Ja kontributi shqiptar në
anëtarësimin e Kinës në OKB

Ja kontributi shqiptar në<br />anëtarësimin e Kinës në OKB
TIRANE - Kina, kjo fuqi e madhe, të cilës gurutë e politikës, ekonomisë e teknologjisë, i parashkruajnë një të ardhme të madhe në vitet e dekadat në vazhdim, dikur e kishte të vështirë madje të zinte një vend në OKB. Çudia shoqërohej edhe me një paradoks, pasi ishte Shqipëria e vogël, e cila me shumë zell e përpjekje ( jo vetëm) diplomatike do të bëhej “kumbar” i pranimit të saj në familjen e madhe të kombeve.

Por si kishte ndodhur dhe a ishte ndihma shqiptare që ia mundësoi asaj këtë hap madhor diplomatik e politik me përfitime shumëplanëshe? Cili ishte roli i ish-Republikës së vogël në brigjet e Adriatikut dhe si u arrit “suksesi”. Çfarë instrumentash diplomatikë e politikë u përdorën për t’ia arritur qëllimit dhe a njihet kontributi i saj?

Nëse pyet sot në ambientet e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë mbi këtë çështje, dikush ta kthen me nënqeshje, por në fund pranon se përtej arsyeve e objektivave për të cilat u ndërmor një aksion i tillë, që kërkonte një angazhim të fortë të makinerisë shtetërore e diplomatike të ish-RPSH-së, parë në aspektin teknik, ishte një arritje e diplomacisë shqiptare.

Nëse konsultohesh me dokumenta të Ministrisë, por edhe të shtypit të huaj, pikësëpari atë amerikan, të figuron qartazi emri i ish-ministrit të jashtëm shqiptar, Nesti Nase, i cili kryesonte delegacionin shqiptar, ku ndodhej edhe Halim Budo, një diplomat me eskperiencë i kohës dhe ish-kreu i Misionit tonë në OKB, na thotë Ylli Polovina, punonjës i Ministrisë dhe studiues i hershëm i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Çështja ishte se për shkak të konstelacioneve politike ndërkombëtare të kohës, SHBA dhe vendet perëndimore e konsideronin Kinën ( Republikën Popullore) si kundërshtare dhe nuk lejonin pranimin e saj në organizatën më të madhe botërore. Në fakt, na thotë z. Polovina, bëhej fjalë për ripranim të saj, por për shkak të ekzistencës së një “Kine tjetër”, Republikës së Kinës ose Tajvanit, çështja e saj kishte pësuar një ngërç dhe kishte marrë përmasat e një çështje shumë delikate, parë kjo edhe në aspektin e mirëfilltë të trajtimit juridiko-diplomatik.

Mbajmë parasysh këtu se marrëdhëniet mes Kinës dhe SHBA, akoma nuk ishin vendosur dhe çdo gjë luhej në një kuadër të ngushtë pra, ku palët e interesuara, nuk kishin kanale komunikimi direkte. Nga ana tjetër, edhe Shqipëria, siç dihet, nuk kishte marrëdhënie diplomatike me SHBA.  Por realitetet po ndryshonin rrënjësisht në fundvitet ’60 të shekullit të shkuar, dhe me pavarësimin e shumë shteteve të reja në Afrikë, si pasojë e luftës së tyre antikolonialiste, u shtua automatikisht edhe numri i vendeve anëtare të OKB-së që përkrahnin anëtarësimin e Kinës në OKB.

Këtyre, sigurisht se mund t’i shtonim tani edhe vende të Europës Lindore që tashmë dukej sikur e kishin hedhur pas krahëve zënkën BRSS-Kinë dhe ishin vënë hapur në mbështetje të R.P. Kinës. Edhe vetë BRSS nuk është se ishte kundra pranimit Kinës, por nuk dilte hapur ose me shumë gjasa, përpiqej të përfitonte sa më shumë nga një hap i tillë dhe priste momentin e volitshëm. Por ajo që bie në sy në këtë periudhë është mbështetja e fortë, pa rezerva, e plotë dhe këmbëngulëse e Shqipërisë, na thotë Polovina, i cili thekson se asaj iu desh të luante fort për t’ia arritur qëllimit.

