Ja e vërteta e marrëdhënieve me
austro-hungarezët/Letra e panjohu

Ja e vërteta e marrëdhënieve me<br />austro-hungarezët/Letra e panjohu
TIRANE- Gjeçovi, fryt i françeskanizmit shqiptar, “Lartësi  përulur”, si shprehej Konica, qe mendje e shëndetshme e prirun kah interesa të larmishme shkencore e zemer e dhanun për virtyte  të theksueme fetare e kombtare.  Ka hy në panteonin shqiptar si intelektual i madh, e  u ba themeli; si karakter burrnor, e u ba identitet, si dinjitet françeskan, e u ba martir.

Pader Shtjefen Gjeçovi, vlerëson Legata Italiane në Beograd, asht një figurë fetare simpatike, person shumë i sinqertë e i vendosun; i guximshem e i paperkulshem, persa i takon zyrës së tij fetare e ndjenjave kombtare”.

Ka mbetë nji trashigimi deridiku e pasun nga leterkëmbimi i tij. Pasunia e vlerave të epistolarit të Gjeçovit nuk ka  fitue ende vlerësimin mirënjohës dhe të merituem. Gjeçovi ka qenë një personalitet aktiv,  fort aktiv, pjesëmarrës i gjallë, i hapun,  shumë shprehës e emocional; herë-herë impulsiv, por gjithmonë i drejtë.

Ka mbajtë një korespondencë të rregullt, të dendun, të çmueshme:  miqsore e zyrtare, kombtare e shkencore, shoqnore e fetare me shumë autoritete të shqueme në fushat e dijes, kulturës, shkencës. Kështu na trashigojmë një leterkëmbim sado të damtuem, prap, deridiku të pasun, të larmishem, të besueshem ku jetojnë interesat e tij shkencore e kombtare, ngrohë me ndjenjat e tij intime e të fuqishme, shpesh edhe me bula shperthyese.

Në një monografi ( me material mjaft të pasun, edhe nga leterkëmbimi i tij, por edhe me ndonjë mendim të diskutueshem) per Gjeçovin shkruhet: “… Nga një njoftim i shtypit në prill 1914 marrim vesht se Gjeçovi punonte dhe perpiqej ta botonte veprën sa më parë, që të mundej, por nuk arriti ta realizonte me sa duket për arsye që nuk vareshin prej tij. Ishin këto shkaqe politike (qëndrimi i tij ndaj shteteve të huaja, ndaj aristokracisë së klerit françeskan – Fishtes me shokë, ndaj regjimit të Zogut) Krerët e Urdhërit françeskan … për egoizëm e cmirë ndoshta e penguan botimin e saj…”.

Nga kujtimet e kolegëve të Fishtës, mbaj mend, se V. Volaj, sekretari dhe njohësi ma i mirë i Fishtës, J. Rrota, M. Sirdani, më thojshin: “Fishta ka pasë nder shokët e ngushtë tre Janjevas: fretnit Pal Dodaj, Gjeçovin e Lorenc Mazrekun”, bashkëstudentë, bashkëvëllazen françeskanë, bashkëveprimtarë. Këtej, u nguta të lexoj korespondencën e Gjeçovit.
 
Letra të Fishtës si  pergjigje kundershtuese:
Shkoder, 17 kallnuer 08
I dashuni Pader Shtjefen,

Tue kenë se dorëshkrimi yt flet per kater punë që nder ne kanë një randësi të madhe fort, e kemi pleqnue me P. Pashkon me e shikjue fill e per pe që mos të ketë kurrnji gabim gjuhet a ortografiet e sidomos që mos të ketë kush se shka me thane per fjalë që shkruen si kah feja, ashtu kah urtia. Prandej ka me u dashtë do kohë perpara se t’botohet.

Kam folë me Kral per ket dorëshkrim i cilli asht gati me shkrue në Ministri  per me e botue, veç pret që vetë me pak fjalë t’i shkruej se permbi shka ka me folë libri yt: shka s’mundet me  u ba perpa e mbarue së qortuemit. Tash e ka P. Bardhi e asht tue e shikjue e tue vu n’oroe se shka asht per t’u qortue.

