Futbollisti i Cremoneses, Jamie Vardy, ka pësuar një grabitje në shtëpinë e tij në Itali, ndërsa ishte në fushë duke luajtur ndeshjen kundër Romës. Sulmuesi dhe familja e tij nuk ndodheshin në banesë në momentin e ngjarjes. Të paktën tre hajdutë kanë shfrytëzuar mungesën e tyre për të hyrë në shtëpi.

Autorët kanë thyer një dritare dhe kanë marrë sende me vlerë të konsiderueshme, duke përfshirë ora luksoze, bizhuteri dhe para. Vlera totale e dëmit të shkaktuar është rreth 100 mijë euro, bën me dije 'Daily Mail'.

Karabinierët po kryejnë hetime intensive për të zbuluar identitetin e grabitësve dhe mënyrën se si ata organizuan veprimin, ndërsa dyshohet se kanë ndjekur lëvizjet e Vardyt dhe familjes së tij përpara ngjarjes.

Grabitja ka tronditur jo vetëm futbollistin, por edhe komunitetin lokal, ndërsa hetimet vazhdojnë. Ish-sulmuesi i Anglisë u transferua te skuadra italiane Cremonese gjatë verës dhe ka një vilë në liqenin piktoresk 'Garda' në Alpet italiane.