Ai thotë se kontributet deri në kalimin në tone agresive që lëshuan krerët e delegacionit shqiptar, që kërcënonin madje edhe me nisjen e Luftës së Tretë Botërore, nëse ky pranim nuk bëhej, sot mund të duken qesharake, por në atë kohë nga shumë anëtarë të OKB-së, u dukën të justifikueshme, duke “e bërë punën e vet”. Kështu ndodhi për shembull, me Meksikën apo vende të tjera nga Amerika Latine, që nuk iu bindën Uashingtonit (të paktën në këtë çështje).

Tirana ishte bërë një lloj menaxhereje dhe zëdhënëse e Mao Ce Dunit në Nju Jork, me kredenciale të plota, dhe si e tillë, tërhiqte pas vetes shumë të tjerë. Shqipëria e kishte propozuar futjen e Kinës në OKB qysh në vitin 1963, me cilësinë e anëtares së kësaj organizate, në të cilën aderonte qysh nga viti 1955

Gjatë gjithë këtyre viteve, ajo kishte luftuar pandërprerje për të arritur në një sukses nga pikëpamja e teknikave jurudiko-diplomatike, derisa rezoluta për pranimin e Kinës në OKB, u miratua më 25 tetor 1971, gjatë sesionit të 26 të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Rezoluta - kujton Polovina -, ishte propozuar nga 23 vende, çka na e dëshmojnë edhe arkivat e kohës, por edhe artikujt e shumtë nga shtypi botëror.

Shifrat dëshmojnë se në fund ajo korri plot 76 vota pro, 35 kundër dhe 17 abstenime. Por ajo rezolutë nuk ishte e vetmja, ishte e teta në radhë përgjatë këtij harku kohor. Por rëndësi kishte që ishte përmbushur kuorumi i nevojshëm për pranimin e saj, me dy të tretat, sipas rregullave e praktikave strikte të OKB-së.

Sigurisht se edhe Kina, siç duket, kishte nisur të ndryshonte dhe s’do vononte më shumë se një vit pas pranimit në OKB, kur Presidenti Nikson do ta vizitonte Kinën dhe marrëdhëniet mes tyre do të përmirësoheshin ndjeshëm, gjë që paradoksalisht, do të përshpejtonte prishjen apo ftohjen e marrëdhënieve të saj me Shqipërinë, si pasojë e verbërisë politike të regjimit të kohës në Tiranë. Sidoqoftë, edhe nga pohimet e zyrtarëve kinezë, të djeshëm e të sotëm, del qartë se ndihma shqiptare ndaj pranimit të Kinës në OKB, është vlerësuar dhe shprehur qartë në çdo kohë dhe në të gjitha rastet e mundshme. 

KINA DHE SHQIPËRIA

Rilindja e marrëdhënieve nisi qysh në fundvitet ‘80

Shqipëria ishte ndër vendet e para që vendosi marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës, qysh më 23 nëntor të vitit 1949, pak pas hyrjes triumfale të revolucionarëve të Kuq me në krye Mao Ce Dunin në Pekin. Ambasadorët në fakt do të këmbeheshin disa vite më vonë, pasi Shqipëria e ndodhur nën tutelën sovjetike, fillimisht pak interes direkt kishte për Kinën e largët, përtej mbështetjes politike që nuk ia kurseu që ditën e parë, për arsye që tashmë dihen.

Kështu, ambasadorët do të këmbeheshin në vitin 1955, por gjithsesi Kina do të vendoste ambasador në Tiranë, përpara se ta bënte këtë me Beogradin. Vizitat e Enver Hoxhës dhe krerëve të tjerë të lartë komunistë shqiptarë në mesvitet ’50, do të shtronin rrugën e një bashkëpunimi të gjatë të mëvonshëm, që do kulmonte në vitet ’60-’70.

Pas ftohjes, (por jo ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike, siç u bë me Moskën) së marrëdhënieve ndërpartiake, atyre shtetërore e ekonomike, që e hodhën Shqipërinë drejt një izolimi total në vitin 1978, Shqipëria dhe Kina qysh nga fundi i viteve ’80, e sidomos pas viteve ’90, rinjohën një rritje të madhe të këmbimeve në të gjitha fushat.

