Lirohet nga burgu "i forti" i Shkodrës Lulzim Kulla. Në seancën e zhvilluar sot në gjykatën e Gjirokastrës, vendimi i gjyqtarit Arben Dosti ka qenë dënimi i Kullës me 1.5 vite burg pasi tentoi të kalojë drejt Greqisë me një pasaportë false në muajin korrik të këtij viti. 

Por pasi është dhënë vendimi ai është liruar në sallën e gjyqit pasi sipas gjykatësit vlerën e dënimit Lulzim Kulla e ka vuajtur gjatë kohës së qëndrimit në paraburgim. Gjithashtu gjykata ka marrë parasysh edhe gjendjen e tij shëndetësore pasi ai vuan nga kanceri në prostatë, ka një këmbë të dëmtuar dhe njëherazi ka mbetur shurdh nga një atentat me tritol dhe për rrjedhojë e ka lënë atë të lirë. 

Lulzim Kulla është një personazh i njohur në Shkodër. Në 13 janar të këtij viti atij iu bë atentat me tritol me një motoçikletë në lagjen "Partizani" në Shkodër, të cilit ai i mbijetoi por me dëmtime në trup. Pas këtij momenti ngjarjet kriminale pasohen njëra pas tjetrës në Shkodrës, ndërsa 10 gusht të këtij viti në një atentat me armë zjarri në qendër të Shkodrës, ekzekutohet Fatbardh Lici, kunati i Lul Kullës. 

Gjobëvënie, kultivim kanabisi dhe i përfshirë në vrasje/ E shkuara e errët e Lulzim Kullës
Lulzim Kulla është emër i njohur për policinë për shkak të të kaluarës së tij kriminale. Ai njihet si “i forti” i Shkodrës i cili nënshtroi tregtarët e këtij qyteti, duke iu marrë edhe bizneset, ndërsa dyshohet se ka marrë pjesë edhe në torturimin për vdekje të një personi në këtë qytetit, por për ngjarjen nuk është dënuar askush.

Në qershor të vitit të kaluar, Lulzim Kulla është arrestuar nga policia për kultivim kanabisi në zonën e Dukagjinit, në Shkodër. Ai është mbajtur në burg dhe është liruar pas gjashtë muajsh.

Lulzim Kulla pas vitit 1997 u kthye në makthin e tregtarëve dhe biznesmenëve në lagjen “Rus” të qytetit verior. Lulzim Kulla, në bashkëpunim me grupe të tjera kriminale, do vinte nën diktat bizneset e Shkodrës, duke bërë që një pjesë e tyre të largoheshin nga qyteti. Për shumë vite ai mbajti nën kontroll lagjen e famshme të Shkodrës, duke kontrolluar aktivitetin tregtar.