Carlo Bollino: Ja ku SPAK gaboi me gazetarin Elton Qyno dhe kush përfiton nga kjo

Carlo Bollino: Ja ku SPAK gaboi me gazetarin Elton Qyno dhe kush përfiton nga kjo

Vendimi i SPAK-ut për të nisur një hetim ndaj gazetarit Elton Qyno, i akuzuar se ka publikuar akte gjyqësore të mbrojtura nga sekreti hetimor, ngre disa çështje të rëndësishme dhe delikate, që meritojnë të diskutohen: 

1)Principi i parë është se gazetari e ka për mision të zbulojë të gjithë sekretet që has në punën e tij për të informuar dhe për të treguar të vërtetën, përfshi dhe sekretin hetimor. Nga ana tjetër, prokuroria dhe gjykatat e kanë si mision garancinë që disa sekrete të ruhen, përfshi sekretin hetimor. Nuk është gazetari ai që shkel sekretin duke publikuar një dokument, por zyrtari që ja ka dhënë (gjykatës, prokuror, polic apo avokat) dhe gjithësesi gazetari e ka për detyrë të mbrojë anonimatin e burimeve të tij. Ndërsa prokuroria e ka për detyrë t’i zbulojë. Gazetarët dhe prokurorët janë “titulare” të dy të drejtave të njohura me kushtetutë, por të kundërta; ideale do të ishte gjetja e një pike ekuilibri mes dy palëve, duke u mbështetur në respektin dhe në liritë reciproke. Në 45 vitet e punës sime në profesionin e gazetarit, më ka qëlluar të hetohem në Itali për shkelje të sekretit hetimor dhe njëherë më akuzoi (fatkeqësisht për të) pikërisht prokurori që më kishte dhënë lajmin e mbuluar nga sekreti. Nuk i kam mbajtur asnjëherë mëri (dhe natyrisht, nuk zbulova kurrë se ai kishte qenë burimi im), as nuk u ndjeva viktimë se më çoi në një sallë gjyqi, ku në fund dola i pafajshëm.  

2)Të jesh gazetar është një mision, nuk është vetëm një profesion. Fakti që SPAK ka urdhëruar kontrollin e shtëpisë, të makinës dhe të redaksisë së Elton Qynos duke e mbajtur 12 orë të ndaluar, është qartësisht një akt ekstrem, por jo për këtë arsye duhet të frikësojë ndokënd. Çdo gazetar e di mirë që misioni i tij parashikon edhe këto rreziqe. Në fund, të përfundosh në prokurori për shkelje të sekretit hetimor, është një medalje në gjoksin e çdo gazetari, pasi në ndryshim nga shpifësit (që gënjejnë), do të thotë se ka shkruar të vërtetën. Dhe Elton Qyno për aq sa e njoh, këtë medalje e ka fituar.  

3)Megjithatë rasti Qyno nuk mund të zgjidhet vetëm me këto dy parathënie të karakterit të përgjithshëm. SPAK është në qendër të një cikloni politik pasi për herë të parë në historinë e demokracisë shqiptare, drejtësia guxoi të prekë të paprekshmit. Pushtetarë dhe ish pushtetarë po nisin më në fund të përgjigjen për veprimet e tyre parballë gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe nëse, nga një anë një palë politike pranon pa reaguar hetimet e SPAK, pala tjetër përpiqet duke i sulur kundër opinionin publik duke mobilizuar jo vetëm deputetët e vet, por edhe gazetarët e vet, mediat që kontrollon. Krimi i organizuar, edhe ai në rrjetën e SPAK, është gjithashtu i mobilizuar në një fushatë deligjitimimi (sidomos ndaj “të penduarve”) dhe për ta bërë këtë nuk heziton të përdorë “gazetarë” të tjerë të paguar me këtë qëllim dhe të cilëve jo rrallë u kalon dokumente, video dhe informacione ekskluzive me të vetmin qëllim ndotjen e provave ose depistimin e hetimeve. Këta janë të infiltruar të vërtetë të krimit në botën e informacionit. Duke parë revolucionin që po zhvillohet në drejtësi dhe mjegullën që mbështjell edhe rolin e disa gazetarëve, a është “politikisht” e dobishme nga ana e SPAK të hapë një front të tretë lufte edhe kundër mediave vetëm sepse shkelin sekretin hetimor? Jemi të sigurtë që Elton Qyno është i pari gazetar që meriton me të vërtetë të bjerë në rrjetën e SPAK? Pika e ekuilibrit do të duhej të ishte pikërisht kjo: Asnjë mëshirë për gazetarët e infiltruar nga krimi në botën e informacionit, por respekt dhe tolarancë ndaj gazetarëve të vërtetë.  