Një pikë e nxehtë në marrëdhëniet mes dy vendeve, ka mbetur çështja e Kosovës, ku Pekini ka zgjedhur një pozicion refuzues, ndërkohë që Tirana pa hezitim, pati zgjedhur vite më parë një pozicion miratues e mbështetës ndaj çështjes së sovranitetit kinez mbi Tajvanin, pavarësisht se nga individë të veçantë politikë, në momente të shkurtra, u regjistruan edhe përpjekje për afrim me pozicionin tajvanez, siç ishte edhe udhëtimi i një grupi deputetësh shqiptarë drejt Tajvanit në vitin 2006.

GIOVANNI ARMILLOTA:  JA LUFTA DIPLOMATIKE E SHQIPËRISË

Shifrat e të dhënat e z. Polovina, konfirmohen edhe nga një studiues tjetër, që i ka marrë në shqyrtim në themel marrëdhëniet shqiptaro-kineze, duke hulumtuar në arkivat e Pallatit të Qelqtë në Nju Jork. Prof. Dr., Giovanni Armillota, nga Italia, shkruan në njërin prej studimeve të tij se Shqipëria ("The International Journal of Albanian Studies", Columbia University, New York, I, 1997, N. 1, Fall: 69-81 / ALBANIA AND THE UNITED NATIONS: TËO CASES SEEN FROM A DIPLOMATIC HISTORY PERSPECTIVE), qysh prej kësaj kohe u fut në marrëdhënie bilaterale shumë të ngushta me Kinën, dhe ishte ajo që përgatiti dhe paraqiti një seri prej tetë rezolutash, duke ia nisur nga viti 1964 deri në vitin 1971, kur Pekinit iu njoh e drejta të përfaqësonte Kinën në OKB.

Beteja diplomatike tetëvjeçare që Shqipëria bëri në Nju Jork nuk ishte e përqendruar vetëm në bindjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për njohjen e Pekinit si përfaqësuesi zyrtar i më se 700 milionë njerëzve që jetonin asokohe në Kinë, por së pari, që të zgjidhej edhe një çështje tjetër e rëndësishme, për sa i përket kësaj rezolute: një aneks në të, ku të sanksionohej se përfaqësuesi i popullit kinez edhe në Tajvan do të ishte tashmë jo Çang Kai Shija, por Republika Popullore e Kinës.

Më 15 dhjetor 1961, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së aprovoi një projekt të SHBA-së (nënshkruesit përfshinin edhe Australinë, Kolumbinë, Japoninë dhe Italinë) Rezolutën 1668 (XVI) që ftonte Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së "të vendoste, duke u bazuar në nenin 18 të Kartës së OKB-së, se çdo propozim që kishte si qëllim të ndryshonte përfaqësimin e Kinës do të konsiderohej "një çështje e rëndësishme". Kjo pra, theksonte tashmë faktin se një pranim eventual i mundshëm i R.P. të Kinës do të merrej vetëm "me një shumicë prej dy të tretash të anëtarëve prezentë në votimin për këtë çështje".

KONTRIBUTI REAL I SHQIPËRISË

Ashtu sikurse edhe e pamë, kontributi i Shqipërisë nuk konsiston në pranimin e Kinës. Duhet të theksohet se në këtë kohë SHBA-ja, Presidenti Nikson dhe Sekretari i Shtetit, Henry Kissinger, ia kishin dalë të riformulonin politikën amerikane në lidhje me marrëdhëniet me Kinën. Njëra nga garancitë që iu dha kryeministrit të atëhershëm kinez, Çu En Lai, ishte edhe (ri)pranimi i Kinës në OKB.

Pyetja e mbetur pezull ishte statusi i Republikës së Kinës në Tajvan. Kishte mbështetje të vazhdueshme për teorinë kineze të dy Kinave në shumë kryeqytete të botës. Por akoma, numri i anëtarëve të OKB-së që nuk ishin dakord me rezolutën "Çështje e rëndësishme" shkoi në ngritje nga 4,.2 për qind në vitin 1961, në 57,4 për qind në vitin 1971.