Kam uzdajë që ty nuk të jet (mbetë) hatri per qortime.
Po t’falet me shndet fort e fort  
Fishta
 
Mbështetë në shoqninë intime, Fishta i nderhynë Gjeçovit:
Shkoder, 30 korrik 08
Librit t’tand ia kam njitë emnit “Agimi i Gjytetnisë”, pse m’asht dukë që spjegon ma mirë fjalët që janë mbrendë t’shkrueme’ e n’vend t’emnit Kunora e Lurës, (pseudonim me të cilin nenshkruen veprën, shen.K.C.) kam vu shkrojat P.S.K.G. OM që t’merret vesht se kush e ka shkrue. Kaq fort më ka pelqye.

Ti ishe merzitë fort per punë që libri yt n’Sarajevë ka zgjatë shumë per me u shtypshkrue, por t’a diejsh se unë nuk të kam pasë faj. Baron Nopça m’tha, se ai ka çue tash dy vjet me botue një liber n’Sarajevë e se nene s’asht krye së shtypshkruemit. Pra, duhet me ba saber. (Fishta – Gjeçovit).
 
Edhe pse kanë pasë ndonjë mosmarrëveshje, Emzot Serreqi e çmoi me konfidencë:
“Emzot Serreqi m’ka çue fjalë që me e shtypshkrue librin tand, pse paret e ka da (caktue) me i la (pague) vetë, veçse don njiherë me dijtë se sa mundet me kushtue. T’shtunden ka me çue dorëshkrimin n’Sarajevë”. (leter e Fishtes drejtue Gjeçovit, 1908).

Edhe jezuitët, që kritikohen pa të drejtë, (“Vepra për arsye  të ideve patriotike përparimtare që përmbante, u pengua nga jezuitët e Shkodrës”) i kanë kerkue Gjeçovit dorëshkrimin e vepres “Zhan D’Ark” per t’ia botue gratis. Ja letra dokument:
I dashuni Pader Shtjefen,

M’kanë thanë Jezuitët me të pvetë, a don me shtampue nner ta “Giovanna D’Arc, pse ata janë gati me ta shtypshkrue pa pare.
Më shkruej mue ma para.
Të falet me shëndet
Fishta

Kështu, kemi dokumentue se Gjeçovin e kanë dashtë, çmue e nderue, kleri në pergjithësi, kleri dioqezan, (arqipeshkvi, Dom Mark Vasa, treshja e priftenve kosovarë, etj.); kleri françeskan (Provincali, Fishta etj.) e jezuitët, (Rektori etj.). Këtej, del jo i vertetë pohimi i masiper: “Kleri e luftoi aq shumë”. Kalimthi po shenojmë se Fishta botoi një artikull të bukur në HD, (pa emen autori, por i identifikuem prej meje si i Fishtës) per veprimtarinë kombtare, shoqnore e letrare të Gjeçovit. Kuaroni e cilëson “predk pasionant” homelinë që mbajti Fishta në ceremoninë mortore per Gjeçovin. Kleri bani një memorandum ku kerkoi të hetohet ngjarja e të gjinden fajtorët.

Kleri dioqezan D. Luigj Gashi, D. Shtjefen Kurti e D. Gjon Bizaku e banë çeshtje nderkombtare, tue dergue raport në Lidhje të Kombeve, në vend u banë manifestime e protesta, ndersa parlamenti mbajti 5 minuta heshtje.
Një leter tjeter:

Në Beqë ( Vjenë) kam folë me prof. Jagiç e me do tjerë profesora t’Akademisë e u kam permendë veprën “Visari kombtar” e ata më thanë se janë gati me e marrë per Akademi ket punë e se kanë me ma pague mundin. Kanë pesë milion korona gati per Ballkan. Pra, çalltis me mbledhë sa ma parë Kanunin e Malcis, pse ata i napin emen t’ madh fort; por çalltis me e mbledhë sa ma mirë të mundesh, pse do t’çohet n’Akademi.

