Shpesh, prindërit kanë shqetësimin që fëmija i tyre refuzon ushqimin, nuk ulet asnjëherë në tavolinë apo pëlqen ushqime të gatshme.
Ka prindër që i detyrojnë fëmijët të hanë ushqim duke i trembur me disa shprehje, që shpesh janë bërë zhargon tek ta, si: "duhet ta hash ushqimin se të vjen doktori, polici apo gogoli (miti i tij nga i cili çdo fëmijë ka frikë).
Sipas pediatres Lira Gjika, në një intervistë për A1 Report, tha se të gjitha këto shprehje vijnë si rezultat i sjelljes jo të duhur të prindërve. "E ngrëna është e drejtë personale e fëmijës. Në qoftë se fëmija refuzon ushqimin do të thotë që ai prind e ka ushqyer me zor".
Refuzimi i ushqimit nga fëmija vjen si një revoltë që ai bën ndaj sjelljes së prindrit. Lira gjika thotë që fëmija ka dy armë, të ngrënën ose gjumin. Ajo i argumenton sjelljet e prindërve, të cilët trembin fëmijët në mënyrë që të hanë ushqimin, me prindër "dembel".
Lira Gjika këshillon se "duhet të fillojmë me fjalën duke e njohur fëmijën, duke i dalluar të qarat e tij në mënyrë që të vendoset rregulli".
Sipas psikologëve, "Ushqimi është i lidhur me kënaqësinë". Këtë Lira Gjika e komenton se shpesh prindërit i vrasin kënaqësinë fëmijëve, duke i detyruar të hanë atëherë kur ata duan.
"Në qoftë se prindrit i vrasim këtë kënaqësi fëmijës, atëherë ata i privojnë perceptimin e kënaqësisë si në sferën shoqërore dhe në atë seksuale", tha ajo.
Etika e të ngrënit bëri diferencimin midis njeriut dhe kafshës.
Fëmija vjen me mendimin që duhet të ushqehet që të ekzistojnë. Edhe në këtë pikë, pediatria Lira Gjika thotë se "Ushqyerja që bëhet vend e pa vend pa e zgjedhur ushqimin është një frikë apo angari e prindrit".
Një pikë e rëndëshishme e etikës së të ushqyerit të fëmijës nga prindërit është rregulli i uljes në tryezë si dhe mënyra e vendosjes së ushqimit, ku fëmija duhet të mësohet me etikën e të ngrënit me thikë, lugë e pirun.
"Në qoftë se i rrituri nuk i vendos në tryezë fëmijës thikën, pirunin dhe lugën se mos vriten fëmijët, këto janë dyshime frike të të rriturve. Në qoftë se të rriturit kanë dyshim tek fëmija, kjo është e rrezikshme sepse fëmija përveç dyshimit të vet mbart dhe dyshimin e prindërve", tha Lira Gjika.
Rritja e fëmijës është një bashkëpunim mes të rriturit dhe të voglit. Rregullin e parë njeriu e vë tek ushqimi dhe gjumi.
Në qoftë se prindërit nuk zbatojnë një rregull të caktuar mbi ushqimin dhe gjumin e fëmijës, atëherë ata e kanë të vështirë të bindin fëmijën për të ngrënë ushqimin në orarin e tij.
Shpesh nënat e reja, sipas Lira Gjikës, shkelin etikën e të ngrënit me foshnjën e tyre.
Në momentin që foshnja qan, nënat e reja i vendosin në gji. Por, fëmija ka 12 të qara dhe sipas Lira Gjikës, duhet t`i kuptosh të qarat e fëmijës dhe pastaj të veprosh.
“Shpesh gratë i japin gji foshnjës së tyre kur ai qan. Kjo do të thotë që qumështi i nënës është bërë si një ilaç qetësues dhe jo ushqim i shëndetshëm. Duhet kuptuar e qara e foshnjës”, shtoi Lira.
Në fund të intervistës, Lira Gjika e përfundoi mendimin e saj për ushqyerjen e duhur të fëmijëve me një fjali.
“Rritja e fëmijës është treguesi i nivelit të një vendi dhe të një shoqërie”. Redaksia Online (m.z/shqiptarja.com)