Ministrja e Jashtme italiane, Federica Mogherini i bëri sot thirrje Bashkimit Evropian që të miratojë një front të koordinuar mbi krizat në Irak dhe Ukrainë. "Fronti i përbashkët i koordinuar duhet tani", tha Mogherini nëpërmjet faqes zyrtare në Twitter të Ministrisë së Jashtme italiane. Italia dhe Franca kanë kërkuar edhe më parë një takim për krizën humanitare në Irakun Verior, ku xhihadistët e Shtetit Islamik (ISIS) kanë dëbuar qindra mijëra pjesëtarë të pakicave të tjera fetare nga shtëpitë e tyre. Mogherini kërkoi koordinim veprimesh edhe për pikat e tjera të nxehta si Libia dhe Gaza, pa përjashtuar Irakun dhe Ukrainën. "Nuk duhet të jetë vetëm një deklaratë e përbashkët për të gjitha zonat e krizës, por një vendim i përbashkët, i fortë dhe i koordinuar", thekson Mogherini./ ATSH/