Dr. Paç t’asht falë me shëndet fort e fort.
Krejt i yti
Fishta

Fishta e nxiti Gjeçovin të mblidhte Kanunin, porositi të perkthehej në gjuhë të hueja, këshilloi të studiohej thellë se do t’ia çonte Akademisë së Austrisë.
Herë pas here, Fishta e ngucte Gjeçovin: “ Per në daç mos me u merzitë edhe mbas tashit, filloje at punë qi t’kam pasë vuu n’porosië; “Kanun e Maleve”. Më shkruej per çdo nevojë. (Shkoder, 20.V.07).
2).Nga një leter e Fishtës dergue Pader Pal Dodës, Livorno, 19  fruer 1935:
Deri ku ke shkue me perkthimin e“Kanunit të Lekës”?
Guxim! Vazhdo me shkrue e me dashtë Gjergjin tand”
I dashuni P. Shtjefen

 Të dielen qi shkoi na kemi pasë nji kremte kombtare fort t’bukur n’Arqipeshkvii të Shkoders:
Arqipeshkvi e Klubi “Gjuha Shqipe” m’kan dhanë kunoren e larit per poet kombtar. Poos Arqipeshkvit e Pariis  s’Klubit, kanë kenë Korsulla me Mayerauser, D. Gjoni, P. Françesku e Gici e katermbëdhet freten tjerë. Ligjeratën e parë e kaa baa Ndoc Coba, si Kryetar i Klubit e kaa folë shqyp për bukurii; s’dytit ka folë Sereggji, mandej D. Gjoni e P. Pashku. Fretenve u asht baa qejfi fort per ket punë,  qi Sereggi e Klubi e kanë paa me udhë me baa per mue.

Kunora asht sermit e punueme n’Shkoder me shumë mjeshtrii, sikurse edhe rrethi (suaza) qi u ka kushtue dy napolona e gjysë, m’kanë  thanë. Perpoos kunoret, m’kanë dhanë edhe nji drejtim – dedica – t’nenshkrueme prej Sereggit e prej Kryetarit të Klubit. Deshta me t’a shkrue ket punë, pse e dii qi t’bahet qefi e t’gzon zemra per mue. (boldizimi e shenimi janë të artikullshkruesit. Letrat botohet per herë të parë). E njimend punë maa të madhe per vedi un nuk kishe mujtë me pritë a me lakmue. Mue m’asht baa qefi nja per nja si me ma pasë dhanë nji akademi; pse shka mund t’lakmoj un per vedi maa teper se me m’nderue kombi em me nji dhuntii aso doret.

P. Gj. Fishta
Në Arkiv gjindt edhe letra e Gjeçovit që uron Fishtën per titullin “Poeti kombtar” dhanë nga Klubi Gjuha Shqipe.
(Letrat e siperme botohen per herë të parë dhe gjinden në AQSH).

Dhuna turke e serbe:
Askush nuk e ka pasqyrue ma saktë, ma plotë e ma me vertetësi dhunën turke e serbe, në ndonjë rast atë të ushtarëve austriakë e ma vonë Italianë, se famullitarët e malsive tona: e kanë perjetue e vuejtë vetë, e kanë  mbledhë në popull  dhe e kanë paraqitë me realizem rrënqethës, tue e ruejtë nder letra të shkrueme. Frati i pendës dhe i pushkës nuk ngurroi, as nuk u friksue të pasqyronte gjendjen kaotike në malsitë tona ku malsorët, jetojshin mes vuejtjeve kercnuese, zollumeve turke e dhunës serbe, që perfshinë premtime, mashtrime, perhapje lajmesh të rreme, pabesi, dinakëri, presione, plaçkitje, vjedhje, djegie, masakra, burgime, vrasje e deri pastrim etnik. Reparte turke i çarmatosshin, grumbullime turke i plaçkitshin, serbët i digjnin shtëpitë e shqiptari i ngratë nuk kishte ku të ankoheshe as si të mbroheshe.

Në korespondencën Doçi-Gjeçovi hidhet dritë mbi dhunën serbe, mbasi Abat Doçi ka porositë të gjithë bashkëpunëtorët e vet të dergojnë të dhana per dhunën serbe dhe i pohon Gjeçovit se të dhanat e tueja “më ngjajnë ma të verteta”. Gjeçovi u doli zot fshatarëve kundra zollumeve serbe, shpesh nderhynte   t’u jepet edhe bukë deri në korrë të re; u perpoq me lirue fshatarë nga burgu… Mosmarrëveshja Gjeçovi-Doçi nuk asht pa mirë nga disa studiues. Gabimi randon mbi Gjeçovin.
 
