Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka pritur në një takim ditën e djeshme kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë.

Kryeministri Netanyahu ka firmosur dhe anëtarësimin e shtetit të tij në Bordin e Paqes në Blair House, lajm të cilin e bëri të ditur dhe nëpërmjet rrjeteve sociale.

“Përpara takimit tim në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Trump, nënshkrova pranimin e Izraelit si anëtar i "Bordit të Paqes". Ne do të vazhdojmë të forcojmë aleancën e pathyeshme midis Izraelit dhe SHBA-së”, shkruan Netanyahu në Twitter teksa ka postuar dhe foto krah Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe me dokumentin në dorë.

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu

Takimi i parë i Bordit është planifikuar të mbahet në Uashington më 19 shkurt në nivel liderësh. Tema kryesore pritet të jetë mbledhja e fondeve për rindërtimin e Gazës.

Kryesisht bisedimet gjatë këtij takimi u përqendruan tek klima politike në Lindjen e Mesme duke diskutuar për Iranin dhe negociatat e SHBA-së me Teheranin.

Trump tha se takimi ishte shumë i mirë dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve vazhdojnë të jenë të shkëlqyera, por nuk u arrit asnjë vendim përfundimtar. Ai theksoi se insistoi që negociatat me Iranin të vazhdojnë, me shpresën për një marrëveshje të re.

Nëse kjo është e mundur, do të ishte e preferueshme”, tha Trump, por shtoi se nëse nuk arrihet marrëveshja, do të shihet rruga e mëtejshme.