BARI - Nga Shqipëria drejt vendeve fqinjë nuk mbetet gjë pa trafikuar, jo vetëm drogë, arme, femra, fëmijë, por dhe breshka. Rasti i paprecedentë është zbuluar sot në mëngjes në qytetin e Barit.

Mediat italiane raportojnë së Policia pyjore e Barit gjatë një operacioni të përbashkët me doganat në këtë qytet bënë të mundur sekuestrimin e një sasie prej 88 breshkash të një lloji të veçantë , specie në zhdukje.

Bëhet fjalë për breshka të llojit Testudo të shpallura specie në zhdukje. Të gjitha breshkat ishin fshehur brenda një automjeti të ngarkuar me lëndë drusore.

E gjithë sasia e breshkave të sekuestruara kanë vlerë 9 mijë euro dhe do përdoreshin si mostra ekzotike. Shoferi i automjetit një shtetas italian është paditur në gjykatë për veprën e importimit dhe posedimit të paligjshëm të mostrave që mbrohen me legjislacion të veçantë nga Konventa e Uashingtonit mbi Tregtinë ndërkombëtare të specieve të Faunës dhe Florës të kërcënuara nga zhdukja.

Breshka Testudo e sekuestruar në Itali i përket një lloji të rrallë, me ngjyrë jeshile në të errët drejt se verdhës në kurrizin e harkuar të saj. Kjo lloj breshke është shpallur specie në zhdukje. Breshka Testudo gjendet kryesisht në Europën Jugore si në Spanje. Korsikë, Sardenjë, Sicili në Shqipëri, Maqedoni, Kroaci dhe Greqi.

(ns/shqiptarja.com)