Ja "hallet" që i qau biznesi
i vogël kryeministrit Edi Rama

Ja "hallet" që i qau biznesi<br />i vogël kryeministrit Edi Rama
Këto janë disa nga shqetësimet që përfaqësuesit e biznesit të vogël i ngritën kryeministrit Edi Rama në takimin që patën me të këtë të hënë në kuadër të operacionit kundër informalitetit. 

Fakti që kontrollet e inspektorëve janë shumë të shpeshta dhe ndikojnë tek biznesi është i vërtetë. Kemi pasur kontrolle të vazhdueshme, ka pasur raste edhe tre here në javë dhe kjo nuk krijon një klimë shumë të mirë, sepse sjell tension. Për këtë jemi të shqetësuar.
Rama: Unë e thashë e di që kjo gjë ka ndodhur. Për fat të keq, me gjithë insistimin tonë të vazhdueshëm, kjo përsëri ndodh. Ka disa arsye se përse ndodh. Por, ndërkohë, ne jemi duke përgatitur një masë tjetër që çdo biznes i vogël, i cili e ka kaluar kontrollin, pra, është verifikuar si biznes i regjistruar, me kasën fiskale, do të marrë një certifikate, të cilën do ta vendosë në derë; “biznes i rregullt”. Kjo do të krijojë dhe një mundësi që të ndahen të rregulltit nga të parregulltit dhe që administrata tatimore të fokusohet aty ku nuk gjendet certifikata, jo të vijnë përsëri e përsëri. Në manualin që ne do të përgatisim do të kemi një ftesë shumë të qartë për të gjithë bizneset e rregullta, që kontakti i drejtpërdrejtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, duke paraqitur ankesën përkatëse, të na ndihmojë për të marrë masa për të gjithë ata inspektorë që shkelin këtë parim të thjeshtë. Nuk mund të shkosh të bësh kontroll as tre herë në jave, as tre here në muaj, tek një biznes, i cili është i kontrolluar dhe është i certifikuar që është i tillë.
 
Unë kam vite që merrem me biznes të vogël dhe dua të ngre dy probleme. Disponoj një market të vogël ushqimor në lagje. Kohët e fundit, pas datës 1 shtator, mua më ka zëvendësuar në market gruaja dhe në raste të tjera fëmijët. Kontrolli tatimor thotë se nuk duhet të rrijë fëmija se është i pasiguruar. Ndërkohë që fëmija, i cili është gjimnazist ose student sigurohen nga shteti deri në moshën 24 vjeç. Atëherë çfarë siguracioni kërkon Policia Tatimore nga ky person? Unë garantoj që ai është person i familjes. Gjithashtu, dua të ngre edhe një problem tjetër, lidhur me çmimet e referencës për qiratë, Në qershor ka dalë një VKM, e cili thotë se ka çmime reference për të gjitha zonat e Tiranës për qiratë. Por, në qoftë se unë kam një dyqan që mund ta jap 400 mijë lekë me qira buzë rrugës, pasi ka xhiro, e njëjta sipërfaqe, prapa pallatit, në fund të rrugicës, nuk mund të jepet më me 400 mijë lekë, sepse nuk e merr njeri. Duhet të paguajë me çmim të referencës, sepse është brenda zonës?
 Rama: E para, besoj që është një çështje e qartë nga pikëpamja e ligjit, pavarësisht se nga pikëpamja konkrete, ju keni të drejtë që kjo nuk duket e qartë nga mënyra sesi sillen inspektorët. Përsa i përket çështjes së definicionit të zonave për qiranë kam përshtypjen që ajo që ju thoni ka kuptim, sepse tjetër është një rrugë kryesore, tjetër është një rrugë dytësore në të njëjtën zonë. Kjo është e qartë dhe është një arsye për t’u ulur dhe për të detajuar udhëzimin.

Në qoftë se ka një çmim reference në një zonë, ajo zonë ka rrugë kryesore, ka dhe rrugë dytësore. P.sh, nëse flasim për Laprakën, ka një pjesë rruge që është kryesore, por ka dhe rrugë të tjera që janë krejtësisht rrugë lagjeje. Kështu që, qiraja s’mund të jetë e njëjta. Këtu mund të bëhet një detajim i udhëzimit dhe kjo është një gjë që besoj nuk duhet të marrë shumë kohë.

