Dorëzimi nga pala ukrainase i pjesës së Donetskut që Rusia ende nuk e ka pushtuar, si edhe njohja zyrtare amerikane e sovranitetit rus mbi Krimenë dhe pjesën e rajonit të Zaporizhias të pushtuar nga Rusia (përfshirë centralin bërthamor).
Kjo do të ishte oferta që Steven Witkoff dhe Jared Kushner i kanë çuar Vladimir Putinit në takimin në Kremlin më 2 dhjetor, në rolin e të dërguarve të Donald Trump-it. Këtë e raportojnë vëzhgues me akses të drejtpërdrejtë në diskutimet që po zhvillohen brenda administratës amerikane. Kjo ofertë do të mbetej si bazë pune mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Nuk është aspak e thënë që një marrëveshje e mundshme, ose një ngrirje e konfliktit në Ukrainë, të mund të arrihet mbi këto parime. Yury Ushakov, këshilltari për politikën e jashtme i presidentit rus dhe ish-ambasador i Moskës në Shtetet e Bashkuara, doli nga takimi i Putinit me të dërguarit e Trump-it më 2 dhjetor duke lënë të kuptohej se nuk kishte pajtim të plotë mes dy delegacioneve. Një shenjë, me shumë gjasë, se Kremlini do të kërkojë edhe më shumë lëshime.
Nga këndvështrimi i administratës Trump, për Kievin, dorëzimi i asaj që ka mbetur nga Donbasi (rreth pesë mijë kilometra katrorë në Donetsk) teorikisht nuk duhet të jetë shumë i dhimbshëm. Mendohet se në atë pjesë territori nuk kanë mbetur më shumë se 100 mijë banorë, të cilët, sipas Shtëpisë së Bardhë, mund të “sakrifikohen” nga qeveria e Kievit dhe t’i dorëzohen Rusisë në këmbim të ngrirjes së konfliktit.
Sa i përket njohjeve zyrtare të sovranitetit rus mbi Krimenë dhe mbi pjesën e Zaporizhias tashmë të pushtuar, administrata amerikane thuhet se do të ishte e gatshme. Marrëveshja do të parashikonte që Shtetet e Bashkuara të bënin njohjen, ndërsa OKB-ja, vendet e Bashkimit Europian dhe të tjera qeveri nuk do ta ndiqnin këtë shembull. Kjo do t’u mundësonte kompanive amerikane të investonin në siguri në ato territore të kontrolluara aktualisht nga Rusia. Për Shtetet e Bashkuara kjo do të ishte një kthesë historike: do të ishte hera e parë që prej vitit 1945 që një administratë amerikane njeh si legjitim kontrollin e një territori të marrë nga një vend tjetër nëpërmjet pushtimit, bombardimeve të pandërgjegjshme ndaj popullsisë civile dhe madje edhe rrëmbimit të fëmijëve të popullsisë së sulmuar.
Do të ishte një akt që përmbys parimet mbi të cilat u formua OKB-ja, pikërisht me shtysë amerikane tetëdhjetë vjet më parë. Për shembull, në bazë të Kartës së OKB-së, Shtetet e Bashkuara dhe të gjitha vendet e Evropës Perëndimore refuzuan gjithmonë të njihnin sovranitetin sovjetik mbi vendet baltike, pas avancimit të ushtrisë së Moskës në fund të Luftës së Dytë Botërore. Kjo qëndrim më vonë u lehtësoi Estonisë, Lituanisë dhe Letonisë rrugën drejt pavarësisë, vetëvendosjes, demokracisë, anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Tani, sipas planit amerikan, Krimea dhe rajoni i Zaporizhias do të duhej të kishin fatin e kundërt.
Megjithatë, është domethënëse që Putini nuk e ka pranuar plotësisht. Duke qenë se kjo ofertë shumë e guximshme duket se përfaqëson vetëm hapjen e një negociate thelbësore, Rusia ka kërkuar menjëherë më shumë: ndër të tjera, me shumë mundësi një reduktim të ushtrisë ukrainase dhe një kufizim të rreptë të çdo garancie sigurie në favor të Ukrainës.
Kjo do ta bënte një agresion të ri më të lehtë dhe më të mundshëm në të ardhmen, duke qenë se Putini nuk e ka fshehur kurrë synimin për të nënshtruar të gjithë vendin e pushtuar./ Corriere della Sera
Komente








