JERUSALEM - Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu përjashtoi sot çdo koncension në Jerusalemin Lindor pavarësisht kritikave amerikane kundër tij dhe politikës së tij të kolonizimit.
"Nuk jam i gatshëm të bëj koncesione që vënë në rrezik shtetin tonë", konfirmoi Benjamin Netanyahu gjatë një diskutimi në Parlament.
Ai iu përgjigj gjithashtu deklaratave të publikuara dje nga e përjavshmja "The Atlantic" të një zyrtari amerikan i administratës Barack Obama, i cili dënonte politikën e tij të kolonizimit në Çisjordani dhe në Jerusalemin Lindor. Këto sulme personale anonime, të paraqitura si të pazakonta nga komentuesit, patën një vend kryesor sot në median izraelite.
"Sulmet ndaj meje janë bërë sepse mbroj shtetin e Izraelit", shtoi kryeministri.
"Duhet të kuptojmë se interesat tona supreme janë siguria dhe bashkimi i Jerusalemit, gjë që nuk përbën shqetësimin kryesor për ata që më sulmojnë në mënyrë anonime", vijoi Benjamin Netanyahu.
Sipas zyrtarit të cituar nga "The Atlantic", Benjamin Netanyahu "nuk do të bëjë asgjë për të arritur në një marrëveshje me palestinezët apo shtetet arabe, e vetma gjë që i intereson atij është për të mbrojtur një dështim politik".
Zyrtari nënvizoi gjithashtu se njoftimi për ndërtime të reja në kolonitë e Cisjordanisë dhe Jerusalemin Lindor ka ngjallur irritim në administratën Obama./ATSH/