Por dua të përfitoj nga ndërhyrja juaj. Marketi ushqimor nuk është biznes familjar, pavarësisht se në marketin e vogël ushqimor punon familja juaj. Kjo sepse produktet që shiten në marketin ushqimor janë produkte që ju i merrni nga distributorët e mëdhenj. Këtu është thelbi i keqkuptimit i të gjithë atyre që thonë pse kontrolloni biznesin e vogël. Faktikisht, ne duke kontrolluar një market ushqimor, nuk kontrollojmë thjeshtë biznesin e familjes suaj në atë market, por kontrollojmë të gjithë zinxhirin e shitjes së distributorëve të kompanive të mëdha, që shpërndajnë nëpër markete mallin e tyre. Ju e dini shumë mirë që këto kompani, deri tani kanë funksionuar në një pjesë të madhe si të ishin biznes i vogël, duke shitur me kasë fiskale. Ju kanë shitur juve mallin me kasë fiskale, pra, janë sjellë si pakicë dhe ju kanë trajtuar ju si blerës me pakicë. Në këtë mënyrë kanë këputur një hallkë, sepse ju jeni shitësit me pakicë dhe blerësit me pakicë janë blerësit tuaj. Ju nuk jeni blerësit me pakicë të “biznesit të vogël” të shumicës. Ne e kemi ndryshuar këtë. Po shikojmë rezultate. Ata po kalojnë masivisht në faturë tatimore. Pra, ju, mallin prej tyre e merrni dhe duhet ta merrni me faturë tatimore dhe ju pastaj e shisni me pakicë me kuponin tatimor. Kemi lënë një hapësirë 10 % për NIPT-e sekondare, me një afat që është marsi i vitit të ardhshëm. Pas marsit të vitit të ardhshëm, ata nuk do të shesin asgjë pa faturë tatimore. Kjo do t’ju lehtësojë juve përfundimisht. Kjo do të lehtësojë të gjithë procesin që sot është i mbingarkuar me kontrolle dhe me histori të tilla.

Nga ana tjetër vendosja e të gjitha kasave fiskale dhe marrja e informacionit në kohë reale nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të uli në mënyrë drastike numrin e inspektorëve të terren. Unë dua tu them shumë thjesht që çështja e inspektorëve të terrenit është e përkohshme. Reforma që ne po bëjmë konsiston në tërheqjen e kësaj armate të madhe njerëzish - shpeshherë për të mos u pasur as në lagje, jo për të ardhur e për të kontrolluar dyqanin, - në qendër. Analizat e ecurisë së xhirove do të bëhen nga qendra, sepse volumi i deklaruar do të jetë në kohe reale, i përditshëm.

Sistemi që ne kemi ngritur në qendër është i tillë që elektronikisht nxjerr të dhëna, jep sinjale për bizneset, duke thënë këtu ka lëvizje. Në qoftë se ju keni deklaruar një volum X dhe në qoftë se gjatë muajit të ardhshëm, të dhënat që jep kasa juaj nxjerr një ulje të volumit që duket e panatyrshme, atëherë vjen kontrolli dhe ju thotë se çfarë ka ndodhur, pse ka rënë shitja në mënyrë drastike në dyqanin tënd, ndërkohë që për këto mallra në markete të tjera çdo gjë vazhdon njësoj.
Kjo do të bëjë që ju të jeni shumë më të lehtësuar nga barra e kontrolleve. Kontrolli nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve do të bëhet bazuar mbi riskun. Risku do të përcaktohet jo nga tekat e një inspektori apo të një grupi inspektorësh, por nga sistemi kompjuterik që ne e kemi në punë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Besoj se deri në muajin mars ju do ta shihni vetë se do të jetë tërësisht ndryshe e gjithë marrëdhënia mes administratës tatimore dhe biznesit, në kuptimin e kontaktit fizik. Në duam ta ulim maksimalisht kontaktin fizik, atë ardhjen tek dera, shkeljen e syrit; “po atë tjetrën ku e ke”, “shiko se ke dhe atë letrën tjetër”, “më duket se të mungon dhe kjo” etj.. Ju e dini vetë si funksionon. Këtë ne duam ta reduktojmë maksimalisht.
 