 Gjeçovi e Austro-Hungaria
Marrëdhaniet e Gjeçovit me Austro-Hungarinë nuk janë pa mirë në të kaluemen.
Gjeçovi ka pasë marrëdhanie, sidomos per çeshtje shkollash, me shumë personalitete austrohungareze, si: Ipen, Kral, Baroni Abele, Leihanec, Halla, Këiatkovski… etj. Në epistolarin e Gjeçovit, të pabotuem, del qartë se Gjeçovi i falet nderës qeverisë a-h, e quen bamirëse, per ndihmat e mëdha që ka dhanë per shkollat shqipe dhe e lavdon. Korespondenca e Gjeçovit vlenë të studiohet edhe per historik shkollash.

Kral: “Shkolla e Gomsiqes do të zajë një vend nderi ndermjet shkollave tjera shqiptare”. Gjeçovi ka kerkue ndihma per shkollën e Gomsiqes, të cilat Krali ia plotësoi. Ka kerkue edhe harmonium, për të cilën Krali i shkruen: “Per harmonium asht heret”.

Sa shkruhet: “Për arsye të qëndrimit të tij patriotik Provinca françeskane u detyrua ta largojë Gjeçovin nga Vlora dhe ta emërojë në Rubig të Mirditës, nuk asht mendim i saktë. Gjeçovi u largue nga Vlona, mbas fitores së Luftës së Vlonës. Duhet dijtë edhe se famullia e Vlonës varej nga kryeipeshkvia e Durrësit e jo nga Provincialati françeskan.

Perpjekja e etshme e dijes marksiste-leniniste per të nda, mënjanue, largue, veçue, per të prerë lidhjet e anmiqsue ndonjë klerik prej klerit, per të paraqitë kontradiktat e klerit të lartë me klerin e ultë, e hierarkisë klerikale me klerin popullor, ka qenë detyrë e porositun e perfituese e dijes marksiste-leniniste. Ilustrojmë me D. Ndre Mjeden, D. Nikollë Kaçorrin, P. Shtjefen Gjeçovin etj.

 Kryetari i Akademisë së Shkencave shkruen: “Duke përmbledhur do të themi se ky qëndrim patriotik  e demokratik i Gjeçovit e vuri e do ta vinte doemos Gjeçovin përballë udhëheqjes së klerit katolik me njerëz si Gjergj Fishta, Pal Dodaj, Pashko Bardhi etj. të cilët ishin gati për çdo kompromis me fuqitë e huaja në dëm të interesave kombëtare…”. Dhe shton: …” në kushtet e Shqipërisë së ndarë në shumë fe, kjo donte të thonte se kleri katolik kërkonte zhvillimin e një kulturë të veçantë krahinore, mbi baza fetare, në dam të unitetit të kulturës popullore, kombëtare…”. (shih: “Sh.K.Gjeçovi 1874-1929 nga jeta e veprimtaria” A.Buda, S.H. 4, 1979).

Në fakt, Gjeçovin e dergoi në Vlonë me mision patriotik, pikërisht, njajo udhëheqje që kritikon Kryetari.
Françeskanizmi shqiptar, fort i ndieshem ndaj gjendjes e ngjarjeve kombtare, dergoi Gjeçovin në Vlonë, në vitin heroik 1920.
Po paraqesim një leter ( e pabotueme ma parë) dergue Serafino Cimino, Ati Provincial i Pergjithshem, per nisjen e Gjeçovit në Vlonë, 1920. Letra ka datën 4 maj 1920.

Shkelqesi,
Sikurse e pata lajmue Shkelqesinë t’Uej jam tue e nisë At Shtjefnin K. Gjeçov per famullitar në Vlonë i cilli asht atdhetar i flakët. Shpresa më mban, se me t’shkuemit e tij në Vlonë kena me pasë fat që të shofim vijimin e mbarë të punëve t’Shqypnisë e në pak kohë do të mrrimë (arrijmë) me pa Flamurin t’onë tue u perhjedhë edhe në Vlonë.
Tue kenë se At Gjeçovi s’njef kend në Vlonë, i lutem Shkelqesisë s’Uej, që të keni mirësinë me e porositun miqve t’Uej që keni atje e t’i gjinden ndihmë e krah. Edhe i porosis bujarisë s’Uej per ndonji ndihmë se s’ka me gjetë gja në atë famulli të re.

