Izet Haxhia drejt ekstradimit
Strasburgu:Shkeljet, 1400 € dëmi

Izet Haxhia drejt ekstradimit<br />Strasburgu:Shkeljet, 1400 € dëmi
TIRANE- Me vendimin e djeshëm se Izet Haxhia është gjykuar në rrugë të drejtë, porse meriton 1400 euro shpërblim për shpenzimet.

Gjykata e Strasburgut i hap rrugën ekstradimit të njeriut-kyç në zbardhjen e vrasjes së Azem Hajdarit. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore “Izet Haxhia kundër Shqipërisë”, me aplikim nr.34783/06, autoritetet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut shprehen se në kohën kur ka dorëzuar aplikimin ai ishte i burgosur në Turqi, në vitin 2006, në pritje të vendimit lidhur me ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Në janar 2001, Prokuroria shqiptare kishte nxjerrë një kërkesë arresti ndaj Haxhisë, i cili kishte qenë më parë bodigard i ish-presidentit të Shqipërisë, lidhur me dyshimet e përfshirjes së tij në vrasjen e një deputeti të Parlamentit dhe bodigardit të tij në shtator të vitit 1998.

U dënua me 25 vjet burgim me vendim të Gjykatës së Lartë në shkurt 2003. Izet Haxhia pretendonte shkelje të të drejtave të tij, gjatë proceseve gjyqësore në Shqipëri, mirëpo në vendimin e djeshëm thuhej se “Aplikanti nuk ka paraqitur një kërkesë për dëmet. Gjykata i dha atij 1400 euro për kostot dhe shpenzimet”. Kësisoj, tashmë e gjithë përgjegjësia për ekstradimin e truprojës së ish-presidentit Sali Berisha, u mbetet autoriteteve turke, pasi Strasburgu me vendimin e djeshëm shuajti të gjitha dyshimet rreth ligjshmërisë së proceseve gjyqësore në Shqipëri.

Mosardhja e Haxhisë nga Turqia përbën skandalin e radhës për politikën shqiptare, pasi pushteti i asaj kohe i dha hapësirë arrestimit të tij, bashkë me Aldo Baren, në Turqi, ku vetëm ky i fundit u ekstradua, për t’u gjykuar.

Nga Turqia, Izet Haxhia ka deklaruar se, nuk do të ekstradohet në Shqipëri, pa i’u bërë një gjyq i drejtë, pasi pretendon se ka ndikime të forta politike, sepse ishte truprojë e Berishës. Në fakt, implikimin e deklaratave të Berishës, e kanë përdorur para një muaji në Strasburg edhe Ismet Haxhia (vëllai i Izetit) dhe Jaho Mulosmani, ndërsa gjyqtarët europianë deklaruan se Berisha nuk ka qenë dëshmitar i ngjarjes. Një prokuror pat deklaruar asokohe se nëse Izet Haxhia vjen në Shqipëri dhe merret dëshmia e tij, atëherë ka mundësi të zbardhet vrasja e Azem Hajdarit, e cila me të drejtë është cilësuar si vrasja e shekullit.
 
Shkrimi u publikua sot (6.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com­)

  • Sondazhi i ditës:

    Anti-berishistët mbledhin firmat për partinë e re, a do të mbështetet?



×

Lajmi i fundit

Hungaria akuzon BE-në për bllokimin e furnizimit me naftë nga Rusia

Hungaria akuzon BE-në për bllokimin e furnizimit me naftë nga Rusia