Ja dhe shtatori iku, po tani?

Ja dhe shtatori iku, po tani?

Ja dhe shtatori iku, u pushua së foluri për babalet dhe shumë gjëra të tjera, ja dhe “revolucioni popullor” nuk u bë, po tani, tani çfarë do të bëjë Lulzim Basha dhe opozitaristët e tij besnikë të revolucionit? Asgjë, asgjë nuk do të bëjnë, asgjë nuk do të thonë, veçse në rast se shpikin dhe paralajmërojnë ndonjë tjetër “kasetë” me ndonjë oficer ushtrie apo prefekt qarku, sepse vetëm ata kanë mbetur tani pa u bërë objekti i një opozite, e cila ka firuar nga vetja çdo gjë të mirë që kishte mbetur. Atë çfarë Lulzim Basha kishte paralajmëruar qysh 3-4 muaj më parë se “do ta shihni në shtator, do ti tundim themelet qeverisë dhe kryeministrit” e mori lumi, u thërrmua sapo u përshfaq në ekranin e mjegullt të opozitës, e cila nuk ishte kujdesur aspak të gjente dikë “pa cen” në biografi, por ishte mjaftuar me një ish-oficer policie që sipas njoftimit nga Policia e Shtetit, veçse dezertonte nga detyra.

Shtatori në fakt mbetet dobësia e Lulzim Bashës, mbetet muaji i shpresës se “ndryshimi do të vijë një ditë dhe ne do të vijmë në pushtet”, por deri atëhere ishalla kjo opozitë ka ndryshuar mëndje, dhe ka vendosur të bëhet vërtetë serioze dhe e besueshme. Në shtator në fakt (dikur) kanë ndodhur mjaft gjëra të rëndësishme për këtë opozitë, kanë ndodhur protesta dhe rrëmuja, me armë dhe pa armë, dhe janë shfrytëzuar mrekullisht nga kupola e saj drejtuese dhe pushteti.

Ndoshta këtë kërkon të bëjë edhe Lulzim Basha, por nuk po gjen rrugët të arrijë deri atje, tek protesta dhe “revolucioni popullor”. Kjo pasi të arrish deri atje, duhet të jesh lider partie, duhet të jesh vizionar dhe jo imagjinar, duhet të jesh realist dhe jo pragmatist, duhet të jesh i besueshëm dhe jo dështak. Scoop-i më i fundit me regjistrimin e një ish-oficeri policie, ishte dhe do të mbetet për një kohë të gjatë për këtë PD një njollë e zezë turpi, nga e cila opozita doli edhe më e dobët, edhe më e pashpresë për të ardhmen e saj politike.

Shtatori ishte paralajmëruar nga lidershipi i kësaj opozite si “muaji i bashkimit”, pasi pranë saj u atashua edhe PDIU, një parti kalimtare, e cila nuk ka gjasa të jetë kurrë më parlamentare, dhe që ka ndikuar negativisht tek partiçkat e tjera që Lulzim Basha mban pas vehtes. Shtatori ishte paralajmëruar qysh herët nga Lulzim Basha dhe ervinët e tij se do të ishte “muaji skandaleve, muaji sulmeve, muaji rrëzimit të Ramës”, duke harruar se qeverinë, skandalet dhe sulmet opozitariste, i bëjnë gjithmonë partitë e fuqishme, partitë me peshë në elektorat, dhe natyrisht partitë që ngjallin shpresën dhe besimin. Kjo opozitë ka afro 6 vjet që veç mungesës së alternativave politike, afron edhe gjuhën e urrejtjes, nxit dhe sygjeron dhunën verbale dhe fizike, duke shkelur rregullat e lojës dhe jetës politike.

Edhe në rastin më të fundit, kjo opozitë nuk mjaftohet dhe nuk rresht së abuzuari me fatin e një vajze të dhunuar, nuk rresht së bëri politikë me fatin e një vajze, e cila kërkon sot më tepër se kurrë ndihmë të sinqertë nga organet hetimore dhe gjyqsore. Çdo fatkeqësi, çdo ngjarje e ndodhur që ka për protagonist ndonjë “emër të lidhur me pushtetin” për këtë opozitë është një festë e madhe, pasi është moment kur mund të akuzosh dhe denoncosh edhe pa fakte pushtetarët, ministrat dhe deputetët.

Njollosja, baltosja, fyerja, akuzat, sajesat, mbeten “arma” më e fortë me të cilat kjo opozitë po kërkon prej vitesh të bëhet protagoniste në misionin e saj të pamundur. Çdo ditë nga zyrat e ervinëve, dalin me dhjetra e dhjetra gënjeshtra, me dhjetra e dhjetra mashtrime dhe fjalime të mbushura me broçkulla, me imagjinata dhe ëndërra me marrje pushteti, duke u kthyer në diçka normale pastaj edhe kur e vërteta i kthehet kundër.

Si mund ti besosh një partie të tillë, ku fjala e parë kur kritikon dhe kundërshton “aksionet opozitariste” që duken si lojra luftash në lagje, mbetet “ ti je komunist, ti je tradhëtar, ti je njeri i blerë nga Rama”. Si mund ti besosh një partie që pas çdo dështimi të Lulzim Bashës, pasanikët e vjetër dhe të rinj, i bëjnë gjyqin njëri-tjetrit në zyra dhe kafene ? Dhe e fundit, si mund ti besosh një kryetari që ka 6 vjet që premton se “shtatori është fundi i këtij pushteti”, apo se “dita jonë po afron, ne do të vijmë në pushtet me votën e lirë”, kur 1 vit më parë ai ka ardhur në krye të partisë, pikërish pa votën e lirë./ TEMA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e biznesmenit Reçi/ Dervishi në ‘Sot, Live në Shqipëri’: Një polic që trajnohet t’i zgjidhë konfliktet e qytetarëve, por që vetë vepron ndryshe!

Vrasja e biznesmenit Reçi/ Dervishi në ‘Sot, Live në Shqipëri’: Një polic që trajnohet t’i zgjidhë konfliktet e qytetarëve, por që vetë vepron ndryshe!