ITALI - “Gjëja më e bukur e Shqipërisë janë shqiptarët”- me këtë frazë nis dhe artikulli online i gazetës prestigjioze “La Repubblica”. Kjo media e mirënjohur italiane ka publikuar ditën e sotme një artikull me nota turistike dhe gati mallëngjyese mbi Shqipërinë, si destinacion i një udhëtimi plot sharm ku listohen bukuritë e qyteteve kryesore, zonave arkeologjike, plazheve gati të virgjër të jugut dhe mbi të gjitha të kulturës sonë mikpritëse.

Titulli i këtij artikulli të La Republikës e etiketon Shqipërinë si një “melting pot” (poçe për shkrirje) në miniaturë, jo pa qëllim. Në fakt, siç dhe shkruhet në artikull, vendi ynë konsiderohet e njihet tashmë dhe jashtë kufijve si një përzierje jo vetëm i problematikave sociale-ekonomike por edhe i përkurseve historike në rajon, i kulturave dhe stileve të jetesës në një gërshetim unik të lindjes me perëndimin.

Këshilla e parë që kjo gazetë jep është: “Nëse vërtet doni të njihni vendin e shqiponjave, përzihuni mes tyre”. Bukuria e kësaj fraze tjetër lidhet me theksin që i është vënë mikpritjes së vendit tonë, mbi të gjitha të njerëzve “të thjesht” që mund të hasen rëndom gjatë vizitës dhe aftësive të shqiptarëve për të komunikuar mirë, dhe në gjuhën italiane. Jo vetëm, në këtë artikull thuhet se për të njohur Shqipërinë, zgjedhja më e mirë janë guidat e improvizuara me njerëz që njohin truket dhe identitetin e vërtet të zonave që mund të vizitohen.

Mënyra më e mirë e udhëtimit për të njohur të gjitha nuancat e vendit tonë, sipas La Republikës, janë furgonat dhe autobuzat. Një mënyrë udhëtimi “on the road” (në rrugë) që edhe pse nuk është i institucionalizuar me orare dhe stacione, mbetet efektiv dhe origjinal.

Në artikull gjithashtu i është bërë një recension i shkurtër qyteteve kryesore e më karakteristike të Shqipërisë si Tirana, Shkodra, Kruja, Berati dhe Gjirokastra. Gjithashtu flitet për Butrintin si zonë arkeologjike me rëndësi të veçantë dhe për plazhet më të frekuentuara të jugut të Shqipërisë. Këto përshkrime janë disi të shkurtër por duket se janë shkruar nga dikush që vërtet ka vlerësuar kuzhinën tonë, mikpritjen, monumentet, kuriozitetet dhe në mënyrë tepër simpatike dhe paradokset.

Nuk mund të lihet pa përmendur dhe syri kritik mbi vendin tonë nga ana e kësaj gazete prestigjoze online, për atë masakër ekologjike që është bërë në bregdetin tonë dhe për menaxhimin e disa monumenteve me një informalitet të tepruar. Por gjithmonë këto të fundit përmenden në sferën dhe me gjuhën e kuriozitetit, duke e paraqitur me shumë ndjeshmëri e inteligjencë Shqipërinë, si një destinacion romantik dhe në problematikat e saj.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)