ITALI- Karabinierët në Raguza të Italisë arrestuan një shqiptar sepse kishte emrin e një të kërkuari për drogë nga drejtësia gjermane, por edhe sepse ngjante me foton e tij.
 
Ngjarja ka ndodhur natën e kaluar, kur karabinierët ndaluan një makinë me targa gjermane, me dy vëllezër shqiptarë që jetojnë në Ispica.
 
Një nga ata të dy nuk kishte dokument identifikimi, ndërsa tjetri kishte shumë.
 
Kështu, nga kontrolli që iu bë 32-vjeçarit shqiptar rezultoi se kishte emrin e një të kërkuari për trafik droge në Gjermani, si dhe ngjante tepër me personin që shfaqej me rreth të kuq te Interpol Berlini.
 
Por pas verifikimit të shenjave të gishtave, si dhe krahasimit të të dhënave rezultoi se bëhej fjalë për personin e gabuar, ndaj shqiptari u la i lirë.
 
Teksa dilte nga ambientet e policisë, ai ishte shprehur se nuk u vinte faj policëve italianë, pasi ky problem i ishte përsëritur disa herë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)