Italia po përgatitet të ndalojë mbulimin e fytyrës në shkolla dhe të vendosë një kufi për numrin e nxënësve të huaj në çdo klasë. Këtë e njoftoi të dielën kryeministrja Giorgia Meloni, ndërsa theksoi qëndrimet e saj të krahut të djathtë në një aktivitet rinor të organizuar nga partia e saj.

Italia është ndër vendet evropiane më të ekspozuara ndaj mbërritjeve të emigrantëve për shkak të pozicionit të saj në Mesdheun qendror, duke e bërë emigracionin një çështje veçanërisht të ndjeshme dhe një sfidë të madhe për qeveritë e njëpasnjëshme.

Integrimi i emigrantëve, veçanërisht i atyre që vijnë nga vende me shumicë myslimane, mbetet një çështje e debatueshme në politikën dhe shoqërinë italiane.

Debatet mbi simbolet fetare, integrimin kulturor, rregullat për shtetësinë dhe politikat e emigracionit shpesh polarizojnë opinionin publik.

“Së shpejti do t’i paraqitet mbledhjes së Këshillit të Ministrave një masë për të përcaktuar me ligj një numër maksimal të nxënësve të huaj për klasë. Ajo kërkon gjithashtu që prindërit e nxënësve të huaj që hasin vështirësi serioze në integrimin në sistemin shkollor të mësojnë italisht, si dhe ndalon burkat dhe nikabet në shkolla”, tha Meloni.

Meloni foli gjithashtu për pjesën e dytë të nismës që ka ngjallur menjëherë debat, atë të kufizimin e numrit të të të huajve në një klasë shkolle, masë që do të jetë sipas mediave në Itali jo më shumë se 30%.

“Nëse në një klasë ka vetëm një fëmijë që nuk e kupton italishten, ka shumë gjasa që ai fëmijë të jetë në gjendje ta mësojë gjuhën dhe të integrohet shpejt me ndihmën e shokëve të klasës dhe mësuesve. Por, nëse numri i fëmijëve që nuk e kuptojnë gjuhën bëhet i madh ose përbëjnë shumicën, atëherë kjo nuk është më integrim, është neglizhencë”, u shpreh kryeministrja.

Sipas Fondacionit kërkimor ISMU, nxënësit që nuk janë shtetas italianë përbëjnë 11,6% të nxënësve të regjistruar në shkollat italiane pra, pothuajse 12 në çdo 100 nxënës.

Por masa ka ngjallur debat të gjerë. Ndaj Melonit janë bërë akuza për propagandë pas këtij njoftimi.

Të tillë e sheh lëvizjen aktivistja shqiptare Fioralba Duma, një psikologe, përfaqësuese e Organizatës Italianët pa shtetësi. Ajo thotë në një intervistë për La Repubblica se shumë fëmijë kanë lindur në itali kanë nisur arsimin atje por cilësohen të huaj vetëm për faktin se nuk kanë marrë ende shtetësinë italiane.

“Kjo është propagandë e pastër, fushatë elektorale mbi kurrizin e fëmijëve. Kur flet për të huajt, ndoshta Giorgia Meloni duhet t’i lexojë më mirë shifrat. Ata nxënës që kategorizohen si të huaj vetëm sepse ende nuk kanë shtetësinë, në të vërtetë kanë lindur në Itali, kanë studiuar këtu që nga shkolla fillore dhe flasin italisht njësoj si bashkëmoshatarët e tyre. Por kanë një pasaportë tjetër. Atëherë, për çfarë kufiri po flasim?”, tha ajo.