Një 31-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë në Korçë, i akuzuar se ka mashtruar një fotograf, duke i marrë një shumë parash prej 152 mijë lekësh.
Sipas policisë, i riu me inicialet K. A., banues në Korçë i është prezantuar fotografit si punonjës i SHÇBA Korçë dhe i ka marrë disa herë, në shuma të ndryshme, shumën totale prej 152.000 lekë, duke i premtuar se do ta favorizonte këtë të fundit, për të fituar një tender për shërbimet fotografike, që kryen struktura e lartpërmendur.
"Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat Korçë, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale "Mashtrimi", të shtetasit K. A., 31 vjeç, banues në Korçë. Arrestimi i tij u bë pasi, dyshohet se ky shtetas nëpërmjet mashtrimit dhe duke u prezantuar si punonjës i SHÇBA Korçë, i ka marrë disa herë, në shuma të ndryshme, shtetasit A. D., me profesion fotograf, shumën prej 152.000 lekë, duke i premtuar se do ta favorizonte këtë të fundit, për të fituar një tender për shërbimet fotografike, që kryen struktura e lartpërmendur", njofton policia.