U qëllua në kokë ndërsa po përdorej, në një lojë perverse armësh, nga pronari i tij Giuseppe Roi, 31 vjeç. Qamij Hyraj, 23 vjeç, punonte si bari në fermën e Roit, ndërsa më 6 Prill u përdor si “shënjestër për t’u evituar” nga plumbat e pistoletës së 31 vjeçarit. Giuseppe Roi është vënë në pranga ditën e sotme, 7 muaj pas nisjes së hetimeve, për vrasjen e shqiptarit Hyraj, të cilin edhe e konsideronte si mik të tijin. Ndërsa Prokuroria italiane ka përfunduar dhe hetimet e saja, ku ky rast është konsideruar dhe si një “lojë sadiste”.
Hetimet: Roi po shënjestronte një frigorifer, Hyraj shërbeu si pjesë e “lojës së precizionit”
Sipas organit të akuzës Giuseppe Roi, i fiksuar pas armëve, zakonisht bënte qitje duke përdorur si objektiva objekte nga më të ndryshmet. Më 6 Prill kishte zgjedhur një frigorifer, dhe bariun shqiptar, në krah të objektit, për të sfiduar preçizionin e tij.
E shtëna e parë, e qëlluar me një armë të kalibrit 22, qëlloi mbi objektin elektroshtëpiak. Ndërsa plumbi i dytë, i dalë nga e njëjta armë, qëlloi 23 vjeçarin në fytyrë, pasi ndodhej në të njëjtën trajektore, duke e lënë të vrarë në vend.
Hetuesit nuk kanë dyshime, duke u bazuar dhe tek pozicioni ku ndodhej trupi i viktimës, Roi kishte si synim të qëllonte frigoriferin duke pranuar gjithashtu dhe rrezikun se mund të godiste të riun shqiptar. Për këtë arsye Prokuroria ka ngritur akuzën e vrasjes me dashje ndaj Giuseppe Roi.
Tentativa për të fshehur krimin. “Ti trembesh përherë”
Fill pas ngjarjes tragjike, Giuseppe Roi dhe i at ii tij, Angelo Roi, 68 vjeç, tentuan të fshehin krimin duke provuar të fshehin provat dhe gjithashtu duke kamufluar ngjarjen. Babë e bir kishin denoncuar grabitjen, në fermën e tyre, të disa krerë bagëtish, për t’i drejtuar organet e hetuesis drejt pistës së vrasjes nga ana e hajdutëve.
Pa e përjashtuar ende versionin e pronarëve, organet e policisë hodhën poshtë dhe idenë se Hyraj mund të ishte vrarë për shkak të ndonjë impikimi, të këtij të fundit, me aktivete kriminale apo me eksponent të krimit. E kaluara e bariut shqiptar dhe lidhjet e tij ishin krejt të pastra.
Zbardhja e plotë e krimit u arrit vetëm falë dëshmisë së dhënë nga një bari tjetër, i cili punonte në të njëjtën fermë. Sipas dëshmisë së këtij të fundit Giuseppe Roi e kishte zakon të stërvitej, me arsenalin e tij të armëve, në oborrin e fermës së tij. Ndërsa po i njëjti dëshmitar ka treguar se, pak ditë para vrasjes, vetë Qamili i kishte rrëfyer se Roi i kishte qëlluar “në formë shakaje” dhe se i kishte shpëtuar plumbit falë një mrekullie. Gjithashtu, sipas dëshmitarit, Qamili i ishte rrëfyer se italiani 31-vjeçar e kishte zakon të qëllonte në drejtim të tij, më duke u tallur dhe duke i thënë: “Trembesh përherë”.
Në foto: Vendi ku u qëllua bariu shqiptar; në të majtë frigoriferi që përdorej si shënjestër nga Giuseppe Roi
Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)