Izet Haxhia: Sali Berisha i kërkon
ndihmë Athinës për zgjedhjet 2017

Izet Haxhia: Sali Berisha i kërkon<br />ndihmë Athinës për zgjedhjet 2017
Ish-truproja e Sali Berishës, Izet Haxhia, flet për një bosht Athinë-Beograd, i cili ka investuar dhe ka pasur rol përcaktues në karrierën politike të Sali Berishës gjatë tranzicionit shqiptar, në këmbim të shërbimeve kundër interesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeverive properëndimore të Tiranës.

Për Shqiptarja.com, Izet Haxhia shprehet se edhe rikthimi i shitjes së detit nga Sali Berisha, duke implikuar një vend të tjerë, është një shërbim ndaj Athinës dhe kundër interesave të SHBA dhe sigurisht edhe ndaj qeverisë “Rama”, e cila sipas Haxhisë mbron linjën e Perëndimit.

Sipas Haxhisë, Sali Berisha nuk i është referuar Turqisë, por Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sa i takon vendit të tretë që ka influencuar në rrëzimin e marrëveshjes së detit. Por, Haxhia shton se Berisha ka urdhëruar mediat pranë tij t’i referoheshin Turqisë, për t’a vënë Ramën në shënjestër të sulmeve greke.

Ai thotë se Berisha, me rikthimin e paktit të tradhtisë, kërkon të fitojë mbështetjen e Athinës për zgjedhjet parlamentare të 2017, me qëllim rrëzimin e Ramës. Megjithatë, Haxhia e konsideron tashmë Berishën një relike e këtij boshti, i cili kërkon ndihmë për të shpëtuat PD në 2017.

“Boshti Athinë-Beograd ka qenë aktiv dhe përcaktues në vendosjen në krye të shtetit shqiptar të atyre që na kanë drejtuar në këto vite tranzicioni. Berisha erdhi në pushtet nën petkun e mbështetjes amerikane, por pas kësaj mbështetje qëndronte lobi serb në Amerikë, me mbështes të shumtë në administratën e Bushit, me përfaqësues Igellbeger dhe Elez Biberajn, me lidhje farefisnore me Berishën.

Pastaj vjen rënia e Berishës po me ndihmën e lobit grek në Amerikë, me përfaqësues Nikola Gejxh dhe shefit të CIA, George Tenet, në funksion të ardhjes në pushtet të Fatos Nanos, një njeri i grekëve.

Politika e jashtme e qeverive shqiptare në vitet e qeverisjes deri më 2013 ka ecur sipas fjalës se kryeministrit grek Micotaqis që pati thënë në vizitën e parë të tij në Shqipëri në 1991, se rruga e Shqipërisë për në Evropë kalon nga Athina, por që kjo tabu është thyer nga Rama i cili deklaroi se po qe se rruga për në Evropë duhet të kalojë nga Athina, atëherë pranoj që të mos futem fare në Evropë.

Pra, me ardhjen në pushtet të Edi Ramës, mund të themi se në sajë të vizionit të tij properëndimor dhe mos pasjes së kompleksit të inferioritetit ndaj fqinjëve tanë grabitqarë, ndikimi i këtyre fqinjëve ka rënë dukshëm në politikën e jashtme e në vendimet e kësaj qeverie.

Berisha, duke aluduar për palën e tretë, ai e kishte fjalën për Amerikën si palë të tretë, por nga ana tjetër, me anë të mediave të tij, hodhi idenë se kjo palë e tretë është Turqia, me qëllim që të bëjë diversion ndaj Ramës që njihet si mik i Erdoganit dhe ta bëjë atë (Ramën) një shënjestër të sulmeve greke.

Gjithashtu Berisha kërkon të marrë mbështetjen greke në zgjedhjet e ardhshme për klanin e tij antishqiptarë dhe për të rrëzuar Ramën. Unë nuk mendoj që Turqia të ketë qenë prapa vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e paktit të tradhtisë së shitjes së detit Greqisë”, shkruan Haxhia.

Deklarata
Ish-truproja e Sali Berishës, Izet Haxhia, thotë se deklarata e Berishës për rrëzimin e paktit vjen pikërisht pas ngritjes për herë të parë të Çështjes Çame nga komisioneri Han. “Deklarata e Berishës në parlament në lidhje me rrëzimin e paktit detar me Greqinë nga ana e Gjykatës Kushtetuese për llogari apo nën ndikimin e një pale të tretë, nuk duhet parë e shkëputur edhe nga zhvillimet e fundit diplomatike të politikes shqiptare.

Ajo u bë në kohën kur fill pas ngritjes për herë të parë të Çështjes Çame nga komisioneri Han, vizitës së papritur të Metës në Athinë dhe vizitës së planifikuar të Ramës në Beograd.

E parë në këtë kontekst, Berisha që nuk mund t’a pranojë që nuk është më një faktor (perverse) destabilizues në politiken vendimmarrëse shqiptare, kërkon të faktorizojë veten, qoftë edhe duke përmendur marrëveshjet antikombëtare të nënshkruara prej tij, siç ishte pakti detar me Greqinë, duke u munduar të përfshijë në këtë lojë të tij të pisët e antishqiptare palë të treta, por pa cilësuar se cilën palë.