Duke ju përgëzuar për aksionin kundër informalitetit, të cilin e mbështes, do të doja që ky aksion të ishte i dyanshëm, që do të thotë të kishte edhe zgjerim të zyrave të shërbimit, pasi ne kalojmë orë të tëra në rradhë, duke pritur për të marrë informacion apo për shërbim, e cila përkthehet në kosto për ne që punojmë.
Gjithashtu, prej një viti e gjysëm kam aplikuar për mbyllje ose për ta bërë NIPT pasiv dhe gjatë kësaj kohe janë aplikuar gjoba ndaj biznesit tim. Vazhdojnë të më vijnë njoftime që nëse këto gjoba nuk shlyhen, do të mblidhen me forcë, ndërkohë që unë kam më shumë se dy muaj që kam aplikuar bashkë me dokumente bashkëlidhur tek Drejtoria Tatimore e Tiranës, që këto gjoba të fshihen nga sistemi, por nuk kam marrë akoma përgjigje.

 
Rama: Është shumë e drejtë, por janë dy gjëra këtu. Njëra është ajo që ne po përpiqemi të bëjmë dhe me këto seminare. Do ta bëjmë në mënyrë sistematike. Përveç seminareve do të përgatisim dhe një manual konkret, sipas nevojave të identifikuara, qoftë të natyrës së detyrimeve, qoftë të natyrës së trajtimit të këtyre detyrimeve, qoftë të natyrës së ankesave, duke ju dhënë dhe pika kontakti precize. Duke thënë, në qoftë se ju keni problem me këtë, ja ku është pika e parë e kontaktit dhe në qoftë se pika e kontaktit nuk rezulton t’ju ndihmojë, ja ku është pika tjetër e kontaktit. Kjo është njëra anë.

Nga ana tjetër kini parasysh që sot, QKR-në e keni në telefon, e keni online. Kush ka një smartfone e ka QKR në xhep, për të bërë regjistrimin dhe për të bërë çregjistrimin. Nuk ka nevojë fare për të shkuar e për të bërë histori. Veprimet që ju bëni me QKR-në sot, që deri tani janë bërë në mënyrë fizike, dmth qëndro në radhë, shtyhu e prit, janë të gjitha të bëshme online. Mjafton t’i referohesh Eebsite të QKR-së dhe të bësh veprime. Kijeni parasysh edhe këtë. Edhe në ditët kur kishte rrëmujë të madhe, kjo ishte në dispozicion, por shumica preferonin të rrinin në mes të rrëmujës dhe të mos ta bënin këtë gjë online. Është një sistem i testuar dhe është funksional. Sigurisht mund të ketë raste kur nuk funksion, nuk e përjashtoj, mund të ketë mbingarkesë apo për arsye teknike, por është i mundur të bëhet online edhe regjistrimi, edhe çregjistrimi. Nëse ju thoni se çregjistrimi ka më shumë vështirësi, kjo është një gjë për t’u parë dhe për t’u lehtësuar. Nëse teknikisht është nevoja për ta përmirësuar, patjetër duhet përmirësuar.
 
Shumë subjekte të vetëpunësuar, duke qenë se kanë pasur probleme me pagesën e detyrimeve dhe kalohet në bllokimin e llogarive bankare, fillojnë pastaj i paguajnë nga arka, por komisionet janë nga 150 deri në 500 për urdhërpagesë. 

Në këtë pikë mund t’ju them se në dijeni time është bërë një marrëveshje me Postën Shqiptare. Por edhe këtë çështje, ne kemi vënë bazën për ta zgjidhur me telefon. Ka një sistem, që është në fuqi, i pagesës nëpërmjet telefonit. Ne duam që në muajt në vijim të bëjmë të mundur që taksat të mund të paguhen online, qoftë me telefon, qoftë me kompjuter nëpërmjet portalit të shërbimeve të shtetit e-albania, ose nëpërmjet operatorëve të tjerë që janë në marrëveshje. Dhe flasim këtu, në radhë të parë, për biznesin e vogël. Kjo do ta lehtësojë jashtëzakonisht shumë marrëdhënien. Mjafton që kalamajve, siç thatë që të mos i lini në FB, t’ju thoni merrni telefonin më paguani taksën dhe e dinë ata vetë si ta bëjnë. Apo mjafton edhe një nip mbi 4-vjeç dhe është gati t’i paguajë taksat, mjafton t’i japësh passëord-in, madje edhe passëord-in e thyen vetë, nëse ia lë telefonin më shumë se një orë në dorë. Ky është qëllimi dhe ne duam ta bëjmë që shumë shpejt ta bëjmë të mundur këtë, për të gjithë.

