Itali/ Shkatërrohet klani i shpërndarjes së drogës në Pulia, vinte me anije peshkimi nga Shqipëria! Xhironte 3.5 mln euro në vit (VIDEO+FOTO)

Pulja- Një superoperacion i Antimafias italiane në rajonin e Barit, çoi në goditjen e një klani mafioz të trafikut dhe shpërndarjes së drogës në Pulia dhe rajonet përreth.

Dje në një konferencë për median hetuesit zbuluan se droga e cilësuar si “shumë e pastër”, mbërriti në Itali nëpërmjet anijeve të peshkimit, që niseshin nga Shqipëria, shkruan agjencia italiane e lajmeve ANSA.

Nga 27 persona të dyshuar si të përfshirë në këtë klan, 12 u arrestuan, me akuza të rënda në lidhje me promovimin dhe mbështetjen e klanit të dedikuar për shitjen e kokainës, ndërsa 15 të tjerë do të hetohen në gjëndje të lirë. Ata akuzohen dhe për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës në zonën e Foggia dhe provincën e saj, në Bat, në Molise të Poshtme dhe në Abruzzo.

Operacioni i Drejtorisë së hetimit të Antimafias italiane që u ndërmor në orët e para të mëngjesit të 23 shtatorit 2024, përfundoi me 11 persona në pranga, pasi ndaj tyre ishte firmosur masa e arrestit me burg, ndërsa për 1 person u ekzekutua masa 'arrest shtëpie'.

“Hetimet - sipas gjetjeve të DIA - bënë të mundur dokumentimin dhe mbledhjen e provave, sipas të cilave midis korrikut 2020 dhe nëntorit 2021, organizata shpërndau mbi 20 kilogramë kokainë të pastër, ekuivalente me mbi 83,000 doza në tregun e paligjshëm dhe me një fitim rreth 6.6 milionë euro”, shkruan “La Gazzetta Del Mezzogiorno”.

Gjatë hetimeve, të dyshuarve iu sekuestruan mbi 10 kg lëndë narkotike, ekuivalente me rreth 45,000 doza, e karakterizuar nga një shkallë pastërtie shumë e lartë, mesatarja e së cilës, pas analizave laboratorike, rezultoi midis 42,59% dhe '87,04%. Gjithashtu dhe dy bomba të bëra vetë, me potencial sulmues vdekjeprurës, thekson  “La Gazzetta Del Mezzogiorno”.

Organizata kishte të paktën 3.5 milionë euro qarkullim në vit.  Operacioni i arrestimeve vijon, ndërsa paralelisht janë kryer dhe sekuestrime të pasurive të të dyshuarve, përfshi edhe kompani investimi apo llogari rrjedhëse mbi mbi 600 mijë euro cash.

Droga në itali me anije peshkimi nga Shqipëria
Hetimet zbuluan se droga e cilësuar 'shumë e pastër' mbërrinte në Itali me anije peshkimi nga Shqipëria, një tregues i lidhjeve midis mafias italiane dhe organizatave ndërkombëtare të krimit, çka sinjalizon për prokurorët nevojën për thellimin e bashkëpunit transnacional për të luftuar efektivisht trafikun e drogës.

15 të hetuarit në gjëndje të lirë
Autoritetet kanë shprehur shqetësimin për faktin se 15 nga 27 të dyshuarit do të hetohen në gjendje të lirë, deri në gjetjen e provave të reja. Atyre u është dorëzuar ftesa për t'u paraqitur pranë gjyqtarit hetues të Gjykatës së Barit, për pyetjet parandaluese.

Por, kjo procedurë e re shihet me skepticizëm nga prokurorët pasi vonon në ekzekutimin e arrestimeve. Gjithashtu kjo dispozitë e re kërkon që gjyqtari hetues i Gjykatës së Barit, të dëgjojë të dyshuarit përpara se të vendosë nëse do të vazhdojë me arrestimin, për të shmangur konsiderimin e këtyre personave si fajtorë për krime më pak të rënda se ata të arrestuar menjëherë. Si rrjedhojë, këta 15 të dyshuar tashmë e dinë kontekstin e hetimit dhe detajet e procedimit, duke ngritur frikën e autoriteteve për rrjedhje të mundshme apo shkatërrim të provave.

Prokurori Roberto Rossi shprehu shqetësime për rrezikun e mundshëm të arratisjes ose ndërhyrjes në prova nga të dyshuarit, duke pasur parasysh se disa njerëz në rrezik arrestimi tani kanë akses në informacione të ndjeshme rreth procedimeve.

“Prokurori publik i DDA, Ettore Cardinali, vuri në dukje papërshtatshmërinë e këtyre procedurave të reja në rastin konkret të krimit të organizuar,  sugjeroi se një qasje më tradicionale mund të garantonte një efektivitet më të madh në arrestimin dhe ndalimin e figurave të përfshira në organizatën mafioze”, shkruan media “occhioche.it”.

Në operacionet e mëparshme, ku u kapën fijet e grupit, janë sekuestruar edhe 100 gramë hashash dhe pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, me një vlerë të përgjithshme prej rreth 200 mijë euro njërit prej të dyshuarve.

Deri tani nuk është bërë publik nacionaliteti i të ndaluarve as emrat e tyre. 

 

 

 

 

A.Q/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?