Italia, 64 qeveri për 68 vjet

Italia, 64 qeveri për 68 vjet
TIRANE - Në aspektin politik, Italia e Pasluftës është shënjuar nga një valë destabiliteti, duke u bërë kësisoj ikonë e një stili qeverisës shumë të rrallë në Europë, përsa i përket jo vetëm kohëzgjatjes së mandateve që qeveritë apo koalicionet qeveritare kanë konsumuar. Kështu deri në vitin 1988, në fqinjin tonë regjistroheshin 48 qeveri.

Por deri në atë kohë vendi kishte njohur shpesh skandale politike e akuza që i lidhnin politikanët dhe zyrtarët qeverisës me mafien apo me grupe interesash “të pista”, deri në vrasje politike që kulmonin me vrasjen e ish-kryeministrit, Aldo Moro. Më maj 1981, koalicioni i kryeministrit Arnaldo Forlani u rrëzua pasi u mësua se shumë nga zyrtarët e qeverisë, përfshirë edhe tri anëtarë të kabinetit, ishin anëtarë të një llozhe sekrete masonike, e njohur si “Propaganda Due” (P-2), e cila raportohej shpesh se kishte kryer aktivitete të jashtëligjshme që kishin lidhje me krahun e djathtë ekstrem.

Terrorizmi e ekstremizmi majtist nga ana tjetër, i njohur ndryshe me emrin “Brigadat e Kuqe”, gjithashtu e kishte plagosur rëndë Italinë në vitet ‘70 e fillimvitet ‘80. Nga viti 1986, gjithsesi, siguria e brendshme u përmirësua në vend. Një përpjekje e lavdërueshme kundër krimit të organizuar u ndërmor në mesin e viteve ‘80; mbi 1,000 të dyshuar u gjykuan në gjyqe që u zhvilluan në Napoli në periudhën shkurt 1985 – shkurt ‘86.

Akuzat për korrupsion dhe skandale që përfshinin politikanë të vjetër, anëtarë të admnistratës qeverisëse dhe eksponentë të biznesit shkundën nga këmbët politikisht Italinë në fillimvitet ‘90. Qindra politikanë, liderë partiakë dhe industrialistë, ose u arrestuan ose iu nënshtruan hetimeve.

Skandalet disktretituan shumë keq partitë kryesore që përbënin shtyllën e sistemit politik të kohës në Itali që nga viti 1948 dhe i dhanë shkak grupeve të reja të politikanëve reformatorë. Prapa ishin lënë Kraksi (ish-kreii socialistëve italianë, që mori arratinë drejt Tunizisë për t’i shpëtuar ndëshkimit), por edhe Andreotti e të tjerë të cilët u dënuan “politikisht”.

NGA 1993: SKENË E RE POLITIKE

Në gusht 1993, Italia bëri ndryshime domethënëse në sistemin e saj elektoral. Tre të katërtat e vendeve në të dyja dhomat e Parlamentit do të plotësoheshin nga votimi me shumicë të thjeshtë. Pjesa tjetër do të caktoheshin nga përfaqësimi proporcional nga lista e partive që arrinin të siguronin të paktën 4% të votave.

Zgjedhjet e para nën këtë sistem u mbajtën në mars 1994, ku rezultoi fitues një koalicion grupimesh e alenacash të vogla me orientim të qendrës së djathtë. Silvio Berluskoni, themeluesi i lëvizjes "Forza Italia", u vendos në krye të qeverisë. Berlusconi, një biznesmen i suksesshëm italian, në atë kohë konsiderohej një prurjue e re në politikë.

Ai u mbështet nga koalicioni “Poli i Lirisë”, i cili mori më shumë se 42% të votave dhe 366 vende në Parlament. Qeveria e Berluskonit gjithsesi u bë viktimë e korrupsionit dhe më 22 dhjeotr 1994 ai u detyrua të japë dorëheqjen përballë një revolte të “Lega Nord”, njëra nga partitë e koalicionit qeverisës. Pas një periudhe me kryeministër Lamberto Dinin, koalicioni i tij me të majtë e të djathtë dha dorëheqjen më 11 janar 1996, para se të përballej me një mocion mosbesimi për shkak të presionit të Berluskonit.

Më pas Italia njohu qeverinë e koalicionit të qendrës së majtë, kryesuar nga Romano Prodi, i cili kishte pushtetin me ish-komunistë pas më shumë se 50 vjetësh. Por edhe ai do të rrëzohej dhe vendin e tij do t’a zinte Massimo D'Alema, lideri i “Partisë Demokratike të së Majtës”, i cili e mori pushtetin në 1999 dhe e dorëzoi sërish në 2000, pasi ndërmori disa reforma të rëndësishme fiskale, ndërkohë që Prodi tashmë do të bënte karrierë në Bruksel në një post shumë të rëndësishëm.

Koalicioni i Berlusconit, “Shtëpia e Lirisë” kryesuar nga partia e tij, “Forza Italia”, zuri në zgjedhjet e majit 2001, 368 vende në Parlament, kundrejt 242 që zuri “Pema e Ullirit” e qendrës së majtë. Pasi u bë kryeministri i 59-të i Pasluftës në Itali, Berluskoni u përball me akuzat për aktivitet ilegal, kriminal, pastrim parash e mashtrim: duke u bërë kësisoj i pari kryeministër italian në detyrë që përballej direkt në gjyq me akuza kaq të rënda.

Me ndërhyrjen amerikane në Afganistan e sidomos në Irak, më 19 mars 2003, Italia vuri në dispozicion bazat e veta ushtarake, por rreth 75% e opinionit italian ishin kundër përdorimit të forcës ndaj regjimit të Sadam Huseinit, ndryshe nga pozicioni i Berlskonit që adoptoi një politikë shumë proamerikane.