Unë kam një vërejtje në lidhje me ndryshimin e legjislacionit, kohët e fundit, në mënyrë shumë të shpeshtë. Për pjesën e penaliteteve, të vlerave të penalitetit, kemi brenda një kohe të shkurtër dy vlera dënimi. P.sh, për personat e pasiguruar në punë ka qenë 25 mijë lekë, është bërë 50 mijë lekë dhe ka kaluar tani në 500 mijë lekë. Në një afat shumë të shkurtër, për të njëjtin fenomen, persona të ndryshëm dënohen me vlera të ndryshme.

Ka qenë e ndarë, biznes i vogël, biznes i madh, pra, skllavi tek biznesi i vogël vlente më pak, skllavi tek biznesi i madh vlente më shumë. P.sh., një person i paguar njësoj, qoftë në biznes të vogël, qoftë në biznes të madh, në të zezë kishte vlerë më të ulët në qoftë se e kishte skllavëruar biznesi i vogël, sesa në qoftë se e kishte skllavëruar biznesi i madh. Ne e kemi bërë një, kush mban “skllav” paguan 5 milionë lekë (të vjetra).

Qeveria jashtë bindjes së saj, pranoi t’i nënshtrohej bindjes së deputetëve. Deputetët, në bashkëpunim me Drejtoren e Përgjithshme të Tatimeve sabotuan qeverinë dhe thanë të ulim gjobën, se do të rritet ndërgjegjësimi. Çfarë solli kjo? Solli rritjen e numrit të skllevërve, për një arsye shumë të thjeshtë, sipas meje. Një vend si ne, në historinë e vet ka numrin më të madh të gjobave krahasuar me të gjitha vendet e tjera dhe ka eficencën më të ulët të politikës së vet me gjobat, sepse janë gjoba qesharake. Gjoba që vihen sikur të ishin taksa. Ato nuk janë taksa, por janë ndëshkime. Ndërkohë që aty ku gjobat funksionojnë janë gjoba të larta dhe janë më pak në numër. Dhe gjobën është e kotë ta diskutojmë, nëse nuk ke pse ta shkelësh semaforin. Përse duhet t’i hyjmë diskutimit që është shumë e lartë gjoba për dritën e kuqe në semafor? Mjafton të mos t’i “biesh dritës së kuqe” me kokë dhe nuk paguan asgjë.

Je i varfër, je i pasur, je i pamundur, je i rënduar psikologjikishit, të gjitha këto nuk janë arsye që të shkelësh semaforin. U bë një debat i madh për gjobën në semafor. U vu gjoba shumë e lartë dhe shikoni tani si është qarkullimi tek semaforët, nuk e shkel njeri, në raste të rralla dhe kush e shkel merr gjobën. Edhe ko është e patolerueshme, është skllavëri moderne; Merr dikë mbaje në të zezë, paguaje për bukën e gojës dhe mos i njih asnjë të drejtë. Nesër i thua ik se nuk të dua më, pasnesër nëse sëmuret, nuk figuron asgjëkund, pa llogaritur kur del në pension, është komplet i zbuluar. Kjo është e papranueshme dhe nuk mund të jetë ndryshe. Kush merr njëri në punë duhet ta regjistrojë dhe nuk ka nevojë t’i hyjë fare gjobave.

Për këtë jam shumë dakord, por ndryshimet e shpeshta në legjislacion na bëjnë që të mos kemi kohë t’i interpretojmë.

Ne kemi bërë ndryshime minimale të legjislacionit fiskal dhe çfarë ndryshimesh kemi bërë kanë qenë të gjitha për të lehtësuar biznesin. Kemi përgjysmuar taksën e biznesit të vogël 7.5%, 15% e ka biznesi i madh. Edhe këto lehtësimet e tjera që po bëjmë janë prapë lehtësime për biznesin. Nuk kemi bërë ndryshime në legjislacion që të ngatërruar biznesin. Ndërsa kjo e gjobave ka qenë një provë, - unë isha i bindur që do të dështonte, por fitoi vullneti i deputetëve, - u provua, dështoi dhe tani jam i bindur se do të funksionojë. Nëse sot kemi 128 mijë njerëz, - është një bashki e madhe, - të regjistruar në 45 ditë, mendoni se gjoba nuk ka rolin e vet në këtë mes. Sigurisht që e ka, se llogaria të del mbrapsht, pasi nuk të del më llogaria ta mbash me 25 mijë lekë në të zezë, sepse po ta kapën paguan 500 mijë. Kështu që më mirë e siguron dhe shpëton nga mundësia që të t’i marrin të gjitha ato që ti kujton se fiton apo edhe dyfishin e trefishin e tyre, duke e mbajtur atë si skllav. Kjo është logjika.

