Ish-kryetari i Gjykatës së Elbasanit, Arben Vrioni, njërën nga makinat tip “Mercedez Benz”, GLK 220 C, të cilën ia dogjën mbrëmjen e së premtes, e ka deklaruar me çmim sa gjysma e vlerës reale. Në deklaratën e pasurisë gjyqtari ka deklaruar se makinën vit prodhimi 2010, e ka blerë në vitin 2016 me vlerë 12 mijë USD. Por nga hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, organi bazë i Vettingut, i cili e ka shkarkuar gjyqtarin nga detyra, ka rezultuar se makina Arben Vrioni e ka përfituar makinën me një çmim rreth dy herë më të ulët, vetëm rreth pesë muaj pasi ishte blerë në shtetin gjerman, si dhe pasi ishin kryer të gjitha procedurat e zhdoganimit.

Makina është blerë në Gjermani 16,500 euro. Vlera e detyrimit doganor është 460,000 lekë. Vlera në total e këtij mjeti, sipas KPK-së, vlerësohet të jetë rreth 2,750,000 lekë (pa llogaritur transportin nga vendi i origjinës dhe as detyrimet e paguara për regjistrimin dhe targimin e tij). “Komisioni ngre dyshime të arsyeshme se tërësia e transaksioneve të kryera deri në blerjen përfundimtare të këtij automjeti nga subjekti duket se janë bërë me qëllim për të fshehur vlerën reale të blerjes së tij − si rrjedhojë, ekzistojnë dyshime të arsyeshme se kontrata e nënshkruar nga subjekti për shitblerjen e kësaj pasurie është fiktive”, thuhet në vendimin e KPK-së për shkarkimin e gjyqtarit.

Gjyqtari Arben Vrioni ka deklaruar edhe një makinë tjetër në emër të vajzës, vit prodhimi 2003, me vlerë 200,000 lekë. KPK nuk ka ndritur dyshimet për burimet për blerjen e kësaj makine. Dy makinat u dogjën mbrëmjen e së premtes në qendër të Elbasanit. Ngjarja dyshohet se ishe e qëllimshme edhe për shkak se dy automjetet e çiftit Vrioni kanë qenë në një distancë prej 20 m larg njëra-tjetrës ku ndaheshin nga 4 kosha mbeturinash, me këto të fundit që nuk janë përfshirë nga flakët.

Arben Vrioni u shkarkuar nga Komisioni i Vettingut në nëntor 2019, pasi nuk justifikonte pasuri me vlerë 85 mijë euro. Gjyqtari e ka ankimuar këtë vendim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Vrioni ka qenë pjesë e trupave gjykuese të dosjes ‘Shullazi’, ndërsa pretendon se është kërcënuar dhe se për të ka një urdhër mbrojtje. Në vitin 2016, Vrioni kryesoi trupën gjykuese, e cila liroi nga burgu Lulzim Berishën.