ROME - Ndahet nga jeta politikani më jetëgjatë i Italisë. Mjafton të përmendet se ai ka qëndruar në skenën politike më gjatë se mbretëresha Elisabetë e Britanisë. Kanë qenë familjarët e senatorit të përjetshëm që kanë konfirmuar lajmin për mediar. Kishte mbushur 94 vjec në 14 janar.

Ai ishte shtruar në spital në 3 maj pas problemeve me frymëmarrjen. I rikthyer në banesë gjendja e tij shëndetësore ishte përmirësuar por nuk ishte rimëkëmbur plotësisht. Sekretarja historike e Andreotit, që ka punuar pranë tij që nga viti 1989 ka bërë të ditur se nuk do të ketë një funeral shtetëror por ceremoni funebre do të zhvillohet në një kishë të vogël, ku do të jenë të pranishëm familjarë dhe miq.

Ai ka qenë shtatë herë kryeministër dhe ministër aq herë sa nuk mbahet mend. Një prej figurave më të spikatura të Partisë Demokristiane, Andreotti pati filluar aktivitetin e tij në moshën 28-vjeçare, si nënsekretar në Kryeministri, ku merrej më kulturën dhe spektaklin. I lidhur ngushtë me ambientet e Vatikanit, ai ishte njohës i madh i mekanizmave të pushtetit politik. Një prej thënieve të tij të preferuar ishte: "Pushteti konsumon ata që nuk e kanë". E kështu do të kujtohet, si një prej figurave më të pushtetshme dhe kontradiktore të historise italiane.

KARRIERA

Ishte viti 1972 kur ai u bë për herë të parë kryeministër i një qeverie që do të mbahet mend për jetëshkurtësinë: nga dhënia e votëbesimit e deri tek dorëheqja zgjati vetëm nëntë ditë. Por më pas ai do të zërë më gjatë këtë post për shumë herë, duke mbetur në plan të parë në jetën politike. Andreotti është vlerësuar nga të gjithë si një ndër politikanët italianë më të njohur të periudhës së pasluftës, shkrimtar dhe gazetar, eksponent i partisë Demokracia Kristiane (DC).

Andreotti ka qenë në qendër të skenës politike italiane për të gjithë pjesën e dytë të shekullit XX. Ka pasur shumë herë detyra të ndryshme politike: ka qenë shtatë herë kryeministër i vendit, tetë herë ministër i Mbrojtjes, pesë herë ministër i Punëve të Jashtme, dy herë ministër i Financave, ministër i Bilancit dhe ministër i Industrisë, një herë ministër i Thesarit dhe ministër i Brendshëm.

Ka qenë gjithmonë i pranishëm në Parlamentin italian nga viti 1946 dhe senator i përjetshëm që prej vitit 1991. Në fund të viteve ’90, ka kryer një proces për bashkëpunim me mafien. Ai pati një seancë gjyqësore në Gjykatën e Shkallës së Parë në vitin 1999, ndërsa Gjykata e Apelit të Palermos në vitin 2003, konfirmoi pafajësinë vetëm për ngjarjet e pas-pranverës së vitit 1980, duke kujtuar se para asaj kohe, Andreotti kishte shfaqur një “bashkëpunim serioz, konkret dhe në vazhdimësi” me personazhe që kishin lidhje me mafien.

Në vitin 2004, Gjykata e Kasacionit ka konfirmuar drejtpërsëdrejti sentencën e Gjykatës së Apelit. Giulio Andreotti është mbiquajtur në rrethin e gazetarëve “Divo Giulio” (Xhulio hyjnor), duke marrë spunto nga Jul Qesari, për të vënë në dukje “shenjtërimin e tij” në fushën e historisë së politikës së Italisë.
Armiqtë e kanë konsideruar gjithnjë si mbajtës i një pushteti gjysmë të errët, gjë që nuk e ka penguar Andreottin të kalojë i paprekur dekada të tëra. Të shumepërfolura marrëdhëniet e tij me mafien, lidhje që nuk u vërtetuan as nga gjyqi i zgjatur, që rrezikonte ta njolloste përjetë.

Lajmi u publikua për herë të parë në orën 13:30 të së hënës (06.05.2013) dhe u përditësua në orën 08:26 të së martës (07.05.2013)
(lç/sg/shqiptarja.com)