Izraeli dhe OKB, një marrëdhënie e vështirë

Izraeli dhe OKB, një marrëdhënie e vështirë

Antonio Guterres

Zemërimi izraelit ishte i menjëhershëm: Antonio Guterres ka kaluar "vijën e kuqe" dhe "ka justifikuar aktet mizore të Hamasit", tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Izraelit. Edhe reagimi nga Memoriali i Holokaustit Yad Vashem ishte i tronditur; Ambasadori izraelit në OKB, Gilad Erdan kërkoi madje dorëheqjen e menjëhershme të Sekretarit të Përgjithshëm; qeveria në Jeruzalem bëri të ditur se do të refuzojë vizat për përfaqësues të OKB-së.

Guterres më parë kishte dënuar ashpër sulmin e përgjakshëm të Hamasit kundër Izraelit, në të njëjtën kohë kishte thënë, se ky nuk u zhvillua në "një hapësirë boshe", palestinezët vuajnë prej dekadash nën "pushtimin shtypës" nga Izraeli dhe Izraeli në Gazë "shkel të drejtën ndërkombëtare humanitare". Fjalët e Guterres shkaktuan një reagime të forta politike, në Këshillin e Sigurimit reagimet ishin të ashpra, përfaqësuesit aty e mbuluan njëri-tjetrin me akuza të "mungesës së empatisë" dhe "proporcionalitetit të gabuar". Guterres vetë u tregua "i shokuar" dhe u ndje "i interpretuar gabimisht".

Rezolutat e sigurisë pa shans

Përçarja e thellë që e ndan në dy kampe OKB u duk pak më vonë në Këshillin e Sigurimit. Aty ishin shtruar dy rezoluta për debat. Në të vërtetë ndiqnin të dyja të njëjtin qëllim: të heshtnin armët, për të mundësuar furnizimin me ndihma humanitare tëRripit të Gazës të rrethuar. Por rezoluta e parë e sjellë nga SHBA kërkonte vetëm ndalimin e shkurtër të shkëmbimit të zjarrit, njohjen e të drejtës izraelite për vetëmbrojtje dhe fundin e armatosjes së grupeve militante si Hamasi në Gaza. Hamasi kategorizohet nga SHBA, BE, Gjermania e disa vende arabe si organizatë terroriste. Por kjo rezolutë dështoi me veton e Rusisë dhe Kinës. Të dy vendet në rezolutën e tyre kërkuan armëpushim dhe tërheqjen e kërkesës izraelite ndaj civilëve që të shkojnë në jug para një ofensive tokësore të pritur në Gaza. Kjo u bllokua nga SHBA dhe Britania e Madhe. Nuk dihet, nëse do të ketë ujdi për këtë.

Konflikti i pandërprerë i Lindjes së Mesme

Për asnjë rajon krize në botë nuk janë miratuar kaq shumë rezoluta të OKB-së sa për Izraelin dhe territoret palestineze. Marrëdhëniet mes Izraelit dhe OKB-së janë prej kohësh të tensionuara. Pasi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ka një shumicë stabël dhe të vazhdueshme vendesh që e vendosin rregullisht në rend të ditës situatën e palestinezëve  dhe shprehen shumë kritika ndaj Izraelit. Krahas vendeve myslimane këtu renditen edhe një sërë vendesh të "jugut global".

Gjermania në votën e saj orientohet si rregull nga pozicioni i përbashkët i BE dhe voton në varësi të problematikës. Vetëm SHBA voton gjithmonë në favor të Izraelit. Kështu sipas organizatës joqeveritare në Gjenevë, UN Watch, Asambelja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vetëm në vitet 2015 dhe 2022 ka miratuar 140 rezoluta kritike ndaj Izraelit, si për shembull ato në lidhje me zgjerimin e ngulimeve apo anektimin e Lartësive Golan. Për krahasim: Në të njëjtën periudhë për të gjitha rajonet e botës në tërësi ka pasur vetëm 68 rezoluta të tjera, vetëm 5 prej tyre lidheshin me Iranin. Prandaj Izraeli prej kohësh ndjehet i trajtuar jo në mënyrë të barabartë nga OKB. Ndoshta edhe për këtë arsye reagimi i Izraelit pas fjalimit të Sekretarit të Përgjithshëm ishte kaq i ashpër.

