Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e ka cilësuar formimin e qeverisë së re të Kosovës si një zhvillim inkurajues pas më shumë se një viti bllokim politik.
Në një postim në rrjetin social “X”, Kallas uroi kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ky është një moment i ri për të avancuar marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës, si dhe dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Pas më shumë se një viti bllokimi politik, formimi i qeverisë së re të Kosovës është një lajm inkurajues. Urime Albin Kurti! Ajo që ka rëndësi tani është që të ecë me shpejtësi me reformat. Kjo është mënyra më e shpejtë për të zhbllokuar mbështetjen e BE-së me vlerë qindra miliona euro dhe për të pasur përparim në rrugën e saj drejt BE-së”, shkruan Kallas.
Gjithashtu zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian thekson se ky është momenti për të avancuar marrëdhëniet BE-Kosovë dhe dialogun Beograd-Prishtinë. Kallas shpreh ndër të tjera edhe gatishmërinë për të organizuar një takim të nivelit të lartë.
“Ky është një moment i ri për të avancuar marrëdhëniet BE-Kosovë dhe dialogun Beograd-Prishtinë. Jam gati të organizoj një takim të nivelit të lartë së shpejti”, thekson ajo.
Nga ana tjetër edhe presidenti Bajram Begaj ka uruar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për mandatin e ri qeverisës. Në një postim në Facebook, Begaj shprehu urimet për sukses në drejtimin e qeverisë dhe në avancimin e progresit, zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
Kuvendi i Kosovës u konstitua mbrëmjen e djeshme. Albulena Haxhiu, e cila ishte propozimi i LVV-së për kryetare të Kuvendit, arriti të marrë votëbesimin e 66 deputetëve dhe të zgjidhet në këtë post. Votëbesimin e deputetëve e morën edhe emrat e propozuar për nënkryetarë të Kuvendit.
Foto: Albin Kurti dhe Bajram Begaj
Presidenti Bajram Begaj, ka uruar Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Kryeministrin Albin Kurti për mandatin e ri qeverisës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Begaj i ka shprehur urimet e tij për suksese në drejtimin e vendit drejt progresit, zhvillimit dhe begatisë së qytetarëve të Kosovës.
Kreu i shtetit ka theksuar bindjen se përkushtimi dhe bashkëpunimi në dobi të shtetit dhe qytetarëve do të udhëheqin klasën politike të Kosovës në përballimin e sfidave të ardhshme.
"Urime Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit z. Albin Kurti! I uroj suksese në mandatin e ri, në drejtimin e Qeverisë drejt progresit, zhvillimit dhe begatisë së popullit të Kosovës.
Shpreh bindjen se përkushtimi dhe bashkëpunimi në dobi të shtetit dhe qytetarëve do të udhëheqin të gjithë klasën politike të Kosovës në përballimin e sfidave që janë përpara. Ju sigurojmë për vijimin e mbështetjes vëllazërore për Qeverinë tuaj dhe bashkëkombasit tanë", shkruan Begaj në rrjetet sociale.
Komente








