Detaje të reja janë zbuluar nga vdekja tragjike e 13-vjeçares shqiptare, Aurora Tila, e cila dyshohet se u shty nga ballkoni nga ish i dashuri i saj. Kërkesat që Aurora Tila bënte në ChatGPT kanë shërbyer si provë për të faktuar situatën e përndjekjes që ajo po përjetonte. Kjo theksohet në vendimin gjyqësor ndaj një të riu, në atë kohë 15 vjeç, i cili u dënua me 17 vite burg për vrasjen e 13-vjeçares, duke e shtyrë të bjerë nga një ballkon në Piacenza më 25 tetor 2024.

Sipas vendimit, e mitura i ishte drejtuar inteligjencës artificiale për këshilla mbi marrëdhënien e saj, duke pyetur nëse duhej të ndahej dhe si të dallonte një dashuri të vërtetë nga një marrëdhënie toksike. Gjykata për të mitur në Bolonjë e ka konsideruar viktimën të besueshme, pasi ajo, “me sinqeritet të plotë”, kërkonte ndihmë për të kuptuar si të vepronte në një situatë të vështirë dhe mbytëse.

Sipas trupit gjykues, të kryesuar nga Gaetano Scaduti, jo vetëm që është i provuar përndjekja, por ishte pikërisht frika e vajzës për sigurinë e saj që e shtyu të pranonte takimin e fundit me të riun. Për gjykatësit, i pandehuri kishte shfaqur një “posesivitet dhe xhelozi ekstreme”, duke deklaruar se nëse nuk do ta kishte ai, nuk do ta kishte askush tjetër.

Nga vendimi rezulton se, edhe pse nuk është provuar paramendimi, i riu një ditë para ngjarjes i kishte thënë një shoku se donte ta vriste 13-vjeçaren. Kjo dëshmi është dhënë nga një ish-shok qelie, i cili u paraqit si dëshmitar në gjyq. Me këtë qëllim, i riu kishte marrë me vete edhe një kaçavidë, e cila më pas u sekuestrua.

Gjykata i cilëson si “të frikshme” mesazhet që ai i dërgonte vajzës për t’u takuar, si “Nesër për herë të fundit, pastaj kurrë më” dhe “Të premtoj se pas daljes së së premtes nuk do të të kërkoj më”. Aurora Tila, sipas gjykatës, “ndoshta në mënyrë paradoksale”, shkoi drejt fatit të saj tragjik në përpjekje për të qetësuar situatën dhe për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit pas vendimit për t’i dhënë fund lidhjes.

Ndërsa ajo shpresonte se takimi do ta qetësonte të riun, ai, sipas gjykatës, “kishte vendosur tashmë ta vriste”, duke organizuar takimin e fundit për të vënë në zbatim planin e tij.

Në përfundim, gjykata thekson se tek i dënuari nuk janë vërejtur shenja pendese apo mëshire ndaj viktimës. Ai nuk e ka pranuar krimin, duke pretenduar fillimisht se bëhej fjalë për një aksident dhe më pas për një akt vetëvrasjeje. Megjithatë, sipas gjykatës, provat që kundërshtojnë këtë version janë “të forta dhe të pakundërshtueshme”, të mbështetura edhe nga dëshmitë e personave që kanë parë ngjarjen.