Rezoluta nuk është njësoj rezolutë

Në këtë kontekst duhet thënë se rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk janë të detyrueshme, ato tregojnë vetëm linja apo qëndrime të shteteve të bashkësisë ndërkombëtare për tema të caktuara konflikti vendoset me shumicë dy të tretat nga Asambleja. Në Këshillin e Sigurimit rezolutata janë të detyrueshme nga ana e së drejtës ndërkombëtare, ato drejtohen ndaj shteteve apo palëve në konflikt, që rrezikojnë sigurinë ndërkombëtare apo shkelin të drejtën ndërkombëtare apo të drejtat e njeriut. Por ato mund të bllokohen nga vetoja e një anëtari të përhershëm të KS. Këtu SHBA qëndron me dorë mbrojtëse mbi qeverinë në Jeruzalem: Uashingtoni e përdor rregullisht të drejtën e vetos në lidhje me Izraelin.

Kjo ka sjellë një situatë të tillë, ku nga 140 rezolutat kritike për Izraelin të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nga viti 2015 deri më tani vetëm një është vendosur nga KS. Në vitin 2016 instanca më e lartë e OKB-së kërkoi ndalimin e zgjerimit të ngulimeve izraelite në zonat e pushtuara. Edhe këtu SHBA nuk votuan për rezolutën, por abstenuan. Ndërkohë në Asamble po merr udhë rezoluta e 141 e sjellë nga Jordania dhe disa vende arabe të premten e kaluar. Aty kërkohet armëpushim i menjëhershëm dhe qasje e pakufizuar e ndihmave humanitare në Gaza. Izraeli aty përcaktohet si "fuqi pushtuese", nuk përmendet e drejta e tij për vetëmbrojtje, gjë që u kritikua shumë ashpër nga ambasadori izraelit në platformën X.

Marrëdhënie me ditë të mira e ditë të këqija

Nga ana tjetër nuk duhet harruar se Kombet e Bashkuara ishin lloj "ndihmëse të lindjes së Izraelit" si shtet. Në vitin 1947 Asambleja e Përgjithshme -pavarësisht rezistencës së vendeve arabe - votoi planin e ndarjes së Palestinës të OKB dhe hapi rrugën kështu për themelimin e shtetit të Izraelit një gjysmë viti më vonë. Atëkohë Kombet e Bashkuara përbëheshin nga 57 shtete anëtare. Kjo shifër u rrit pas dekolonializimit, shumë shtete në zhvillim iu bashkuan OKB-së dhe ndryshuan kështu pikërëndesat politike të Asamblesë.

Pas Luftës Gjashtëditore dhe pushtimin si pasojë nga ana e Izraelit të zonave palestineze në vitin 1967 marrëdhëniet mes OKB-së dhe Izraelit u keqësuan. Që atëherë është rritur numri i rezolutave kritike të Asamblesë ndaj Izraelit. Nga ana tjetër vitet e fundit ka pasur disa hapa diplomatikë për afrimin më të madh të Izraelit me OKB. Në vitin 2012 për herë të pas ky vend mori postin e zëvendëspresidentit të Asamblesë së Përgjithshme. Në vitin 2016 Izraeli pati postin e kreut të Komisionit të Ligjeve. Megjithatë marrëdhënia mes Izraelit dhe Kombeve të Bashkuara mbeti e tensionuar, dhe shkallëzoi ndjeshëm pas fjalimit të Guterres. Portugezi 74 vjeçar asnjëherë nuk nihej si shumë kritik mndaj Izraelit, përkundrazi: në vitin 2020 Kongresi Botëror Hebreaik e nderoi Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e tij me çmimin "Theodor Herzl". "Për shumë vite", thuhet në fjalimin e mbajtur nga presidenti i Këshillit, Ronald Lauder, "Ju keni treguar, se jeni një mik i vërtetë dhe i përkushtuar i popullit hebre dhe shtetit të Izraelit". Tani për tani kanë marrë fund kohët për fjalë të tilla të ngrohta./DW

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave