Ja pse duhet të besojmë
tek Policia e Shtetit

Ja pse duhet të besojmë<br />tek Policia e Shtetit
Jam shumë i bindur që ka vend për të pasur punonjës policie me më shumë etikë dhe kulturë të cilët dinë për çfarë t’u shërbejnë qytetarëve, të cilët nuk e presin qytetarin sikur ua ka borxh, por që janë të bindur vetë më së pari, se janë aty e paguhen aty vetëm për të shërbyer. Jam shumë i bindur që ka ende vend për punonjës policie që nuk e njollosin uniformën, që kanë respekt për punën që bëjnë – jo si çdo punë, sepse policia nuk është punë si çdo punë, por që kanë respekt për misionin e Policisë së Shtetit.

Para pak ditësh më zunë sytë një fotografi të dy punonjësve policie që po luanin bilardo. Është e papranueshme për mua kjo që të ndodhë. Unë nuk arrij të kuptoj si mund të ndodhë një gjë e tillë?! Por të jeni shumë të bindur që për çdo punonjës policie që përdhos uniformën në këtë mënyrë, eprorët do të mbajnë përgjegjësi. Sepse nuk ka asnjë mënyrë dhe asnjë mundësi që sot, në 2017, të justifikoj që dy punonjës policie të luajnë bilardo dhe eprori të mos ketë as sy, as veshë ta shohë këtë.

Falënderoj çdo qytetar, mediat, shoqërinë civile, këdo që na ndihmon të ruajmë standardet e integritetit në Policinë e Shtetit, që ka denoncuar sjelljet e pahijshme të çdo punonjësi policie e që na kanë dhënë mundësi të shohim më shumë, të dëgjojmë më shumë. Dhe garantojmë se ne do marrim masa drastike ndaj kujtdo që nuk i përgjigjet pritshmërisë së qytetarëve me  etikë, me kulturë, punë, shërbim, pa korrupsion, pa arrogancë. Dhe kjo është pjesa më e rëndësishme e detyrës tonë.

Nëse deri dje ka mbajtur përgjegjësi polici për veten e tij, ne do të vendosim praktikë që bashkë me policin do të mbajë përgjegjësi edhe eprori. Sepse ai që sot është ngarkuar të drejtojë një komisariat apo një drejtori në Policinë e Shtetit duhet t’i përgjigjet qytetarëve. Unë e di që një shef komisariati nuk votohet nga publiku. Unë e di që një drejtor policie nuk votohet nga publiku. Por jam shumë i bindur që sikur secili prej jush të votohej, Policia do të ishte më e mirë. Mbase unë nuk jam në gjendje ta bëj një gjë të tillë: që shefat e komisariateve apo drejtorët e Policisë para ngritjes në detyrë të kenë edhe një konsultim publik. Por jemi në gjendje të bëjmë që për performancën tuaj, rikonfirmimin tuaj në detyrë dhe ngritjen në detyrë të shefave të komisariateve dhe të drejtorëve të policisë, të pyeten edhe qytetarët.

Ky është edhe treguesi më i mirë. Dhe besoj se ky do të jetë indikatori më i mirë për të matur punën e secilit që sot është ngarkuar me përgjegjësi për të drejtuar në Policinë e Shtetit.

Sigurisht objektiv madhor i yni është pandëshkueshmëria. Kemi një problem jo të vogël të trashëguar (të cilin po e adresojmë) lidhur me korrupsionin dhe luftën kundër korrupsionit. Sipas raporteve kryesore, më i fundit ishte “Transparency International”, Shqipëria sot është shumë më pak e korruptuar në krahasim me të kaluarën. Por sigurisht korrupsioni është problem. Dhe qytetarët presin mbi të gjitha luftën kundër korrupsionit, presin të ketë shembuj – dhe veçanërisht shembuj gjyqtarësh, të atyre që deri dje quheshin të pandëshkueshëm ose të paprekshëm. Është kjo arsyeja falë punës së Policisë dhe bashkëpunimit me Prokurorinë janë arrestuar mbi 10 prokurorë dhe gjyqtarë dhe qindra qytetarë gjatë vitit 2016. Kjo është e pamjaftueshme, por është një mundësi e mirë për të parë potencialin që kemi për të zhvilluar hetime, veçanërisht kundër korrupsionit dhe atyre që deri dje quheshin të paprekshëm.

Sot Policia, pa asnjë diskutim, ka bërë hapa mjaft pozitivë në luftën kundër pandëshkueshmërisë. Sot gjobitet edhe ai që ka para apo që deri dje quhej i paprekshëm. Dhe sigurisht ka vend të bëhet akoma më shumë.
Mjafton t’ju them që gjatë vitit 2016 janë sekuestruar 47 milion euro asete e pasuri kriminale. Në ditën kur mora detyrën, nga qeveria e mëparshme gjeta vetëm 1 milion euro asete e pasuri kriminale të sekuestruar. NJË! Ndërsa vetëm gjatë vitit 2016 janë 47 milion euro. Në të tre vitet janë gati 100 milion euro. Ja pra që i shkojmë pas atyre që quhen “peshqit e mëdhenj”. Ja që hetojmë dhe godasim aty ku ka pasuri bota e krimit. Ka nevojë edhe më shumë, pa asnjë diskutim. E ne do të bëjmë më shumë patjetër.

Jemi shumë të bindur që beteja jonë më e madhe është të reagojmë që në Shqipëri – sot, nesër e në vazhdim – të mos ketë të paprekshëm dhe qytetarët të jenë të gjithë të barabartë para ligjit. Dhe pikërisht për këtë shkak kemi ndërmarrë aksione, bashkë me partnerët, të cilat kanë dhënë rezultate të shkëlqyera.

Këto ditë po çuditet publiku me thirrjen e Presidentit të Republikës Këshillit të Sigurisë për Balilin. E në fakt çuditet publiku sepse Këshilli i Sigurisë nuk është mbledhur as kur Lazarati ishte aty.  Megjithatë unë jam shumë i kënaqur të informoj Këshillin e Sigurisë dhe pa asnjë diskutim edhe Presidentin e Republikës,  i cili për arsyet e veta është i painformuar. Por jam akoma më i bindur që asnjë pengesë, asnjë insinuatë (politike ose jo) nuk do më ndalonte kurrë mua – dhe aq më pak Policinë e Shtetit – të bënte detyrën ndaj atyre që deri dje ishin të pandëshkueshëm, të pabarabartë e të paprekshëm nga askush.  Balilë e Balila mund t’i kenë ende ditët e numëruara, por shumë shpejt do të jenë përpara drejtësisë. Kjo është detyra jonë dhe ky është vullneti ynë për të garantuar që qytetarët shqiptarë të mos kenë më nëpër këmbë  të pandëshkueshëm.

Sigurisht një sfidë e jona e madhe është Shqipëria pa armë. Vetëm në 10 ditët e fundit janë mbi 23 mijë municione dhe 200 armë që janë dorëzuar vullnetarisht nga qytetarët, të cilët unë dua t’i falenderoj pa masë. Sepse besoj që kanë qenë të shumtë ata që kishin humbur shpresën se mund të kishte ende qytetarë që donin apo mund të dorëzonin armë  në Shqipëri.  

Ne do shfrytëzojmë çdo ditë, çdo orë të ditës dhe të natës, në çdo skaj të Shqipërisë, për t’i bërë thirrje derë më derë çdo qytetari të dorëzojë vullnetarisht armët deri në ditën e fundit të afatit të amnistisë. Ne do bëjmë gjithçka është e mundur për të ndërgjegjësuar qytetarët që “Shqipëria Pa Armë” është objektivi ynë madhor. Shqipëria pa armë është një detyrim që e kemi ndaj të shkuarës dhe ndaj gjithë atyre që na lanë në këtë derexhe. Po mbi të gjitha është detyrimi ynë madhor ndaj fëmijëve tanë, ndaj çdo familjeje, dhe ndaj gjeneratës tjetër në Shqipëri, të cilët me plot të drejtë meritojnë që ne sot të sakrifikojmë, të punojmë ditë e natë, në mënyrë që nesër Shqipëria të jetë më e mirë, më e paqtë, dhe mbi të gjitha pa armë.

Kemi amnistuar dënimin me burg për qytetarët,  të cilët  me plot të drejtë thonin “E mbaj prej vitit 1997 dhe është  e bezdisshme për familjen time, për fëmijët e mi”. Por ka qytetarë që nuk e dinë, që ende nuk e kanë dëgjuar. Ka qytetarë që presin një trokitje në derë nga ju, nga punonjësit e Policisë së Shtetit. Dhe presin të dëgjojnë prej jush bashkëpunimin e domosdoshëm që duhet të kemi me institucionet e Drejtësisë dhe çdo punonjës Policie me qytetarët që presin, me plot të drejtë, të dorëzojnë armët. Duan një mundësi prej jush. Kjo do të thotë që ju të jeni partnerët e tyre.

Ndaj unë pres që çdo punonjës Policie, në çdo skaj të Shqipërisë, në mënyrë intensive, ditë-natë, të trokasë në çdo shtëpi, qytet, fshat mbi të gjitha. Kudo ku ka njerëz që jetojnë e presin që ju të trokisni derë më derë, t’i ftoni dhe t’i bindni qytetarët që armët që mbajnë në shtëpi janë të paligjshme. Ne duhet të çarmatosim fillimisht mendjen, mentalitetin që kështu nuk është mirë. Duhet të heqim armët nga mendja, më pas nga duart. Dhe duhet t’i japim mundësi qytetarëve të besojnë se sigurinë e kanë të institucionet. Sepse siguri jep Policia dhe nuk kanë nevojë për armë. Ne mund të sakrifikojmë ditë, muaj, vite duke pasur padrejtësi të vazhdueshme, por kurrë nuk duhet të lejojmë që vetëgjyqësinë apo më keq dhunën. Dhe kjo jo për ne, por mbi të gjitha për fëmijët tanë.

Është shumë e nevojshme që me gjithë Policinë e Shtetit – nga drejtori i Policisë, te punonjësi më i largët duke arritur tek i plotfuqishmi – çdo ndërlidhës komuniteti,  çdo punonjës policie në bashkëpunim me pushtetin vendor, me çdo administrator njësie, me çdo kryetar bashkie të trokasë derë më derë dhe t’i japë besim qytetarit duke i bërë thirrje të dorëzojnë armët.
“Shqipëria pa armë” është sfida jonë për këtë vit. Dhe ky është një detyrim për fëmijët tanë, për Shqipërinë. Jam shumë i bindur që ka ende shumë për të bërë lidhur me bashkëpunimin tonë me publikun.
Një ndër nismat kryesore është polici vullnetar. Eksperienca e vullnetarizmit në këtë vend ka kohë, shumë prej këtyre nismave të suksesshme për mjedisin, për çështje e komunitetit dhe minoritetet.  

Probleme sot për sigurinë ka pak. Dhe unë kam parë se si të rinjtë dhe të rejat, të punësuar ose jo, profesionistë të rinj apo me eksperiencë në punët e tyre, janë të gatshëm të shpenzojnë disa orë për të bashkëpunuar me Policinë, për të punuar me ju vullnetarisht, për të patrulluar lagjet, për të ndihmuar qarkullimin rrugor, për të ndihmuar fëmijët që dalin apo hyjnë në shkollë, për të ndihmuar mjetet të qarkullojnë lirshëm në një semafor, kryqëzim apo rrugë. Ka plot të rinj dhe të reja që janë të gatshëm të bëhen vullnetarisht pjesë e Policisë dhe t’ju ndihmojnë që Policia të bëjë sa më mirë punën e saj. Sepse ka plot qytetarë që mbi të gjitha e kuptojnë që nuk është vetëm Policia ajo që duhet të garantojë gjithçka në këtë vend, por është Policia që ka detyrimin të ndërtojë çdo urë bashkëpunimi me qytetarët në çdo njësi, në çdo komunë, në çdo bashki në mënyrë që të jeni më shumë të sigurt.

Unë pres që bashkë me kolegët në Komisionin e Sigurisë të miratojmë shumë shpejt ndryshimet në “Ligjin e Policisë” dhe kjo bëhet e mundur. Por duhet që sot Policia e Shtetit do të hyjë në një  bashkëbisedim intensiv në çdo shkollë, në çdo universitet, me të rinjtë dhe të rejat në çdo qytet, për t’i ftuar të bëhen pjesë e punëve tona, pjesë e përpjekjes tonë për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë e më të sigurt, e përpjekjes tonë për të luftuar korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë e për të diktuar që ligji është i barabartë për të gjithë.

Dhe unë jam shumë i bindur që në Policinë e Shtetit shumica dërrmuese janë burra dhe gra, që kanë sakrifikuar mbi të gjitha familjet e tyre, për të punuar në kushte të vështira, pa mbështetje, të tradhtuar më parë nga eprorët, por që sot ndoshta nuk i kanë të gjitha por kanë vëmendjen e Kryeministrit, vëmendjen time, vëmendjen e deputetëve të Komisionit të Sigurisë, vëmendjen e Drejtorit të Policisë, të eprorëve dhe mbi të gjitha besimin e qytetarëve.

Ndaj dua shumë sinqerisht t’ju falënderoj për çdo sakrificë tuaj, disa prej të cilave as nuk janë detyrë e Policisë, por dikush duhet t’i bëjë.

*Deklarata e ministrit Tahiri për vendimin e Presidentit për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, gjate analizes se Policise se Shtetit te zhvilluar ne Berat

(d.b/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim