Tiranë- Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka regjistruar ankimimin e Safet Bajrit (Rustemit), i cili kërkon lirimin pas arrestimit me urdhër të SPAK-ut dhe rrëzimin e masës së sigurisë së dhënë nga shkalla e parë më 17 mars të këtij viti.

Po të njëjtin ankimim kanë depozituar edhe Behar Bajri dhe personi i tretë i dosjes, ish-kampioni i boksit Astmer Bilali, të akuzuar se në bashkëpunim kanë marrë pjesë në atentatin me armë zjarri, ku u vra në Shkodër Fatbardh Lici (10 gusht 2018), anëtar i fisit Lici (xhaxhai i Ibrahim Licit), me të cilët Bajrët kanë nisur një luftë të përgjakshme prej tetë vitesh.

Sipas shortit të hedhur, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtare Tereza Merkaj, e cila do shprehet mbi kërkesën e avokatëve mbrojtës të tre të akuzuarve.

“Apeli i GJKKO regjistroi çështjen penale nr. 20 akti, datë 13.03.2025 regjistrimi, mbi ankimet e ankuesve S.R., A.B., B.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 12, datë 17.02.2025 dhe vendimit nr. 22, datë 24.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Masa  e sigurisë më 17 dhe 25 mars është komunikuar edhe për Astmer Bilalin e Behar Bajrin, por që aktualisht ndodhen në qeli në kuadër të operacioneve “Metamorfoza”. 

Hetimet janë kryer nga prokurorja Elida Kaçkini. GJKKO në vendin e saj thekson se për të 3 rëndojnë tre akuzat e rënda:

“Vrasja me paramendim”, në dëm të viktimës Fatbardh Lici, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atij të grupit të strukturuar kriminal, “grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 78/2 e 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal”.

Bashkë me masën “arrest me burg” Gjykata e Posaçme ka miratuar me kërkesë të SPAK edhe kërkesën për kryerjen e një analize të ADN-së së Safet Bajrit. 

Motivi i vrasjes së xhaxhait të Ibrahim Licit, rivalit të Bajrave, sipas SPAK, lidhet me dyshimin e Behar Bajrit se Ibrahim Lici, kishte vrarë pjesëtarin e grupit të tyre, ish-policin Boran Bërçana më 15 korrik të vitit të 2018, i cili u ekzekutua në makinë bashkë me partneren Silvi Ndoci. Për këtë ngjarje që autoritetet ende nuk e kanë zbardhur, një muaj më pas Bajrët morën hak duke vrarë xhaxhanë e Licit.