Një gol i Francesco Espositos i mjaftoi Italisë për të fituar 0-1 miqësoren në Luksemburg. 'Të kaltrit' kanë dështuar tre herë radhazi për të qenë pjesë e Kupës së Botës, ndaj në Itali kanë nisur një revolucion.

Me trajnerin e ekipit U-21 në krye, Silvio Baldinin, ky i fundit grumbulloi shumë emra të rinj në ekip dhe Italia nuk zhgënjeu paçka se duhet të kishte shënuar më shumë, pasi rivali renditet në vendin e 98-të në FIFA.

Pjesa e parë e sfidës nuk prodhoi shumë, teksa në nisje të fraksionit të dytë erdhi edhe goli që i dha suksesin Italisë. Në minutën e 49-të, Nicolo Pisilli asistoi për Francesco Espositon, me sulmuesin e Interit që e ndali sferën në rrjetë.

Italia e 'fëmijëve' e fitoi miqësoren e parë me Baldinin në stol, teksa do të zbresë në fushë më 7 qershor në sfidën e radhës, kundër Greqisë në stadiumin 'Pankritio' në Heraklion të Kretës. Ndërkohë, në datën 6 qershor Luksemburgu do të zhvillojë një tjetër miqësore, këtë herë kundër Shqipërisë në Tiranë.

Formacionet titullare Luksemburg - Itali