ITALI - Një 32-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim për trafik armësh, i konsideruar i rrezikshëm nga ana e hetuesve është vënë nën prangat e policisë italiane në Fabro, i dënuar për trafik armësh.
 
Mediat italiane bëjnë të ditur se 32-vjeçari shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, është në burgun e Orvietos, në pritje për t’u ekstraduar në Shqipëri ku do të duhet të vuajë dënimin me 12 vjet heqje lirie.

32-vjeçari akuzohet për posedim dhe trafik ndërkombëtar të armëve me qëllim transportimin drejt shtetit fqinj, Italisë.

Policia italiane ishte vënë në gjurmët e tij pothuaj një vit më parë, por është vënë nën pranga të shtunën e javës së kaluar dhe është bërë publik vetëm sot, për arsye hetimore.

Sipas hetimeve, shqiptari kishte një rol kryesor në dorëzimin e armëve, në portin e Ankonas. Mendohet se dhjetëra pistoleta dhe mijëra plumba të kalibrave të ndryshëm që ai ia dorëzonte një bashkëatdhetari tjetër shqiptar.
 
Në momentin e arrestimit, 32-vjeçari shqiptar mësohet të ketë thënë se nuk ishte aspak në dijeni që policia kishte lëshuar një urdhër-arresti për të.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)