Të hënën trajneri Silvio Baldini do të komunikojë zyrtarisht emrat e futbollistëve të përzgjedhur për ndeshjet miqësore që Italia do të luajë ndaj Luksemburgut dhe Greqisë në muajin qershor. Janë këto dy ndeshje që do të shërbejnë më shumë për renditjen e FIFA-s në kuadër të shortit të ardhshëm, me Baldinin që ka vendosur të marrë shumë lojtarë nga skuadra U-21 e 'të Kaltërve', ndërkohë që nuk do të ketë shumë emra të njohur.
Nga futbollistët me emër në skuadrën kombëtare italiane do të jenë, kapiteni Donnarumma, Pisilli, Esposito dhe Palestra. Pjesa tjetër janë krejtësisht emra të rinj dhe këtu spikat ai i 18 vjeçarit Samuele Inacio Pia, që sapo ka rinovuar me Borussia Dortmund dhe që është në skuadrën U-19. Ka shumë të ngjarë që Baldini të aplikojë skemën 4-3-3 që do të bëntë të sigurt praninë e Chiarodia (i federuar me Moenchengladbach), Ahanor i Atalantës, Bartesaghi dhe Ndour, respektivisht te Milan e Fiorentina.
Përpara ka hapësira për Luca Koleosho, ndërkohë që sipas ‘Gazzetta Dello Sport’ pritet të jenë në listën e 24-26 lojtarëve të grum bulluar edhe portieri Palmisani, Kayode, Comuzzo, Reggiani, Lipani, Ekhator, Venturino dhe Casadei.
Akoma më pak të njohur janë emrat e Mane (mbrojtës i Borussia Dortmund), Dagasso (Venezia), Berti (Cesena), Prati (Torino), Faticanti (Juve Next Gen, Serie C) dhe Cacciamani, në pronësi të Torinos.
Po kështu Baldini mund të thërrasë edhe Seydou Fini, të Genoas dhe Luigi Cherubini të Romës. Risitë e shumta te skuadra italiane ‘e trembën’ Greqinë që bëri polemika për zgjedhjet e Baldinit duke i përkufizuar si eksperimentale. E menjëhershme ishte përgjigjja e shefit të delegacionit të Italisë Giancarlo Antognoni. ‘Nuk ka asnjë mungesë respekti, do të jetë një Itali e re dhe e fortë’, ishin fjalët e tij.
Komente








