Itali, Dritëro Agolli nderohet me
çmimin letrar, ja mesazhi i tij

Itali, Dritëro Agolli nderohet me<br />çmimin letrar, ja mesazhi i tij
ITALI - Shkrimtari i madh shqiptar Dritero Agolli është nderuar në Itali me Çmimin Kombëtar për Letërsinë “Carlo Levi”.
 
Në 5 tetor, në të 16-tin vit të dhënies së këtij çmimi,  fitues u shpallën:  shqiptari Dritero Agolli; italianët Guido Conti dhe Enzo Vinicio Alliegro si dhe francezi Andre Vauchez.
 
Ceremonia u organizua në Auditoriumin e Komunës në Aliano në Itali,  në praninë e kryebashkiakut të Alianos Luigi De Lorenzo, Presidentit të Parkut Letrar “Carlo Levi” Antonio Colaiacovo, Presidentit të Këshillit Krahinor të Bazilikatës, Vincenzo Santochirico, Presidentit të Rrethit Kulturor “Nicola Panevino”, Pietro Dilenge si dhe shkrimtarit Raffaele Nigro.
 
MOTIVACIONI I DHENIES SE ÇMIMIT

Çmimi që iu dha Agollit kishte këtë motivacion:

“Dritero  Agollit,  poet, gazetar dhe shkrimtar, ngushtësisht i lidhur me traditën dhe rrënjët e tij nga vendlindja, duke venë gjithnjë në pah me krenari origjinën e tij. Vargjet e tij i japin jetë një thirrjeje prekëse, në të cilën të gjithë elementet e jetës gërshetohen e shkrihen tek njëri tjetri për të ravijëzuar një identitet i cili është femijëri, punë, dhimbje, beteja, dashuri, përhumbje dhe shpëtim.
 
Në romanet e tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe “Njeriu me Top”, me kurajo të admirueshme, Agolli i jep jetë kritikës sarkastike ndaj burokracisë tek i pari, dhe përkujtimit epik dhe ironik të heroizmit partizan në luftën kundër nazifashizmit tek i dyti.
 
Dritëro Agolli, edhe pse në rolin e tij për njëzet vjet President i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe më pas anëtar i Parlamentit, gëzon një famë të tejskajshme në vendin e tij, që e ka dashur dhe e do me mjaft dhembshuri”.

dritero agolliMESAZHI I AGOLLIT, DREJTUAR ORGANIZATOREVE

Në përshëndetjen e Dritero Agollit, që për pak ditë mbush 82-vjeç dhe përfaqësohej nga e bija Elona,thuhej :

“Të nderuar miq, unë sot duhet të isha atje mes jush, por jam një kalë që i kanë dalë brinjët dhe i kanë rënë patkonjtë nga udhëtimi i gjatë, megjithatë, këtij kali patkonjtë e trurit ende i mbajnë.
 
Por,  të mos bëhem i mërzitshëm si personazh parlamenti, falenderoj Jurine e Edicionit të XVI të Çmimit Kombëtar për Letërsinë “Carlo Levi” dhe veçanërisht Rafaele Nigron, mikun e mirë dhe shkrimtarin e shquar, vepra e të cilit tanimë është njohur dhe pritur në Shqipëri me dashuri dhe vlerësim nga lexuesit e shumte dhe kritika letrare.
 
Unë ndiej një kënaqësi të madhe të marr një çmim me emrin e Carlo Levit, piktorit, publicistit dhe shkrimtarit të shquar, luftëtarit Antifashist dhe ëndërrimtarit për një botë të re pa varfëri, padrejtësi shoqërore dhe pa luftra.
 
Sikur të ndodhte një mrekulli që Carlo Levi të më shtrëngonte dorën, vetëm kjo gjë do të ishte çmimi më i madh që do të merrja ndonjëherë. Letërsia shqiptare që në fillimet e saj është ushqyer nga letërsia, arti dhe kultura italiane, sepse jemi fqinj dhe, siç thonë, na ndan vetëm një mur uji dhe mbi këtë mur uji siç fluturojnë pulëbardhat në brigjet tona, ashtu fluturon poezia, proza, muzika dhe të gjitha artet e tjera. Edhe njëhere, nëpërmjet kësaj përshëndetjeje të lexuar e të përcjellë nga vajza ime Elona, ju falenderoj për nderin dhe emocionet që më dhatë me Çmimin “Carlo Levi”. Pleqtë dhe fëmijët u gëzohen çmimeve,” – përfundon mesazhi i shkrimtarit.
 
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksidentohet djali i Brad Pitt dhe Angelina Jolie, pëson dëmtime në kokë

Aksidentohet djali i Brad Pitt dhe Angelina Jolie, pëson dëmtime në kokë