Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, thotë se korrupsioni dhe problemet me klimën e biznesit në Shqipëri kanë një kosto të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe ekonominë. Në videon e radhës të rubrikës “Këndi i Fundjavës”, ajo iu referua raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve, duke thënë se shqetësimet e ngritura në të nuk janë vetëm akuza të opozitës.

“Mos më besoni mua. Lexoni raportin më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Kriza për të cilën ne flasim, sepse e jetojmë çdo ditë, përshkruhet edhe atje”, tha Tabaku.

Deputetja demokrate përmendi korrupsionin, konkurrencën e pandershme, informalitetin, pastrimin e parave, problemet me prokurimet dhe pasigurinë e pronës. Sipas saj, kostot e këtyre problemeve përfundojnë te qytetarët, përmes më pak parave për pensionet, familjet dhe shërbimet publike.

“Ministrat ndryshojnë. Por kontrata mbetet. Fatura mbetet. Dhe fatura gjithmonë u shkon qytetarëve”, deklaroi ajo.

Tabaku iu referua edhe Indeksit të Biznesit të Dhomës Amerikane të Tregtisë për vitin 2025. Sipas të dhënave të cituara prej saj, indeksi ra në 40.34 pikë nga 100, ndërsa monopolet dhe konkurrenca e pandershme u vlerësuan me 26.11 pikë dhe korrupsioni me 28.67 pikë.

Ajo u ndal edhe te investimet e huaja, duke argumentuar se Shqipëria duhet të tërheqë më shumë kapital amerikan dhe europian në teknologji, prodhim dhe sektorë që krijojnë vende pune me paga të larta, dhe jo të mbështetet kryesisht te investimet në prona dhe ndërtime.

“Kapitali serioz kërkon gjykata që funksionojnë, kontrata që zbatohen, konkurrencë, transparencë dhe rregulla që nuk ndryshojnë sipas emrit të investitorit”, theksoi Tabaku.

Në fund, deputetja e PD-së kërkoi më shumë konkurrencë, transparencë dhe rregulla të barabarta për bizneset.

“Kapitali mund të hyjë edhe në një vend të padrejtë. Por besimi ndërtohet vetëm në një vend të lirë”, përfundoi ajo.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri evidenton se investimet e huaja direkte kanë arritur nivele rekord. Sipas të dhënave paraprake të Bankës së Shqipërisë të cituara në raport, në vitin 2025 ato arritën në 1.84 miliardë dollarë, ndërsa stoku i investimeve të huaja në vend në rreth 17 miliardë dollarë.

Pavarësisht rritjes së investimeve, raporti evidenton probleme që ndikojnë në klimën e biznesit, mes tyre korrupsionin, krimin e organizuar, pastrimin e parave, konkurrencën e shtrembëruar, ekonominë informale dhe emigrimin e fuqisë punëtore.