INTERPRETIM JURIDIK PERFEKT

Megjithë faktorët e tjerë të përfshirë në këtë çështje -(edhe një herë duhet të përmendim zbutjen e pozicionit diplomatik të SHBA-së në raport me Kinën në vitet 1970-1971) - menjëherë të bie në sy, padyshim, edhe suksesi i papritur i diplomacisë shqiptare. Ajo çfarë duket më interesante në pozicionin e Tiranës, nëse do të linim jashtë trajtimit tonë argumentet dhe konkluzionet historiko-politike të kohës, është interpretimi juridik perfekt i të ashtuquajturës "vexata quaestio" (çështje e rëndësishme).

Ndërsa Nesti Nase, asokohe ministër i Jashtëm i RPSSH-së dhe kreu i delegacionit shqiptar bënë vërejtjet e tyre në seancën e 18 tetorit 1971. "Ajo me çfarë ne po merremi tashmë, nuk është as pranimi i një anëtari të ri dhe as përjashtimi i një shteti tjetër. Ne po trajtojmë çështjen themelore të përfaqësimit të një shteti, i cili është prej kohësh anëtar i OKB-së dhe kjo çështje duhet të përcaktohet qartë nga një shumicë e thjeshtë në Asamblè [...] ndryshimi i emrit të një vendi të caktuar nuk ka të bëjë fare me statusin e tij të anëtarësisë. Ka shembuj të shumtë nga çështje të ngjashme në historinë e Kombeve të Bashkuara".

DEBATET NË ASAMBLENË E OKB-SË

Njëri nga studiuesit e së drejtës ndërkombëtare, italiani Benedetto Conforti, në studimin e tij "Le Nazioni Unite" (Kombete Bashkuara) thekson se "është më se e qartë se çështja kineze nuk duhet të konsiderohet një kategori e veçantë, por një rast i veçantë konkret; pikërisht kur Shqipëria po debatonte aq shpesh [...]. Më 15 qershor 1971, Shqipëria dhe gjashtëmbëdhjetë vende të tjera nënshkruese kishin kërkuar që Asambleja e Përgjithshme të merrte në shqyrtim "Çështjen e rivendosjes së të drejtës legjitime të R. P.

Kinës në OKB" (Retablissements des droits legitimes de la Republique Populaire de Chine al'Organisation des Nationes Unites). Kjo çështje u përfshi në rendin e ditës të Sesionit XXVI të Rregullt të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, nga 21 shtatori deri më 22 dhjetor 1971. Kësaj çështjeje gjatë procesit iu bashkëngjitën edhe gjashtë anëtarë të rinj.

Më 17 gusht, Kombet e Bashkuara prezantuan shtesën për sa i përket kësaj çështjeje "The Representation of China in the United Nations", ku theksohej qartë se Republika e Kinës duhet të përfaqësohej dhe në të njëjtën kohë, kjo duhej të bëhej në një mënyrë ku të sigurohej se Republika e Kinës (Tajvani) nuk privohej nga pasja e një vendi në OKB.

Më 22 shtator, përfaqësuesit e SHBA-së i propozuan Komitetit të Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që të dyja çështjet të përziheshin në një të vetme nën emrin "Çështja kineze". Kërkesa e tyre u refuzua me 12 kundra, nëntë në favor dhe tre abstenime.

PËRPLASJET TIRANË-UASHINGTON

Debati ndezi një duel politik midis Tiranës e Uashingtonit, një debat që do të karakterizonte gati të gjitha fazat e operacionet e procesit të votimit me përpjekje e zell të madh nga të dyja palët. Kreu i delegacionit amerikan e mbronte projektin "çështje e rëndësishme" dhe e stigmatizonte Shqipërinë si anti-universaliste, duke nënvizuar refuzimin e Shqipërisë për të pranuar përfaqësimin e Tajvanit në OKB. Shqiptarët ishin kundër "Teorisë së dy Kinave" dhe pro asaj të "Një Kine e një Tajvani".

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja .com (print) 26.03.2013

Redaskia Onlone
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë, presidenti Begaj: Ftoj bashkëatdhetarët tanë të kenë angazhim e iniciativë të çojnë para arritjet e kombit shqiptar

112-vjetori i Pavarësisë, presidenti Begaj: Ftoj bashkëatdhetarët tanë të kenë angazhim e iniciativë të çojnë para arritjet e kombit shqiptar