Me ket rasë, po ju dergoj letrën qarkore t’emen që ia drejtova fretenve të mi e Ju lutem që t’i sjellni sytë sidomos faqeve 12 B të saj ku keni me mujtë me pa urdhnin t’em që u nap fretenve të mi  që të perkujdesohen me çilë mësojtore nder famullina. (letra botohet per herë të parë dhe nuk ka nënshkrim). Kuptohet që Gjeçovi per çeshtje të hapjes së shkollës, asht në zbatim të urdhnave të eprorëve, pa mohue nismen vetjake.

Dhe asht per t’u çuditë, kur lexon nder tekste serioze shprehje të tilla: “Duket qartë se Gjeçovi deshi të jepte me ndergjegje mësimin e gjuhës shqipe, t’i sherbente para së gjithash çështjes kombëtare, por kjo gjë e çoi në konflikt të mprehtë me Urdhërin Françeskan, bile edhe me vetë Kongregacionin e shenjtë, me Vatikanin”. Po Propaganda Fide, Kongregacioni i Shenjtë hapi shkollat e para shqipe në Shqipni, nxiti, lejoi dhe sponsorizoi veprat në gjuhën shqipe, dergoi misionarë per të perhapë fenë në gjuhën shqipe, botoi të parën gramatikë shqipe në Ballkan etj.,etj.

Në Vlonë e priti me bujari të perzemert famullitari i Vlonës Dom Mark Vasa. Gjeçovi shkruen: ”Bafti i em asht që kam gjetë Dom Mark Vasen, i cili deri tash më ka mbajtë  në darkë e në mjesditë në shpi të vet, se sa per kapelanin e këtuhes (italian, shenimi i im, KC) kishe mbetë në rrugë të madhe...Në një leter tjeter shkruen: “Shumë i detyroi Z. D. Mark Vasës, i cil ma ka mbajtë dorën si me më pasë pasë vëlla, por derikur ma se më xehen sytë”

D. Mark Vasa, patriot i thekun, mbajti gazetën “Mbrojtja kombtare”, u ndoq e u perndoq, u keqtrajtue e u internue per veprimtari patriotike me gjithë fisin e vet nga komanda italiane. Kerkoi me kambëngulje me hapë shkollë per 100 nxanës me konvikt.

Gjeçovi në një leter nga Vlona, 2.IV.1920 shkruan: “Janë tue ba hapa pranë autoriteteve (kupto: pranë autoriteteve shtetnore) të këtushme per me më hjedhë mue e per me prue një meshtar italian”.
Në epistolarin e vet Gjeçovi shkruen:” …Ushtria italiane asht sjellë tepër vandalisht edhe s’ia ka lanë as vedit, as kombit taljan ndonji nder. As halldupi nuk pat ba shka kanë ba këta në këta dy muej të luftës. Shnjerzim, shnjerzim e mjaft sa  tash kanë me dale të gjitha në fushë. E firmosë: A.Sh. Gjeçov – famullitari i Vlonës shqyptare. Letra ka datën 10 gusht 1920.

Gjeçovi shkruen në leterkëmbimin e tij: “Z. D. Mark Vasa, mbas sa mundimesh që hoq me shqyptarët e Vlonës në tretni (internim, shen. im) kje lirue tesh nja tri javë” (AQSH, F.58, D.21, f. 67). Ndersa në një leter tjeter lexojmë: “Jena tue u ba gati per me pritë me lumni burrat e dheut që e çliruen Vlonën me një trimni të pashoqe, të cillët do të hyjnë ngadhnjyes në ketë qytet me 18 (gusht, shen.im) të këtij moji e lagjja tjeter e luftarëve me shumicë të madhe do të hyjë në ketë qytet me dy të vjeshtes së parë. Edhe ata do të priten me madhni prej zotnive e zojave, sidomos muslimanë të këtij qyteti”.
  
Gjeçovi dhe Nopça
Kishin marrëdhanie ndermjet tyne: Nopça i kerkonte ndihmë e informacione, i kerkonte bashkëpunim e obekte materiale, per studime e krahasime, e falënderonte dhe e uronte per punën shkencore. Në këte leterkëmbim ka theks  miqsor, por që nuk perjashtohen raste kritike madje edhe të rrëmbyer. Në një post scriptum, Gjeçovi shenon: “I pergjegja Baronit tuj ia njehun t’pabesitë e tija (1914)”.

