TIRANE- Listës së re të barnave të rimbursueshme i janë shtuar dhe 56 barna të reja për këtë vit, ndërkohë risi është edhe mbulimi i shtatë diagnozave të tjera.

Qeveria ka miratuar listën e re e cila në përbërjen e saj ka medikamente që trajtojnë sëmundjet kardiovaskulare, ato të mushkërisë, diabetit, tumorale, por edhe barna për gratë shtatzëna, për të rinjtë në moshën e pubertetit, si dhe ata që kanë varësi ndaj alkoolit. “Me listën e miratuar sot (dje), janë 56 barna që përfshihen për herë të parë. Do të përfitojnë rreth 600 të sëmurë nga barnat për kurimin e tumoreve dhe kancerit. Në skemë janë përfshirë barna për sëmundjet e diabetit, kardiovaskulare.

Për herë të parë përfshihen barna që përdoren për të kuruar varësinë nga alkooli, një problem social. Në procesin e hartimit të listës është marrë parasysh nevoja e popullatës, dhe ka qenë në fokus cilësia e barnave. Janë marrë në konsideratë padyshim, edhe kërkesat e qendrave spitalore”, tha Ilir Beqaj , ministër i shëndetësisë. Sipas tij, duke filluar nga 1 prilli nuk do të ketë më TVSH apo taksë mbi shëndetin për barnat 10%, por barnat do të jenë të përjashtuara. Po kështu vendimi i uljes së marzhit të fitimit do të sjellë një ulje të çmimit të barnave me 7 %.

“Këto masa së bashku krijuan edhe mundësinë që me fondet e  miratuara në buxhetin e vitit 2014, ne të mund të kemi më shumë barna që rimbursohen, si dhe do të kemi më shumë barna me të cilat furnizohen spitalet tona” theksoi Beqaj. Ndërkohë, drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Astrit Beci ka theksuar se për herë të parë këtë vit, lista e rimbursimit është hartuar përmes një procesi të suksesshëm negocimi dhe konsultash me katedrat kryesore, me shoqatat e pacientëve dhe grupet e interesit.

“Përveç diagnozave ekzistuese këtë vit janë shtuar barnat për kurimin e 7 diagnozave të reja që kanë të bëjnë me çrregullimet hormonale te fëmijët, tumoret, trajtimi i hepatitit B dhe C, parandalimi i trombozave, osteoporoza, antialkoolikët si dhe probleme të syve” ka pohuar Beci. Sipas tij, fondi i listës së barnave është rreth 8.4 miliard lekë të reja dhe do të mbulohet nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Lista e re pritet të hyjë në fuqi më datë 1 prill 2014. 

Shkrimi u publikua sot (13.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)