Blloqet e betonit që dikur shënonin Vijën e Verdhë, gjatë këtyre muajve armëpushimi janë kthyer në 32 poste ushtarake me llogore dhe në një barrierë prej 16 kilometrash. Në Gaza, inxhinierët e ushtrisë — sipas Haaretz, pas analizimit të imazheve satelitore — po e shndërrojnë këtë vijë ndarëse në një kufi të përhershëm mes zonës së kontrolluar nga ushtria dhe pjesës tjetër që kontrollohet nga Hamasi.

Kjo po ndodh edhe pse “plani i paqes” i propozuar nga Donald Trump parashikon tërheqjen e plotë të trupave izraelite. Kryeministri Benjamin Netanyahu e kushtëzon këtë duke thënë: “kur dhe nëse Hamasi çarmatoset”. Ai beson se një forcë ndërkombëtare, që ende nuk është krijuar dhe vendosur në Gaza, nuk do të arrijë ta çmilitarizojë territorin.

Përfaqësuesit e Shtëpisë së Bardhë u kanë propozuar militantëve që të dorëzojnë armët brenda gjashtë muajve. Hamasi e quan këtë plan “jorealist” dhe nuk ka ndërmend të japë përgjigje për sa kohë vazhdon lufta me Iranin. Nga ana tjetër, qeveria izraelite i konsideron si kërcënim edhe tunelet nën tokë; mendohet se rreth 150 kilometra prej tyre ende nuk janë shkatërruar.

Disa muaj më parë, shefi i shtabit Eyal Zamir e kishte quajtur Vijën e Verdhë “kufiri i ri”, një vijë mbrojtëse nga ku ushtria mund të nisë edhe sulme. Sipas gjeneralëve dhe vetë Netanyahut, herët a vonë do të jetë e nevojshme të rifillojnë operacionet ushtarake, pas sulmit ku u vranë 1.200 persona në jug të Izraelit nga Hamasi. Në dy vite lufte, janë vrarë mbi 70 mijë palestinezë.

Në gjysmën e territorit prej 363 kilometrash katrorë jetojnë të mbingarkuar mbi dy milionë palestinezë, shumica në çadra ose në rrënoja. Gaza është shkatërruar pothuajse plotësisht. Ndërkohë, përplasja me Iranin ka larguar vëmendjen nga planet për rindërtim dhe nga nevoja urgjente për më shumë ndihma humanitare./ Corriere della Sera