ROMË, 17 shtator /ATSH-AFP/ - Evropa ka lindur që të rrëzojë muret dhe jo që t'i ndërtojë dhe të gjitha vendet e BE-së duhet të përballen së bashku me problemin e imigrimit, deklaroi sot kryeministri italian, Matteo Renzi.
"Evropa në tërësinë e saj duhet të përballet me çështjen e imigrimit, duke filluar nga pikat hyrëse deri tek dhënia e shtetësisë. Evropa ka lindur për të rrëzuar muret, jo për t'i ndërtuar ato", tha Renzi për median në përfundim të një takimi me homologun e tij luksemburgas, Xavier Bettel, i cili ushtron të drejtën e presidencës së radhës së BE-së.
"Kjo shkruhet në Kartën Evropian se detyra jonë është të rrëzojmë muret", insistoi ai në një aludim për muret që ka ndërtuar Hungaria në kufirin e saj me Serbinë dhe Rumaninë për të ndaluar hyrjen e imigrantëve në territorin e saj.
Për sa i përket pikave hyrëse për në BE dhe krijimit të qendrave të pritjes, për regjistrimin dhe klasifikimin e imigrantëve, që do të ndërtohen kryesisht për të identifikuar personat që mund të përfitojnë azil në Evropë, Renzi u shpreh se "këto të fundit përfaqësojnë një nga elementët për zgjidhjen, por jo zgjidhjen".
Ngritja dhe aktivizimi i qendrave të pritjes, ide e mbrojtur nga Franca, do të jetë një nga çështjet që do të diskutohet sot në mbrëmje mes Renzit dhe presidentit francez, François Hollande, gjatë një darke në Modena./
/G.S/