ROME - Kryeministri i ri italian Matteo Renzi do të ketë në dispozicion 36 orë, për ti treguar presidentit të vendit, Giorgio Napolitano, nëse është në gjendje të krijojë qeverinë e re.
 
Brenda ditë së mërkurë të kësaj jave, Renzi do të takohet me të gjithë përfaqësuesit e partive. Gjithashtu, një nga objektivat e tij, është të marrë votëbesimin nga Senati dhe brenda kësaj jave të nisë programin e tij, që siç është deklaruar nga vetë Renzi ditën e hënë pas marrjes së detyrës, do të jetë zbatimi i një reforme në muaj.
 
Dita e sotme për Matteo Renzin do të jetë një ditë e ngarkuar me konsultime me disa parti të vogla, takime që do të nisin në orën 10 për të vijuar deri në orën 19. Dy takime të rëndësishme, për konsultime me Partinë Forza Italia dhe qendrën e majtë italiane, Partinë Demokratike, janë parashikuar të zhvillohen gjatë ditës së mërkurë.
 
Matteo Renzi, ditën e hënë mori detyrën e re të kryeministrit të vendit, nga Presidenti i Italisë Giorgio Napolitano, për krijimin e një qeverie të re.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)