ROMË, 16 dhjetor /ATSH-ANSA/ - Lideri i Lëvizjes Pesë Yjet, Beppe Grillo sulmon edhe papa Françeskun.
Komediani karizmatik i shndërruar në politikan e sulmon Atin e Shenjtë për shkak se ky i fundit nuk pranoi të takohej me liderin fetar budist, Dalai Lama.
"Dalai Lama ishte këto ditë në Romë për samitin XIV të nobelistëve të Paqes, i parashikuar për t'u zhvilluar në Afrikën e Jugut, përpara se ajo të refuzonte vizën për Dalai Lamën për të mos irrituar Kinën", shkruan Grillo.
"Tibetianët bënë një përpjekje për të takuar papën, i cili i refuzoi. Një sjellje politike dhe jo evangjeliste", shton ai.
Siç shihet, Grillo i ndryshon shpesh qëndrimet e tij, pasi më parë ai i është referuar papa Françeskut duke nënvizuar se lëvizja e tij kishte lindur pikërisht ditën e Shën Françeskut.
"Ky papë i ka pritur të gjithë, të gjithë, duke filluar nga Balotelli me të cilin ka patur edhe një bisedë private", shkruan komiku italian./ a.jor.