Shumë faleminderit. Përpara se të ndahemi, ju lutem vetëm një gjë mundoheni ta mbani mend nga ky kontakt që patëm, që të mos toleroni asnjë inspektor që të sillet në hapësirën e dyqani apo të njësisë tuaj të shërbimit sikur është i zoti i asaj hapësire. Inspektori aty është një shërbëtor i shtetit dhe i juaji. Sigurisht, ai duhet të zbatojë ligjin, por ai nuk ka asnjë të drejtë mbi ju dhe nuk ka asnjë të drejtë të sillet në mënyrë jo etike. Nëse një inspektor hyn dhe nuk ju thotë mirëdita, juve duhet ta nxirrni jashtë. Nëse ai ju vendos gjobën, juve duhet t’i çoni letër apo mesazh Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve apo edhe mua personalisht dhe të na thoni se këtë inspektor e kam nxjerrë jashtë nga dyqani, sepse nuk më tha mirëdita. Llogariteni më pastaj, pjesët e tjera. Bëjeni këtë dhe pastaj shikojeni nëse funksion apo jo; Ndoshta për një mirëdita nuk do të ikë nga puna, por do të vijë t’ju thotë natën e mirë dhe më fal se nesër nuk e përsëris më, apo dëmtoheni ju. Sepse është e patolerueshme.

Por ne nuk e rregullojmë dot këtë nga lart, sado që të përpiqemi. Duhet të kemi informacion në kohë reale, duhet të kemi kontributin tuaj dhe të të gjithë atyre që janë në të drejtën e tyre. Mund të jesh krejtësisht në gabim, mund të ketë plotësisht të drejtë inspektori apo grupi i kontrollit që të të vendosë gjobë, por nuk ka asnjë të drejtë që gjobën ta vendosë pa buzëqeshur. Nuk ka të drejtë ta vendosë gjobën sikur i ke hyrë ë shtëpi. Duhet të sillet në mënyrë etike nga fillimi deri në fund dhe po nuk e kërkuat ju këtë, atëherë ne nuk e rregullojmë dot. Këtë duhet ta rregullojmë bashkërisht. Për të mos diskutuar më arbitraritet e tjera, për të cilat as nuk bëhet fjalë. Jo më larg se sot në mëngjes jemi marrë bashkë me drejtoreshës me një rastin konkret të një zonje që fitoi ndaj inspektorit të padenjë, pavarësisht se deri më sot dukej sikur kishte fituar ai. Sepse e kishte ngarkuar me një gjobë të padrejtë, zonja kishte refuzuar, ndërkohë ai i kishte vendosur edhe një gjobë tjetër. Sot ai ka ikur në shtëpi, ndërsa zonja është rikthyer qetë në punën e vet dhe nuk i ka gjobat e padrejta. Këtë duhet ta kemi të gjithë të qartë.

Nëse në vendet e Europës funksion, të jeni të sigurt, në radhë të parë funksionon se nuk i shkon në mendje një inspektori të sillet sikur është i zoti i shtëpisë në një biznes, sepse është biznesi që nuk e lejon. Inspektori mund të ketë të drejtë plotësisht të vendosë gjobën, por nuk ka asnjë të drejtë të sillet si harbut, edhe kur të kap në gabim. Këtë gjë përpiquni t’ia thoni të gjithë bizneseve që trajtoni, që ta ndjekin.

Unë ju siguroj që në asnjë rast kur biznesi do të denoncojë sjellje abuzive, që nga sjellja elementare e komunikimit deri tek aktet abuzive, ne nuk do ta lëmë në baltë biznesin, nuk do t’i japim në asnjë rast të drejtë inspektorit. Në asnjë rast dhe për asnjë arsye. Ne besojmë shumë që puna bëhet edhe më mirë, duke u sjellë mirë. Ne besojmë shumë që nuk e bën forca shtetin, por e bën shembulli. Këtu kemi nevojë për ndihmën tuaj.
Punë të mbarë!

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Agravon debati mes Julit dhe Eglës: Je një pise femër, shko urgjent dhe çlirohu

Agravon debati mes Julit dhe Eglës: Je një pise femër, shko urgjent dhe çlirohu