4)Të godasësh mediat rrezikon të prodhojë edhe një tjetër efekt anësor, që do të thotë t’u dhurosh një argument më shumë të hetuarve (politikanë apo kriminalë qofshin ata) për të përforcuar imazhin e një drejtësie ''integraliste'' dhe pak të paanshme (ose më keq të politizuar) që ata përpiqen të krijojnë në sytë e opinionit publik. Eshtë paradoksale të dëgjosh sot Sali Berishën që mbron Elton Qynon si një viktimë të SPAK-ut, kur Sali Berisha është nga ata që urdhëroi arrestime në masë të gazetarëve kritikë me të (disa u goditën, torturuar apo dhe u vranë) kur ai ishte në pushtet. Ndërsa sot, duke mos mundur as të torturojë dhe as të arrestojë, vazhdon të linçojë publikisht gazetarët që nuk janë nën urdhrat e tij, apo që nuk pranojnë paratë e tij.  

Për të kuptuar se sa e gabuar është goditja ndaj Elton Qynos, është e mjaftueshme të shohësh sa po gëzohet Sali Berisha. Të transformosh atë që u përcaktua si “armik botëror i shtypit” në flakëtar të informacionit, për SPAK-un është një gafë e pafalshme.  

xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ethem Lalaj-MallaKASTRIOTI: 15/12/2023 11:24

    Kam 33 vite që po ndjek me keqardhje bëmat e 2 FATKEQSIVE NË SHQIPËRI: 1.Fatkeqsia nr.1 është S.Berisha qëkurse aksidentalisht u vu në krye të vëndit qëllimisht për shkatërruar Shqipërinë me themel me teorinë SHOCK(tokës së djegur) me grushtet e Shtetit 96,97,98,08,011..dhe në vazhdim duke u sjell si PREKUROR,GJYKATËS,MBRET,I PAPREKSHËM..Krishti e Muhameti vetë..! 2.Sb i instruktuar mirë nga Ata që e prunë(me familje 50 % Sërbe) NË 92 KAPI DREJTËSINË 100 % ME KURSIN 6 MUJOR DHE MEDJET 98 % NË 2005. -Po shof në celular ( Klani im) se kur flet Sb të gjitha TV-t nxjerrin foton e tij,ndonse 90 % e popullit e urren. -Duke kën se Pushtetin e 3,4 Sb e ka pushtuar plotësisht edhe, DREJTËSIA PO GODET VETËM MAJTAS DHE Rep.TV që nuk e ka pushtuar dotë,ndaj Ju kërcënon hapt pa ju trëmbur syri. -Sjellja e Sb me DREJTËSINË E RE si më parë,tregon se Ai SPAK+GJKKO i kan ulur poturret ndërkëmbë nga frika e tij dhe jo vetëm: • Mos shkuarja në Gjykatë 3 herë dhe gjykata-Heshtë tregon se edhe Amerika që e monitoron ka dështuar me drejtësinë e RE. • Është FATALEA për SPAK+GJKKO kur edhe ZENI SALIUT nuk paraqitet në Gjykatë dt.14.12..dhe në vënd që të shpall kërkimin dhe ARRESTIMIN MENJËHERË..njofton thirrjen e radhës kur ti doi prapanica PINJOLLIT TË SALIUT.".Bëm o babë që të ngjaj-populli".FLM

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Vonesa dhe kontrolle në Portin e Vlorës, bllokohet zbarkimi i makinave! Moti i keq pezullon nisjen e tragetit

Vonesa dhe kontrolle në Portin e Vlorës, bllokohet zbarkimi i makinave! Moti i keq pezullon nisjen e tragetit