Dushman, 8/09
I Nderuemi famullitar
Jam marrë pak me arkeologji në Dushman e kam gjetë 4 vazo të tipit Nr. I dy pa stolisje, dy me stolisje Nr. I a e Nr. b Perla të qelqtë ngjyrë të gjelbër ( II a) e smaltoje II b. Kjo perlë smaltoje më intereson shumë, sepse unë besoj që  kam pa në koleksionin tuej perla të ngjashme.

Ju lutem të jeni i njerzishem t’i krahasoni këto të miat me objektet tueja e të më njoftoni rezultatet.
Objekti ma i bukur që kam gjetë unë një vazo terrakotë e tipit grek.
Në të njajtin vend kam gjetë 6 heshta hekuri e një perlë të birueme nga fije bakri, ngjyrë qelibari. Natyrisht unë jam shumë i kënaqun për këtë rezultat dhe mbetem me përshëndetjet ma të mirat.

Nopça
firma
(AQSH, F.58, D.95/ersën35).
Në një leter tjeter, drejtue Gjeçovit, pa datë, i shkruen: “Vazot e gjetuna në Dushman më duken se janë greke. Kishe dashtë me pa objektet tuej të Shurdhahut. Gjurmë të një pune të tillë duken edhe në Dushman”(AQSH,F.58,D.95/35)
 
Gjeçovi – Jokli
Në “Balkanlateinischen Studien ( Studime të latinishtes ballkanike), vepër shkencore, Norbert Jokli shkruan këtë autograf: “Punëtorit të palodhun në arë të gjuhës shqipe At Shtjefen K. Gjeçovit me të faluna prej zemre ia jushton. Gjermanisht asht e shkrueme: “...Per mue asht detyrë e kandshme me iu falë nderes dashamirësisht Gjeçovit per informimin miqsor”(perkthye prej meje).
Norbert Jokl

Vjenë, 5/I/1929  (F. 58, D. 99, v. 1929).
Gjeçovi midis vlerësimeve objektive e thashethemeve dhe akuzave të pabaza: (xjerrë vetem nga korespondenca e tij per ilustrim).
Legata Italiane në Beograd e vlerësonte:
“... Jo vetem si meshtar zelltar, por edhe si njeri me famë europiane”.

Kryeip. Primo Bianku:
...Subjekti i pershtatshem per famullinë e Laçit, sa njof vetë, asht Pader Gjeçovi, i cili ka sherbye në famullinë e Laçit per pesë vjet të mira me kënaqsinë time ma të madhe, si dhe të famullitarëve prej të cilëve ishte i dashun si pader i vertetë sikurse duhet ta dijë atsia shumë e nderueme jueja nga vizita e mbrame në famullinë e Laçit, popullsia e të cilit Ju lut ta dergoni persëri.

 Prandaj, po kthej me Ju lutë nxehtësisht të keni mirësinë me emnue me definitorin e ardhshem të Laçit P. Shtjefen Gjeçov, i cili njef mirë jo vetem famullinë e vet, por krejt Kurbinin popullsia e të cilit e donte e nderonte dhe i besonte.
Primo Bianku kryeip. i Durrësit
(AQSH, F.58, D.100), origj. It.).
 
Elbasan, 12 gusht 192
Të  ndertit At Pal Dodaj
Provincialit Françeskan të Shqypnis
Shkoder
Fort i Nderti At

 Sa per Rexhep Shalen s’flas, se ai nuk kursen vedin per ne, por edhe Stavro Vinjau, i cili, permbasi m’a dorëzoi letrën të ndënshkrueme e të vulosme prej ti, m’a shterngoi dorën tuj më thane: “Une gezohem e kënaqem që kena asi atdhetarësh që nuk kursejnë mundin e djersën per të mirë të kombit e per të mbledhun të visarit kombëtar! Ju uroj të mbarën në punë”.(AQSH, F.58, D.21 v.1924).
 
