ITALI- Në Xhenova të Italisë, është arrestuar një 60-vjeçar shqiptar, i akuzuar se kur ishte 45 vjeç, dërgoi në Itali një vajzë nga Shqipëria, vetëm 16 vjeç, të cilën e kishte përdhunuar dhe e përdori si prostitutë. Burime pranë Ministrisë së Brendshme thanë për “Shqiptarja.com” se referuar oficerëve të kontaktit në Romë, është njoftuar se Gani Cakoni, 60 vjeç, u kap në bashkëpunim me stafin e Policisë Detare Kufitare të Barit.
 
I arratisuri shqiptar i akuzuar për krime të rënda të kryera në Xhenova si sulme të provokuara seksuale dhe shfrytëzim prostitucioni të të miturve. Në fakt, në vitin 1999, rreth 15 vjet më parë, Policia në Xhenova kishte arrestuar shqiptarin Gani Cakoni, 45 vjeç në atë kohë, sepse ai e kishte sjellë me vete në Itali nga Shqipëria një vajzë 16 vjeç dhe pasi e përdhunoi, e detyroi për prostitucion në rrugët e Xhenovas.
 
Hetuesit, të cilët kurrë nuk kanë ndalur hetimet, kanë zbuluar se Cakoni zbarkoi sot në portin e Barit, me një anije që vinte nga Vlora, ndërsa pas verifikimeve rezultoi se kundër tij ishte lëshuar një urdhër-arresti nga Gjykata në Xhenova.
 
Në fakt Cakoni, pasi kishte vuajtur 6 muaj në paraburgim, ishte dënuar me 12 vjet burg dhe i kishte shpëtuar gjyqit, pasi gjatë procesit ai u arratis dhe u strehua në Shqipëri.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)