Izraeli ka ndryshuar përsëri kurs dhe ka vendosur të lejojë njërën nga dy ligjvënëset e Kongresit amerikan që më parë i kishte ndaluar të vizitonin vendin.
Ministri i Brendshëm Aryeh Deri thotë se ligjvënësja Rashida Tlaib do të lejohet të hyjë për arsye humanitare për të vizituar gjyshen e saj 90-vjeçare në Bregun Perëndimor. Tlaib më pas refuzoi të shkojë.
Të premten Presidenti Donald Trump mohoi se ishte ai që kishte bindur Izraelin të ndalonte ligjvënëset Rashida Tlaib dhe Ilhan Omar, të cilat janë kritike ndaj trajtimit që Izraeli u bën palestinezëve.
Presidenti Trump tha se ai nuk e inkurajon apo dekurajon Izraelin që të ndalonte një vizitë nga ligjvënëset demokratike Ilhan Omar dhe Rashida Tlaib.
"Ato janë kaq anti-Izraelite, janë anti-hebraike. Nëse njerëz të tjerë do të bënin ato deklarata do të kishin pasoja të rënda. Por unë kam folur me njerëzit atje sigurisht”, tha presidenti.
Presideti Trump duket ta ketë sfiduar Izraelin në një postim në Twitter përpara se të merrej vendimi, duke shkruar, "Izraeli do të tregonte dobësi të madhe nëse lejon që
ligjvënëset Omar dhe Tlaib të vizitonin vendin. (Ato e urrejnë Izraelin dhe të gjithë popullin hebraik, dhe nuk ka asgjë që mund të thuhet ose të bëhet për të ndryshuar mendimin e tyre).
Ligjvënëset Omar dhe Tlaib kanë qenë kritike të zëshme të Izraelit dhe trajtimit të tij ndaj palestinezëve. Ato kishin në plan të vizitonin Izraelin dhe disa qytete në Bregun Perëndimor në ditët e ardhshme.
Udhëheqës hebraikë në shtetin Minesota që përfaqëson ligjvënësja Omar e kanë kritikuar Izraelin për ndalimin e vizitës së saj dhe Rashida Tlaibit nga Miçigani për shkak të mbështetjes së tyre për një lëvizje jo të dhunshme që kërkon t’i bëjë presion ekonomik Izraelit për t'i dhënë fund pushtimit prej tij të Bregut Perëndimor.
Ligjvënësja Omar më herët lëshoi një deklaratë ku thoshte se ndalimi i qeverisë izraelite për hyrjen e saj e pengoi atë të përmbushë detyrat e saj si anëtare e Kongresit amerikan - për të "kryer mbikëqyrje të ndihmës amerikane ndaj vendeve të huaja dhe për të sanksionuar praktikat e të drejtave të njeriut në të gjithë botën".
Në llogarinë e tij në Twitter, Kryeministri Benjamin Netanyahu, e justifikoi vendimin, duke shkruar se ligjvënëset kishin "shënuar destinacionin e udhëtimit të tyre si Palestinë dhe jo Izrael dhe. . . nuk kërkonin të takonin ndonjë zyrtar izraelit, qoftë nga qeveria apo nga opozita".