Në synimin e tij përçarës, ai do që të fitojë përkrahjen e Athinës, e cila ka qenë përcaktuese në politikën shqiptare të këtyre 25 viteve”, thotë Haxhia.

Loja e dyfishtë
Izet Haxhia thotë se Berisha ka luajtur një lojë të dyfishtë në raport me Beogradin, i cili ka mundësuar katapultimit e tij në majat e politikës.

“Nga Berisha mund të presësh çdo gjë e gjithfarë mashtrimesh, sepse ishte po ai Berishë që hyrjen në politikë e bëri me fjalët nacionaliste për Kosovën e bashkimin kombëtar, e nga ana tjetër takohej në mënyrë të fshehtë me ministrin serb Jovanovic në Crans-Montana, në qershor të 1992.

Ndërsa në publik deklaronte se duhej bombarduar Beogradi, ishte po ky Berishë që furnizonte me karburant makinën vrasëse të luftës se Millosheviçit e dërgonte armatim për vëllai e tij biologjik, Radovan Karaxhic, për të vrarë myslimanët e Bosnjës.

Ishte ky Berishë që përzinte antishqiptarin Nikolas Gejxh në 1996 dhe në vitin 2005 shkonte e i lëpihej e miqësohej me të, që ta ndihmonte të vinte në pushtet. Ishte ai Berishë që përndiqte e burgoste luftëtaret e UÇK në qeverisjen e tij dhe tani na flet me retorikë patriotike e ngre në qiell luftën e UÇK.

Por, kohët kanë ndryshuar dhe boshti antishqiptar Beograd-Athinë po e humbet ndikimin në politikën shqiptare. Megjithatë, ky bosht antishqiptar po përpiqet që me anë të relikeve të tij të vjetra të tipit Berisha të vendosë përsëri ndikimin në politiken shqiptare. Në zgjedhjet e ardhshme pritet një betejë përfundimtare në mes të njerëzve të boshtit anti shqiptare Beograd-Athinë dhe të atyre me vizionin pro perëndimorë të Shqipërisë”, shkruan ai.

 
Haxhia: Si e solli UDB Sali Berishën në pushtet
Ish-truproja i Sali Berishës, Izet Haxhia, identifikon UDB e ish-Jugosllavisë si trampolinën e ngjitjes së Berishës në pushtet. Haxhia, për vite me radhë një ndër njerëzit më të afërt dhe të besuar të Sali Berishës, pohon se UDB kishte një dosje për Sali Berishën. Sipas tij, ish-ambasadori Rajerson, erdhi nga Beogradi në Tiranë, me një dosje të UDB, të përgatitur për Sali Berishën dhe politikanë të tjerë.

“Dihet tashmë se rolin kryesor për zgjedhjen e fitoren e Berishës dhe PD në ‘92 e luajti Elez Biberaj me Zërin e Amerikës, që e vuri në funksion të PD dhe Berishës dhe ambasadorin Rajerson, i ardhur çuditërisht nga Beogradi me një çantë, ku kishte dosjet e politikanëve të 'rinj' të pluralizmit shqiptarë të marra nëpërmjet kanaleve të UDB. Elez Biberaj ka qenë një shqiptar i arratisur në Jugosllavi e pas qëndrimit disavjeçar të familjes se tij u ndihmua nga UDB të emigronte në Amerikë.

Aty, ai, me ndihmën e njerëzve të lobit serb në Amerikë, arriti të bëjë karrierë deri si këshilltar i Departamentit të Jashtëm Amerikan. Pra Berisha erdhi në pushtet i mbështetur nga lobi serb ne Amerikë që ka pasur ndikim të madh në administratën e Bushit në vitet ‘90 nëpërmjet Igellberger, i cili kishte lidhje e interesa ekonomike me Serbinë e konkretisht firmën Zastava”, ka pohuar Haxhia.

Sipas Haxhisë, Sali Berisha nën urdhrat e padronëve në Beograd, herë pas here, është divorcuar me SHBA, në dëm të interesave kombëtare. “Berisha, duke marrë forcë nga ky lob serb dhe urdhra nga padronët e tij në Beograd, herë pas herë është përplasur e divorcuar me Amerikën, gjithmonë duke dëmtuar interesat jetike të shtetit shqiptar dhe çështjen kombëtare.

A ka ndihme më të madhe që mund t’u bësh armiqve tanë shekullore, se ajo që u ka dhënë e po jep Berisha vetëm me faktin që ka penguar e po pengon konsolidimin e një shteti të së drejtës e ligjor në Shqipëri? Kur ishte në pushtet, duke e përdorur shtetin dhe institucionet e tij si pronë të tijat apo partisë e familjes së tij mafioze e antishqiptare dhe tani që duket sikur është në opozitë, duke krijuar shtetin e tij paralel me president, shërbim sekret, kryeprokuror e gjykata në shërbim të tij?”, thotë Haxhia.

 
 dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Kumbullat e thata, vetitë e forta për rigjenerimin e kockave

Kumbullat e thata, vetitë e forta për rigjenerimin e kockave