ITALI -  Tre të rinj shqiptarë janë arrestuar mbrëmjen e djeshme në Itali, pasi akuzohen për vjedhje. 

Sipas mediave italiane, shqiptarët që udhëtonin me një  'Audi A6' u ndoqën për disa kilometra nga policia dhe u zunë në 'kurth', në urën që lidh fshatin San Giovanni me qendrën e Meduna-s, 4 km nga kufiri me Friulin perëndimor.

Për t'i shpëtuar karabinierëve, shqiptarët dolën nga makina dhe u hodhën nga ura në lumë.

"Audi A6 e errët, e vjedhur në Pordenone, ishte rrethuar nga patrullat e policisë mbi urë. Një makinë i kishte zënë rrugën në një anë të urës, ndërsa të tjera në anën tjetër. E gjithë ngjarja u zhvillua në një kohë kur trafiku ishte i rënduar dhe shoferë të shumë filmonin ngjarjen me celular. Shqiptarët, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, braktisën makinën dhe u hodhën nga ura në lumë për t’u shpëtuar policisë."- shkruan "Il Mesaggiero".

Dy nga shqiptarët nuk kanë notuar gjatë, pasi u pikasën nga policia dhe u prangosën sapo dolën në breg. Ndërkohë, shqiptari i tretë ishte fshehur në pyllin anës lumit, por pas disa minutash edhe ai u arrestua.

Tre shqiptarët akuzohen për disa vjedhje, dhe përdornin 'Audin A6', për t’u larguar nga vendngjarjet.
 (er.nu/shqiptarja.com)