Më pas Italia bëhet një arenë përplasjesh mes Berluskonit dhe krerëve të së majtës, që njohin një rikthim të përkohshgëm me Giuliano Amaton dhe Prodin në 2008, për t’ia lënë sërish vendin Berluskonit, i cili me mbërritjen e krizës në Europë, detyrohet t’ia lëshjojë vendin teknicienit Mario Monti, të cilën e sulmoi sërish në fund të vitit që shkoi, duke sjellë zgjedhje të reja, të cilat për herë të parë kanë sjellë një rezultat shumë interesant dhe kanë rritur rolin politik të partive “komediane” të tipit Grillo, siç e quajnë shpesh me shpoti komentatorët të ciulët gjithsesi e vlerësojnë këtë risi si një shuplakë për sistemin e klasën politike aktuale.

KRAHASIMI ME HOMOLOGËT EUROPIANË

Duke bërë një krahasim me homologët e saj në Europë, Italia për arsye jo vetëm të sistemit zgjedhor që e favorizon këtë fenomen, shënon rekorde “mbresëlënëse”, duke lënë prapa me distancë homologët e saj në kontinent, si nga numri i figurave që e kanë shijuar postin e lartë të kreut të qeverisë, ashtu dhe numrin e mandateve që janë konsumuar.

Kështu, Gjermania e Pasluftës, ka numëron 8 personalitete që e kanë konsumuar këtë post, që nga Konrad Adenauer e deri te Kancelarja Angela Merkel. Në Austri, Werner Faymann është i 12-ti në listën e kryeministrave (kancelarëve) të Pasluftës. Në Britani të Madhe ka pasur 14 kryeministra; në Holandë 16.

Mario Monti është kryeministri i 25 që e ka provuar këtë post, por vendi ka njohur plot 63 mandate qeverisëse përgjatë 68 vjetëve që nga viti 1945 dhe pret fillimin nga puna të mandatarit të 64-t, për të shkelur shkallët e Pallatit “Chigi” në Romë, ardhur si pasojë e zgjedhjeve të fundit parlamentare, në shkurt 2013.

MË JETËGJATËT: BERLUSCONI, DE GASPERI DHE ANDREOTTI

Nëse do i hidhnim një sy shifrave historike paraardhëse, do të vërenim se kristiandemokrati, Alçide de Gasperi, deri në vitin 1953 konsumoi plot tetë mandate qeverisëse në krye të koalicioneve qeverisëse. Ai ishte 2496 ditë në pushtet; i ndjekur nga kolegu i tij i partisë, Giulio Andreotti, i cili ka përjetuar mes viteve 1972 e 1992 gjithsej 2226 ditë si kryeministër i Italisë. Por sigurisht se rekordi mbahet prej Silvio Berluskonit, i cili megjithë skandalet e akuzat e shumta me të cilat është dashur të përballet, ka arritur të konsumojë plot 3297 ditë në qeveri.

FUNDI I LUFTËS DHE ITALIA

Italia iu bashkua Gjermanisë në një aleancë përgjatë Luftës së Dytë Botërore, por u mund në fushtat e saj në Greqi, Afrikën Veriore, por humbi terren më vonë dhe në Shqipëri. Trupat aleate nisën invazionin e tyre nga Siçilia për në tokën italiane dhe bënë që të rrëzohej regjimi i Musolinit më 25 korrik 1943.

Më pas Italia u nda në dy zona pushtimi, njëra e kontrolluar nga aleatët në jug, dhe tjetra, pjesa e mbetur veriore, duke përfshirë edhe Romën, e mbajur nga gjermanët, të cilët lëvizën me shpejtësi, duke shpëtuar Mussolinin, e vendosur atë në krye të një qeverie kukull dhe një shteti të quajtur "Republika Sociale Italiane".

Kur gjermanët kapitulluan, Mussolini u kap dhe u ekzekutua nga partizanët italianë. Fundi i Luftës e la Italinë të varfër, të shkatërruar ekonomisht dhe të përcarë politikisht. Në 1946, Italia u bë një Republikë pas një plebishiti mbarëkombëtar që rrëzoi monarkinë; në vitin që pasoi, u hartua një kushtetutë e re, e cila hyri në fuqi në vitin 1948.

Pas nënshkrimit të traktateve të paqes më 10 skurt 1947, Italisë iu kërkua që të paguante dëmshpërblim në shumën prej 360 milionë dollarësh ndaj ish-BRSS, Jugosllavisë, Greqisë, Etiopisë dhe Shqipërisë. Me ndihmën amerikane dhe atë të “Planit Marshall”, nisi në këtë kohë edhe rimëkëmbja ekonomike e vendit.

STRUKTURA QEVERISËSE NË ITALI


Italia është një Republikë parlamentare. Pushteti ekzekutiv ushtrohet nga Kryeministri dhe kabineti qeverisës. Zgjedhjet parlamentare të përgjithshme zhvillohen një herë në katër vjet, ndërsa Presidenti ka një rol më shumë ceremonial si simbol i unitetit të popullit. Ai ushtron një mandat 7-vjeçar dhe vjen nga vota e përbashkët e dy dhomave: asaj të Deputetëve dhe Senatit.

Parlamenti italian ka dy dhoma – ajo deputetëve, me 630 anëtyarë, dhe Senati, me 315. Ato zgjidhen nëpërmjet një sistemi të përfaqësimit proporcional, megjithëse 6 senatorëve u jepet e drejta e “Senatorit të përjetshëm”. Votuesit italianë gjithashtu zgjedhin edhe 72 eurodeputetë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Egnatia pranë historisë, Edlir Tetova: Duam trofeun

Egnatia pranë historisë, Edlir Tetova: Duam trofeun