ROME - Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ishte në Itali me ftesë të Qendrës për Studimet e Larta për Mbrojtjen ku mbajti nje leksion me temë, ”Situata e Sigurisë në Evropë dhe sfidat e kërcënimet e saj”.

Në fjalën e saj Ministrja Kodheli u ndal kishin në çështje që kanë të bëjnë me sfidat e reja të sigurisë në kufijtë lindor dhe jugor të aleancës, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, zgjerimi i aleancës si përgjigje ndaj kërcënimeve dhe roli i Ballkanit në sigurinë Evropiane dhe më gjerë, etj.

Sipas Ministres Kodheli çështja e luftëtarëve të huaj që vijnë nga Ballkani Perëndimor për të shkuar në Lindjen e Mesme për tu bërë pjesë e organizatave terroriste është një problem mjaft shqetësues.

Por nga ana tjetër, Kodheli theksoi ndihmën e vazhdueshme të Shqipërisë si një vend anëtare e NATO-s në luftën ndaj terrorizmit si dhe kërkesën për bashkëpunim të vazhdueshëm me vendet e rajonit dhe ato të zhvilluara të Evropës për të parandaluar këtë fenomen.  

Për Ministren e Mbrojtjes shqiptare një nga mënyrat për ta luftuar terrorizmin është edhe integrimi i Ballkanit Perëndimor në familjen e madhe evropiane.

“Xhihadistët kërkojnë terren të përshtatshëm në Evropë. Sulmet terroriste të disa javëve më parë në France dhe Danimarkë, dhe parandalimi i akteve të mundshme terroriste në Belgjike e gjetkë, janë këmbana alarmi për rrezikun që i kanoset sot qytetërimit modern nga forcat e errësirës. Ne i luftojmë ata në mënyrën tonë, por numri i njerëzve që marrin pjesë nga Ballkani Perëndimor, në rajonet e konflikteve, po rritet në mënyrë shqetësuese. Edhe një herë, eshtë e dukshme që ne po përpiqemi të ngushtojmë hapsirat në zonat përreth nesh, të përmendura më lart. Duke marrë parasysh gravitetin e ambientit të sigurisë në ditët e sotme, ne duhet të lëvizim më shpejt. Unë besoj në mënyrë të palëkundur që duke integruar këtë zonë gri të Evropës në komunitetin Euroatlantik ne do ta bëjmë Aleancën tonë një grup më të mirë vendesh me vlera të përbashkëta, për mbrojtjen kolektive.” është shprehur Kodheli Fjala e plotë e Ministres Mimi Kodheli në Itali

mimi kodheli

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)