Gjeçovi – Uniatizmi - Noli
“… U nisa te kryeministri Emzot Fan Noli e me 29-VII-924 n’orën 11.30 para dreket, hina te i permenduni, i cili më priti me dashuni e buzëqeshë. U pershëndeta me te e mbasi e pershëndeta edhe prej anet t’Uej, mora zemer e fola me te mbi çashtjen t’onë. –

--Shkelqesë, i thaçë, kam pasë nderin të njifemi me Ju në Vlonë në vjetin 1920 e, qysh atëherë më keni pasë thanë se perpiqeshi per bashkimin e kishave.
---E vertetë, më pergjegji, e jo veç atëherë, po edhe sot jam n’atë mende”.
-Gëzohem, i thaçë, me Shkelqesën t’Uej!. Po, a ju xu gja me gojë mbi ket çashtje, kur kje At Fishta në Tiranë?
- Po, At Fishta foli me mue e, sikurse i kam thanë At Fishtës, ashtu po Ju them edhe Juve, se unë sot si Kryeminister i Shtetit Shqyptar nuk mund të perzihem në një t’atillë punë, porse të jeni të sigurët se menden e zemren e kam per bashkim me Kishen Katholike.

Posë këtyne fjalëve, mora guxim t’i them:
-Shkelqesë, tashti Ju flas si një Kryeipeshkvit të Durrësit e jo Kryeministrit, a ban me ju  lypë një adhesjon t’Uej per qellim të permendun?
-At Shtjefen, më tha, sa per adhesjon t’emin per sot e sa të jem Kryeminister, nuk mund t’ju nap me shkrim, por të jeni  sigurët se, t’u liruemit prej kësaj zyrje, prej së cilles edhe shpejt  do të nap dorëhjekjen. (Pra, Noli që në korrik të vitit 1924 deklaron se do të jape dorëheqjen. boldizimi dhe shenimi per doreheqjen janë miat, KC).

Nolin e kemi me vedi.
Nuk e ngava ma, por veç e pëveta, a mujshe lirisht me hi në marrëveshtje me priftent e Elbasanit e sidomos me xavesin t’Uej që e kemi n’atë gjytet? Aj më tha:
Me xavesin t’em mos u çil, sepse asht fanatik, e me të tjerë priften si t’shkojsh sjellu.
U dava me te, i mora dorën e dola prej Kryeministrijet. (AQSH, F.58,D.21,e botueme ma parë.)    

Edhe një kartëvizitë e Nolit:
           18 shkurt 1922
Të përnderçimit At Shtjefen Gjeçovit
I përnderçim At: Mora letrën tuaj më datën 28 Kalendar e Ju falem nderit për fjalët e mira që më shkruani.
    Ju përshëndosh e mbetem
Juaji me Krishtin
Fan Noli
 
Bashkëpunimi françeskan
Bashkëpunimi intelektual, mbledhja e diskutimi i materialeve, anonimati e falja e autorësisë janë atribute françeskane. Pjesëtarët e Provincës, veç detyrave fetare kishin detyra të perbashkëta dhe të veçanta. Më thonte Pader Donati se i kemi pasë nda detyrat: P. Bernardini me mbledhë Ciklin e Veriut; P. Viktori përrallat kombtare; P. Marini gojëdhanat per ; Gjeçovi Kanunin e  Lekë -Dukagjinit; D. Nikollë Gazulli fjalën e rrallë...

Po sjellim një ilustrim nga koresspondenca Palaj-Gjeçov. P. Bernardin Palaj, mbledhësi e studiuesi ma kompetent i ciklit të Veriut i shkruen Gjeçovit:
“ ... kam shperdorue miqsinë... të kam çilë arkën e librave... tuj dashtë me ba një studim permbi rapsodinë iliro-shqiptare Halil Garria... më duheshin paralelet italo-shqiptare-greko-bullgare-serbo-rumene...

Per këte dhunë që të kam ba, jam gati me ta shperblye me çdo dhunë që me tager lypë Z. Jote prej mejet (AQSH, D.( 95|19) ... mue më ke gati, ç’me ditë të sodit, n’daç me të perkthye shkurt mendimet e tyne, n’daç me të parasue ndonjë mendim tandin me të tyne...prandej per krahasimet e mendimeve t’ua me t’autorëve gjermanë...t’i baj unë.

 Mue m’asht mbushë mendja, edhe mue si ty,  me shkri jetën teme mbas idealit tand: me permbledhë nji etnografi të popullit shqyptar, prandej per këte gja e per çdo sherbim tjeter, m’ ke me vedi. (Nuk arriti ta realizojë këtë qellim, se vdiq nder torturat e hetuesisë.).
Tuj t’ lypë t’falun per punë të pagjashme. (botohet per herë të parë).
T’marr ngrykë
i yti  (firma)
 
Gjeçovi 


 Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)
 
 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç