ITALI - Ka ndërruar jetë në një spital të Italisë, Artan Meta 45-vjeçari shqiptar, i cili 4 ditë më parë u dhunua nga një student italian në ambientet e një lokali ku ai punonte si barist në Villasor të Italisë.

Pas 4 ditëve në koma, 45-vjeçari nuk ka mundur t’ia dalë dhe ka humbur jetën pas sulmit me shkelma dhe grushte nga 18-vjeçari italian Nikolas Melis.

Artan Meta ndërroi jetë rreth orës 16:00 në spitalin “Brotzu” , ku u shtrua në gjendje shumë kritike. Mjekët e kishin operuar për të ulur hematomën në kafkën e tij, por gjendja e tij shëndetësore, sipas bluzave të bardha ishte dëshpëruese, derisa sot, lajmi i vdekjes së tij ka tronditur të gjithë vendin.

Artan Meta, baristi në “Mondial” bar, ishte i njohur dhe i pëlqyer pothuajse nga të gjithë banorët në Villasor, shkruajnë mediat italiane. Të enjten ai i ishte afruar 18-vjeçarit duke e qortuar pasi ky i fundit kishte qëlluar makinetën shitëse të cigareve, pasi nuk i kishte kthyer kusurin. Por i riu italian reagoi egërsisht ndaj 45-vjeçarit shqiptar duke e qëlluar me shkelma e grushte, e për t’u mburrur më tej edhe në Facebook për sulmin e kryer. Studenti italian fillimisht u akuzua nga policia për lëndime të rënda, por tani pritet të përballet me një dënim më të rëndë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)