996
Spiritus - roman- 1996
Kushëriri i engjëjve - ese- 1997
Poezi - 1997
Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë - ese- 1998
Tri këngë zie për Kosovën - triptik - 1998
Ikja e shtërgut - tregim - 1999
Qorrfermani - roman - 1999
Vjedhja e gjumit mbretëror - tregime - 1999
Ra ky mort e u pamë - ditar për Kosovën, artikuj, letra - 2000
Kohë barbare (Nga Shqipëria në Kosovë) - biseda - 2000
Breznitë e Hankonatëve - 2000
Bisedë përmes hekurash - 2000
Elegji për Kosovën - 2000
Lulet e ftohta të marsit - roman - 2000
Unaza në kthetra - 2001
Eskili, ky humbës i madh - 2001 (ribotim)
Qyteti pa reklama - roman - 2001
Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut - roman - 2002
Pasardhësi - roman - 2004
Identiteti evropian i shqiptarëve - 2006
Hamleti, princi i vështirë - Sprovë – 2006
Mosmarrëveshja- 2010
Çlirimi i Serbisë prej Kosovës - 2012.


Redaksia online
(atsh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Ndryshimet në qeveri, Meta: Nga frika e ‘dëshmisë’ së Ahmetajt, Rama zëvendësoi 3 kukulla politike me 3 të tjera anonime

Ndryshimet në qeveri, Meta: Nga frika e ‘dëshmisë’ së Ahmetajt, Rama zëvendësoi 3 kukulla politike me 3 të tjera anonime